Mesnata e 8 marsit 2021, është afati i fundit kur partitë politike kanë kohë për të depozituar në KQZ listat shumë emërore të kandidatëve për deputetë sipas qarqeve, që do të votohen me 25 prill 2021. Prtitë të ashtëquajtura të vogla por edhe ato të rejat, ka shumë ditë që kanë prezantuar kandidatët, sigurisht jo të 140- ët në nivel kombëtar. Natyrisht, vëmendja është përqendruar tek dy partitë e mëdha PS dhe PD por edhe tek lista e LSI- së, e cila nuk mund të quhet as e vogël dhe as e re.
Shumë nga ata që me 25 prill 2021, kanë vendosur të votojnë, kanë bërë zgjedhjen e tyre. Tek ata, nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh shpalosjet e programeve apo premtimeve. Kësaj kategorie nuk i përkasin vetëm militantët, por edhe ata që direkt ose indirekt kanë lidhje (përfitime) nga qëndrimi në pushtet apo ardhja në pushtet e një subjekti të caktuar politik. Në një përqindje të madhe, kjo kategori e ka bërë zgjedhjen prej vitesh ose së paku prej muajsh. Pavarësisht emrave që do të publikohen sipas qarqeve, ata do të votojnë siglën a logon e partisë që kanë për zemër.
Përtej tyre, është edhe një kategori që sondazhet e konsiderojnë të pavendosur akoma. Të zhgënjyer, lodhur apo tëpainteresuar ndaj politikës, ata janë në mëdyshje: Të votojnë ose jo me 25 prill! Atyre u duhet të shtytje plus, sidomos ata që çeshtjet financiare të jetës, i kanë deri diku të zgjidhura. Pra, nuk presin një vend pune apo përfitim direkt nga X ose Y parti që qëndron apo ikën nga pushteti. Tek kjo kategori, e cili sipas sondazheve nuk është më pak se 28%, do të ketë ndikim lista. Më saktë, emrat e kandidatëve që do të vendosen në listë.
Për herë të parë, edhe pse jo sinqerisht dhe plotësisht, do të kenë mundësi që përveç partisë, të përzgjedhin edhe kandidatin e preferuar. Ka një kleçkë edhe këtu sepse i preferuari i qytetarëve me votë direkte si kandidat, duhet të marrë të paktën një votë më shumë se mesatarja e votave që një subjekti politik në X qark i duhet për të siguruar mandat. Për ta thjeshtuar, nëse një subjekt politik merr mandat me 10 mijë vota në një qark, i preferuari i qytetarëve duhet të ketë të paktën 10.001 vota që të ngjitet në renditje dhe të marrë mandat.
Siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, emrat konkretë të kandidatëve, nxisin edhe pjesëmarrjen në votime, natyrisht edhe votën në favor të një subjekti politik. Por ka edhe një kategori tjetër, e cila direkt apo indirekt do të ndikohet nga emrat. Janë pikërisht ata me të cilët jeta apo fati nuk është treguar shumë bujare. Në një vend si Shqipëria, ku një pjesë jo e parëndësishme e familjeve luhaten në kufijtë e varfërisë, kandidatët, qasja e tyre edhe ekonomike përballë kësaj kategorie, ndikon mjaft në terheqjen apo devijimin e botës.
Së fundi, listat e partive, përfaqësimi si dhe ku duhet i grupimeve të caktuara sociale por edhe të përkatësisë së besimit, do të kenë ndikim në votën e qytetarëve. Nuk përjashtohet se pakënaqësitë mund të devijojnë flukse të rëndësishme të votave në drejtim të njërës apo tjetrës parti politike me 25 prill 2021. Gjithsesi, këto dilema do të marrin përgjigje në kufirin në mes datës 8 dhe 9 mars 2021. E sipas gjasave, do të njihen edhe “fituesit” e “humbësit” e zgjedhjeve parlamentare të këtij viti. /Shënim i ShkodraWeb Media/