Këto ditë ka “shpërthyer” një tjetër debat, i cili ka në qendër të tij figurën e Lekë Dukagjinit, bashkëkohës i Gjergj Kastriotit dhe me mjaft dritëhije në jetën e tij 71 vjeçare. Publikimi i një botimi zyrtar të shtetit shqiptar në kuadër të 100- vjetorit të Pavarësisë (2012), riktheu debatin për këtë figurë lidhur me emërtesën e monedhës tonë kombëtare, Lekut.
Disa vëzhgues të historisë, bëjnë me dije se është ribotuar një një botim i vitit 1982, i cili ka gabime në transkriptin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar (Parlamentit të kohës) të datës 13 shkurt 1922, pjesa ku kryeministri i kohës, Xhafer Ypi, i pyetur nga Bahri Omari se nga është marri emri “Lek” i valutës kombëtare, ai ka përmendur emrin e Lekë Dukagjinit. Të tjerë, e konsiderojnë batutë të kryeministrit të kohës.
Për emrin e monedhës kombëtare “lek”, përballë Lekë Dukagjinit, princ shqiptar i mesjetës, është venë Leka i Madh apo Aleksandri i Madh i Maqedonisë. Ky i fundit, lindi në vitin 365 p.e.s. dhe konsiderohet bir i mbretit të Maqedonisë Filip dhe princeshës së Epirit, Olimpia. Ndërsa Lekë Dukagjini, lindi në 1410 dhe vdiq në 1481. Edhe Aleksandri i Madh i maqedonisë, si çdo prijës tjetër, ka dritë hijet e tij.
Por ka një diferencë të madhe mes të dyve, duke nisur nga autenticiteti i informacionit që vjen për këto dy personazhe si dhe, lidhje me Shqipërinë e sotme. Nuk besoj se ka kush dyshime se informacionet për Lekë Dukagjinin janë më të besueshme se për Aleksandrin e Madhe të Maqedonisë, sepse mes tyre ka rreth 17 shekuj diferencë. Nga ana tjetër, nëse flasim për gene shqiptare dhe marrim të mirëqënë lidhjen e Epirit me Shqipërinë e sotme, nuk besoj se ka kush dyshime se Lekë Dukagjini është më shqiptar se Aleksandri i Madh i Maqedonisë.
Sot, këto ditë, Lekë Dukagjinit po i vihen të paktën dy “njolla”, me shumë gjasë të pamerituara. E para, konsiderohet autor i Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili sipas shumë “mendologëve” të rrjeteve sociale, është mjaftueshëm që ai të mos përmendet sot. Në fakt, ka një dashakeqësi të hapur. Kanuni është kod mesjetar që ka rregulluar jetën e përditshme në kohën që është përdorur dhe nuk është aspak faji i tij, nëse për çeshtje të ndryshme, edhe në 2024- in, i referohen atij dhe jo ligjit. Nga ana tjetër, është një kod i të drejtës i cili është studiuar e vazhdon të studiohet. Ai të mblodhi për herë të parë Kanunin e Lekë Dukagjinit, ishte Shtjefen Gjeçovi, i cili mesa duket në kapërcyell të shekullit të 19- të drejt atij të 20- të, i vendosi këtë emër kodit mesjetar.
Në fakt, At Gjergj Fishta e ka përcaktuar qartë: “Per ket punë thonë nji palë, se Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit, jo pse ká kênë kodifikue prej Lekë Dukagjinit, por pse ká kên zbatue nder «Lekë» e «Dukagjin»; pra: «Kanuni Lekë-Dukagjin», e jo i «Lekë Dukagjinit». Kto çashtje tash i zhvillon me kohë historija.” (Gj. Fishta, “Parathâne,” Kanuni i Lekë Dukagjinit (simbas Gjeçovit) (Shkoder, 1933)).
“Njolla” e dytë e “errët” lidhet me identifikimin e Lekë Dukagjinit me krahinën e Dukagjinit sot, brenda territorit të Shqipërisë e sidomos, të Qarkut Shkodër. “Mendologët” e rrjeteve sociale nëse nuk e dinë e kanë harruar se, Lekë Dukagjini ka lindur në Lipjan të Kosovës së sotme. Principata e Dukagjinëve shtrihej nga territore që sot janë në Shqipërinë Veriore e vazhdonin deri në Kosovë, me kryeqendrën e dytë të tyre pranë Ulpianës.
“Krenaria” e përçudshme e “mendologëve” të rrjeteve sociale, nuk pranon që monedha kombëtare të jetë pagëzuar nga emri i Lekë Dukagjinit, shqiptar, bashkëkohës i Gjergj Kastriotit dhe me gjak princëror, me stemë heraldike të mirënjohur edhe në principatat e tjera të kohës, e trashëguar, e ruajtur edhe sot. Më mirë të zgjidhet si referencë Aleksandri i Madh i Maqedonisë, shumë më pak shqiptar (ose aspak, sepse flasim për epokën e 365 viteve p.e.s. kur nuk ishin kristalizuar kombësitë) nëse duam të pranojmë se nëna e tij Olimpia ishte princeshë nga Epiri dhe se Epiri është trashëgim i Arbërisë e sot Shqipërisë, pushtues i thuajse gjithë botës dhe me “cene” morale në “biografi”, siç u pëlqen të shprehen “mendologëve” të rrjeteve sociale. Pa folur këtu për bejetën qindra vjeçare që Aleksandrin e Madh të Maqedonisë, më parë se shqiptarë, grekët thonë se është i tyri ashtu siç tërheqin nga vetja maqedonët, të cilët sot në 2024- in, nuk dihet nëse vazhdojnë të ekzistojnë genetikisht si pasardhës të tij.
Në fakt, ka edhe një “njollë” tjetër që “mendologët” e rrjeteve sociale e nënkuptojnë por akoma nuk e kanë shprehur publikisht në masë. Lidhet me besimin, përkatësinë fetare të Lekë Dukagjinit. Duke nisur nga Gjergj Kastrioti, të gjithë prijësit e kohës, kanë ndryshuar fe sipas interesit të momentit sepse besimi fetar zgjidhet, nuk lind. Gjatë jetës mund ta ndryshosh, ka u konsideruar “tradhëtar” sepse besimi në zanafillë, është liri zgjedhje. Nga ana tjetër, të kaluarën e askujt, as të Lekë Dukagjinit nuk mund ta retushojmë, ta fshijmë apo ta vëmë në kontekstin e 2024- it.
Në fakt, kjo qasje nuk është e re nga “mendologët” e rrjeteve sociale. Të njëjtën kanë patur para disa viteve edhe për Nënë Terezën, kur diskutohej vendosja e bustit të saj në hyrje të qytetit të Shkodrës. “Mendologët” u hodhën pupthi, përmendën edhe “hedhje në erë” nëse do të vendosej se Shkodra do të identifikohej si “qyteti i nënë Terezës, murgeshës katolike”. Dhe po flasim për shqiptaren e quajtur sot Shën Tereza e Kalkutës, e adhuruar nga të paktën 1.5 miliardë njerët në botë (të besimit katolik). Kush është më e madhe, me identifikuese për shqiptarët, Nënë Tereza apo Aleksandri i Madh i Maqedonisë?! Por ky i fundit, duke ardhur nga thellësitë e para epokës së re, nuk identifikohet në besimin fetar ose më saktë, nuk është i krishterë. Në Maqedoninë e Veriut, autostrada më e madhe e vendit mban emrin e Nënë Terezës. Kjo, vetëm për shkak të lindjes në Shkup, edhe pse nga dy prindër shqiptarë.
Ka ardhur koha që këto debate të dalin në sipërfaqe, të mos flenë rrezikshëm në pjesën e padukshme. Nga thellësitë e historisë vjen shprehja e famshme “Jepi Çezarit çfarë është e Çezarit, jemi Zotit atë që është e Zotit”. Dhe nuk është shprehje shqiptare. Ka ardhur koha që në mes gjykimit dhe paragjykimit, të bardhës dhe të zezës, të mirës dhe të keqes, të pozicionohemi të gjithë. Ti thërrasim gjërat me emrat që kanë. E meqë jemi tek emrat. Këtë shkurtimin Leka i Madh i Maqedonisë, të cilën po e dëgjojmë këto ditë përherë e më shpesh, mesa duket e kemi shpikur për të eklipsuar ndonjë Lekë tjetër që mbetet vetëm të shpallet zyrtarisht “non grata”. /Nga Sokol N. SOKOLI/