Nga Brunilda DIBRA, gazetare
Legjitimimi i bakshishit në shërbimin mjekësor qoftë atë shtetëror apo privat është një debat i ndezur prej vitesh në mbarë botën. Nga shumë ekspertë të fushës, hapi drejt ligjërimit të rryshfetit në shërbimin shëndetësor, është një formë skllavërimi i qytetarëve, sepse kështu do bëhet diferencim i thellë i këtij shërbimi jetik mes njerëzve. Ata me mundësi të pakta ekonomike ose në prag apo nën minimumin jetik, do përjashtoheshin automatikisht nga shërbimi profesional shëndetësor e për rrjedhojë do rikthehej në një format modern, skllavërimi i dikurshëm.
Asnjë shtet nuk ka guxuar të bëjë një hap të tillë, pavarësisht diskutimeve që shtrohen, madje ka marrë masa që edhe në shërbimin mjekësor privat, përfshi dhe trajtimet e luksit në SPA apo qendra estetike mjekësore, bakshishi të ndalohet ligjërisht.
Shteti ynë ende nuk ka reaguar ndaj këtij pretendimi, që ngrihet në një protestë të bluzave të bardha. Janë të keq paguar apo jo, mjekët tejkaluan dje me zë dhe figurë etikën profesionale, shkelën betimin e Hipokratit dhe minuan konceptin e një shteti normal, ku të gjithë duhet të jenë të barabartë në shërbimet jetike, sikurse shëndetësia është.
Nuk pashë as ministren, as kryeministrin, as avokatin e popullit, as komisionerin për antidiskriminimin, as presidentin e republikës të thojnë dy fjalë për këtë pretendim, që ngrihet nga mjekët dhe kjo më shqetëson, sepse kam qenë, jam e do jem pashmangshmërisht e ekspozuar ndaj këtij shërbimi.
Ndërkohë mjekët vërtetuan atë që me vite qytetarët ankojnë, që korrupsioni ka hyrë thellë në mesin e tyre dhe gjëja nuk zgjidhet vetëm me rritjen e pagave. Nëse keni pyetur pse shqiptarët largohen nga vendi i tyre, dje morën përgjigje të gjithë këto institucione dhe nëse e kanë seriozisht ndaljen e kësaj hemorragjie duhet të ja nisin më së pari nga shëndetësia.