Nuk gjenden fjalë të ngushëllosh një familje kur humb fëmijën e saj. Është e pamundur të përballesh qoftë edhe në distancë me një ngjarje thellësisht tragjike si ajo e Himarës. Ndjeshmëria rritet natyrshëm kur je prind dhe mëson lajme të kobshme si ai i humbjes së jetës së vajzës së vogël të familjes Avdia.
Lindur dhe rritur në tokë të huaj, lidhja e vetme e vogëlushes me këtë vend të çmendur, ishte gjaku që i rridhte në deje nga dy prindër shqiptarë. Edhe pse me gjasë kanë patur mundësi të kalojnë pushimet në shumë vende të botës, familja Avdia zgjodhi Shqipërinë. Me shumë mundësi, për të ushqyer famijët me ndjenjën e atdheut të të parëve.
Është një atdhe i bukur nga Zoti e natyra. Por edhe edhe një atdhe i çmendur, Po, po, i çmendur. Është një vend që po vazhdon të përzërë të gjith bijtë e tij, në një hemorragji që nuk ka të ndaluar nga viti 1990, të paktën ajo që mund të quhet hemorragji e pandërprerë. Është një vend që nuk është qeverisur asnjëherë të paktën nga 1912-a e Pavarësisë. Është sunduar, me metoda diktatoriale por edhe me fasadë demokratike.
Shqipëria është një vend i çmendur. Numri i miliarderëve (sepse milionat nuk kanë më vlerë) shtohet paralelisht me atë të bukëgojëkërkuesve. Miliarderët nuk janë shtuar vetëm nga “aftësitë” e tyre apo shfrytëzimi i hapësirave të ekonomisë së tregut, por edhe nga grabitje- gllabërimi i parave të të gjithë shqiptarëve, i pronave të tyre përmes linjave shtetërore.
Ky vend që përditë e më pak e meriton emrin atdhe apo mëmëdhe, është kthyer në makth jo vetëm për ata që janë detyruar të jetojnë në të. Edhe emigrantët, ata që punojnë 11 muaj për të shijuar 1 muaj në këtë vend dhe pranë familjeve, përballen me realitete të paimagjinueshme duke nisur nga çmimet e përfunduar tek siguria e jetës.
Sot, 32 vite pas startit të një Shqipërie të falisur, ky vend po behet i jetueshëm, strehë e vetëm abuzuesve me të. Ky vend, nën efektin e “sindromës së Stokholmit”, po dashurohet me rrëmbyesit e tij. Duke nisur nga maja e piramidës dhe deri në qelizën e tij më të fundit. E ky vend, pasi ka përzënë rregullisht bijtë e vet, sot po vret edhe nipat, ata që ndoshta nuk kanë qenë asnjëherë në këtë tokë të marrësh.
Një oficer policie, i papërgjegjshëm deri në qelizën e tij të fundit, është vënë në shenjestër për një krim shumë të rëndë: ekzekutimin e një fëmije shqiptar në brigjet e detit shqiptar, në sytë e prindërve shqiptarë. Në fakt, ky polic që meriton thellësinë më të madhe të ferrit njerëzor e hyjnor, është produkt i kësaj Shqipërie që përmendëm dhe përditë e më shumë, po e duan më pak shqiptarët. Është një vend që mbase më shpejt se e mendojmë, mund të kthehet në atdhe të dytë të bangladeshësve e të ngjashmëve të tyre.
Në këto pak rreshta ka dhimbje, trishtim, revoltë, paragjykim. Ndjesi që sidomos orët e fundit, i përplasin rrjeteve sociale e tavolinave të bareve, shumë shqiptarë. Por fatkeqësisht vetëm kaq. Sepse tashmë na kanë mësuar se “çudia më e madhe, 3 ditë zgjat”. Sepse ne jemi shqiptarë, jemi përjetësisht vetëm bukëgojëkërkues sepse këtë ndjesi na kanë ngulitur tashmë në ADN- në tonë. E përsa kohë të jemi në kërkim të bukës së gojës, thjeshtë arsyetojmë jo me tru por me stomak. Sepse ne nuk kemi memorie, kujtesë. As individuale e as kolektive! /Nga Blerti DELIJA/