Ka më shumë se 24 orë që vemendja meditiake e mediave tradicionale dhe atyre online, është perqendruar tek arrestimi i këngëtares Elsa Lila në Itali. 41 vjeçarja, e famshme jo vetëm në Shqipëri por edhe në Itali për pjesëmarrjen në dy festivale të SanRemos, është tashmë në “syrin e ciklonit” mediatik, i cili frymëzon edhe opinionin publik.
Përtej lajmit, përcjellja e të cilit nga mediat dhe qytetarët mund të konsiderohet edhe legjitime, siç ndodh rëndom në raste të tilla, fillojnë “gërmimet” në të shkuarën. Ata që merren me mediat, e kuptojnë lehtë[sisht se është punë audience apo klikimesh. Sillet në vëmendje historia e trishtë e nënës së këngëtares së njohur, ri- publikohen foto të këngëtares me kryeministrin aktual, ri- sillet në vemendje futja e saj në grevën e urisë së një partie politike. Madje, i përmendet edhe vajza e saj, e cila sot duhet të jetë rreth 10 vjeçe.
Në disa raste, imazhi i këngëtares, fotot e saj, përdoren edhe për të sulmuar politikanët apo kundërshtarët politikë. E kjo i kalon të gjitha caqet e logjikës njerëzore. Këtu fatet kryqëzohen padrejtësisht e në dëm të atyre që për një arsye apo tjetër, me dashje apo pa dashje, i janë afruar politikës dhe personazheve të saj.
Si për të mos mjaftuar kjo, sillen në vemendje edhe raste të ngjashme, të aktorëve apo artistëve shqiptarë, të cilët në të shkuarën kanë patur peripeci të ngjashme. Disa prej tyre të vdekur tashmë, e të tjerë të gjallë por edhe të pastruar nga çdo akuzë. Se cila është arsyeja, vëshitirë të kuptohet, me përjashtim të interesit të audinecës e klikimeve. Harrohet se në çdo rast, fajtorë apo të pafajshëm sot apo nesër, në mes janë jetë njerëzore të vetë këtyre personazheve, fëmijë e të afërm që u vështirësohet jeta edhe për shkak të “pasqyrimeve” të tilla.
Sido të shkojë çeshtja e Elsa Lilës në Itali, tashmë masa, turma, e ka dhënë “vendimin” e saj. Ajo u linçua publikisht, pas saj edhe vajza, të afërmit, miqtë e të njohurit. Ajo ka gabuar. Më saktë, mund të ketë gabuar, sepse duhet një vendim gjykate për ta mbështetur. Deri në atë moment, ajo konsiderohet e jo fajtore. Është drejtësia që duhet të provojë akuzat, të sjellë fakte, të gjykohen rrethanat e në fund të jepet vendimi.
Sidomos në Itali, çeshtje të tilla zgjasin edhe me vite të tëra teksa nuk përjashtohen edhe surpizat. Historia ka treguar se shumë ngjarje të ngjashme, të bujshme, janë shfryrë si tollumbace por pasojat i kanë vuajtur ata që u linçuan paraprakisht nga mediat. Si shumica e shqiptarëve e njerëzve vullnetmirë, shpresoj që Elsa Lila të jetë totalisht e pafajshme. Jo vetëm për emrin e karrierën e saj por edhe të vajzës, familjarëve, miqve e të njohurve. Por tashmë, dëmi është bërë… /Nga Blerti DELIJA/