106 vota deputetësh janë dashur që të miratohet në Kuvend për të disatën herë nga 1991, Kodi Zgjedhor i radhës. Si edhe pararadhësit, edhe ky kod është fryt i konsensusit të dy partive të mëdha, PS dhe PD. 30 deputetë, të pranishëm në sallë, kanë preferuar të mos regjistrohen për votim. Nuk ka patur asnjë abstenim, teksa Sula dhe Alibeaj të PD- së në zgjedhjet e vitit 2021, kanë votuar kundër.
Nëse realizohet teknikisht, votimi nga jashtë vendit, kudo ku ndodhen shqiptarët nëpër botë, me apo pa dokumente të rregullta qendrimi, është lajm i mirë. Nëse angazhohen në këtë proces, shqiptarët jashtë vendit, mund të jenë përcaktues për fituesin e zgjedhjeve të vitit 2025. Pritet të shihet nëse KQZ dhe strukturat e tjera shtetërore, do të munden apo jo ta implementojnë procesin.
Para viteve ’90, termi “besniku i partisë”, ishte një term që personifikonte persona të veçantë, ideologjikisht “në një mendje” me kryetarin e organizatës- bazë, deri tek kryetari apo sekretari i madh i PPSH- së, E.H. apo R.A. Me këtë kod, është sanskionuar pikërisht kjo frymë, madje më specfikisht, “besnikë të kryetarit”.
Nëse në zgjedhjet e 2021- it, çdokush në listë, nëse thyejnë herësin, mund të spostonte secilin nga “besnikët e kryetarit” të rreshtuar në vend etë sigurta, tashmë 1/3 e listës, është e ngurtë. Para, pavarësisht votave preferenciale që mund të sigurojë një kandidat, në qarkun e Shkodrës për shembull me 11 kandidatë të listë, duhet të presë një vend të katërt që kualifikohet në bazë të votave të subjektit, për të marrë mandat.
Vetëm në Tiranë, ku aktualisht prodhohen 36 mandate, do të ketë një farë gare nga ata që janë poshtë listës së sigurtë. Nga 12 deputetë, PS dhe PD, i kanë të garantuar në listën e ngurtë të depozituar nga kryetarët Rama, Berisha, Meta etj. Por edhe këtu shanset minimizohen sepse përveç PD dhe PS, marrin mandate edhe subjekte të tjera, ku favorizohen kandidatët e ngurtë të kryetarëve respektivë.
Sipas përllogaritjeve paraprake, nga 140 deputetë, vetëm 40 në rastin më të mirë, mund të jenë fryt i vullnetit të lirë të zgjedhësve. Pjesa tjetër, do të jenë “besnikë të kryetarit”, në çdo rrethanë, në çdo pozicion- qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Realisht, sanksionohet “republika e kryetarëve” dhe jo “republika e qytetarëve”. Por edhe kjo, e përkohshme. Kodi Zgjedhor do të ndryshohet sërish. Menjëherë pas zgjedhjeve të 2025- ës, do të kontestohet fillimisht nga humbësi i zgjedhjeve, pastaj do të bihet dakord për një komision bipartizan me produkt një tjetër kod zgjedhjesh konsensual. Fiks, si ky që u miratua në Kuvend pak orë më parë. /Nga Blerti DELIJA/