Kur Vllaznia realizonte më shumë se 12 rezultate pozitive radhazi duke u ngjitur në vendin e dytë në Superligë dhe “rrezikuar” të kalonte edhe Egnatian kryesues në një javë, optimizmi ishte në stratosferë. Superlativa për ekipin, për drejtuesit e sidomos për trajnerin Qatip Osmani.
Në fakt dukej e çuditshme pasi trajneri nga Maqedonia e Veriut, nxorri “luanin” nga një grup futbollistësh që rrezikuan ta zbresin Vllazninë në “zonën e ftohtë”. Madje, më shumë se e çuditëshme, pasi “brumi” ishte i njëjti, që nga nisja e aventurës së sezonit të ri futbollistik.
Ndërsa Vllaznia regjistronte rezultate pozitive njëpasnjë, ekipet e tjera, duke nisur nga Egnatia kryesuese, lëkundeshin duke kaluar thuasje të njëjtën fazë që më herët kishin kaluar edhe kuqeblutë. Tashmë në fazën e fundit, më të rëndësishmen, të gjitha ekipet, edhe ai i vendit të fundit- Kukësi, karikohen mobilizohen. Me Vllazninë, ndodh e kundërta.
Nuk është turp të të eliminojë ekipi kryesues i Supërligës. Egnatia ka treguar se është ekipi me performancën më të mirë të këtij sezoni. Turp është të eliminohesh me një lojë që në rastin më të mirë, ishte efikase vetëm 30 minuta nga 120 bashkë me shtesën. Turp është të mos rrezikosh portën kundërshtare me një lojtar më shumë. Turp është që ekipi të shuhet fizkisht, pavarësisht ndërrimeve “rifreskuese”.
“Kaq takat ka kjo Vllazni”, ishte fraza më e përdorur nga tifozë por edhe specialistë pas eliminimit nga Egnatia në gjysmëfinale të Kupës. Fjala “takat” e jep të plotë problemin e kësaj Vllaznie. Ajo shuhet fizikisht, duke mos patur “takat” të veprojë, të lëvizë, të ideojë dhe në fund të shënojë. Sepse goli të jep fitoren.
Synimi kryesor në këto javë të mbetura në Supërligë, është sigurimi i “Final 4”. Ndoshta si një mundësi e mirë për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Të synosh titullin me 3 ekipet e tjera më të mira, duke nisur me Egnatian, është “ëndërr e një nate vere” teksa kjo stinë është në të ardhur. Që kjo të ndodhë, Vllaznia ka nevojë për një mrekulli. Ato ndodhin, madje edhe këtë sezon, i kanë ndodhur edhe Vllaznisë. Çeshtja është sa mund të zgjasin mrekullitë?! /Shënim i ShkodraWeb/