Nuk është hera e parë që ndodh në Shqipëri. Media- biznesi dhe qeveritë, janë përballur deri në përplasje të fortë më shumë se një herë. Edhe sot, nuk ishte asgjë më shumë se përplasja e radhës.
Në mes është liria e medias, përpjekja për ta ruajtur nga njëra anë, nga ana tjetër, përpjekja për ta uzurpuar, më qartë, për ta vënë në sherbim. Nuk ka dyshim se në lojë, janë disa media, më shumë se 3, të cilat gjithmonë kanë flirtuar me pushtetin. Sigurisht. në interesin e pronarit, i cili mediat nuk i ka prioritare në lumin e bizneseve që administron.
Sot, është mësuar se para rreth 2 javëve, qeveria i paska dërguar një letër Hysenbelliut që të lirojë ambjentet ku prej 2 dekadash, ka vendosur mediat e tij. Po pse u prit deri sot të bëhej publik ky fakt apo sot cënimi i lirisë së medias ka ndjeshmëri më të lartë?!
Sulmi i fadromave mbi pishinat e Hysenbelliut, të ndërtuara me apo pa leje, është fillimi i një marrëveshje të re, me gjasë brenda pak ditëve. Nuk ka dyshim se Irfani dhe Rama do të ulen sërish bashkë, do të drekojnë e darkojnë në pjesën e dukshme. Të padukshmen e dinë vetëm ata të dy se çfarë do të ndodhë.
Sot, figurat më të njohura politike në vend, u investuan në përballjen media- biznes me qeverinë. Sigurisht, çdo shkak apo arsye është e vlefshme për opozitën të sulmojë qeverinë. Nga ana tjetër, kauza e lirisë së mediave, pavarësisht se pjesë e një grupi shumë të madh biznesesh, është e drejtë. Aq më shumë kur nuk mund të ndahet pronari i një medias nga pronari i dhjetra bizneseve të tjera.
Kush fitoi dhe kush humbi në këtë përballjen e sotme? Praktikisht, askush nuk humbi. Prishja e pishinave ishte pikënisja e një tjetër marrëveshje në mes Irfanit dhe Edit, kryeministrit. Ata janë aq miq, kanë aq interesa, sa nuk mund të shemben për tre muaj të sulmeve të drejta ose jo ndaj një zyrtari jo të ulët që Rama e ka jo pak për zemër.
Tifozët u ndanë në dy kampe. Ndoshta shihen edhe si antagonistë në gjykimin e situatës së krijuar. Po si do të ndahen këta tifozë nesër, kur Irfani dhe Edi do të ulen sërish bashkë, do të inspektojnë punimet në ndonjë biznes dhe përsëri do të pozojnë të nxirë nga…dielli?! /Nga Blerti DELIJA/