Nga Blerti DELIJA
Në pak orë 100 milion lekë të vjetra ose rreth 100 mijë dollarë gjoba për dy eksponentë të rëndësishëm të PD- së: Nënkryetarin Edmond Spaho dhe kreun e FRPD- së Belind Këlliçi. Arsyeja, mosrespektimi i masave antiCovid të vendosura nga qeveria. Duhet pak kamuflim dhe një gjobë i është vënë edhe ministrit Blendi Klosi.
Po ashtu, duhet edhe një mesazh intimidues: Dy gjova, 750 mijë të vjetra në total ndaj Erion veliajt, janë anuluar nga KAS- i i KQZ-së. Sepse Veliaj, siç edhe Rama po ndjekin punët në territor, me fonde apo të parashikuara para datë 24 shjetor 2020, kur hyri në fuqi një vendim i KQZ- së për të penguar fushatën me fonde publike që janë miratuar pas datës së sipërpërmendur.
Askush nuk dyshon se masat antiCovid ndikojnë ose duhet të ndikojnë në mbajtjen nën kontroll të pandemisë. Askush nuk ka dalë kundër tyre, askush nuk ka propozuar asnjë masë alternative më efikase. Mirëpo, loja duket se luhet diku tjetër.
Edhe 65 ditë shqiptarët do të votojnë. Nuk është e qartë akoma, por sipas gjasave, me këtë situatë të rëndë pandemie, nuk do të ketë fushatë me takime elektorale siç jemi mësuar ti shohim deri në qershor 2019. Kush penalizohet nga masat antiCovid në këtë rast? Pa më të voglin dyshim, opozita.
Edi Ramën nuk e pengon askush të dalë e të takojë njerëz. Nuk e ka ndalur asnjeherë por tashmë intensifikon daljet publike, takimet me njerëzit. Agjenda e tij është qartas elektorale, edhe pse zyrtarisht, “po ndjek punimet për rehabilitimin pas termetit” dhe “po monitoron procesin e vaksinimit të qytetarëve” në mbarë Shqipërinë. Nga ana tjetër, për shkak të situatave, të paktën një pjesë e ministrave: Balluku, Ahmetaj, Manastirliu, Kushi, Peleshi e ndonjë tjetër, përsëri “për shkak të detyrës”, janë në terren, takohen me njerëz. Shkurt, bëjnë fushatë. Si në ambjente të hapura apo edhe të mbyllura, janë më shumë se 10 vetë të pranishë, duke llogaritur minimalisht 10- 12 badigarda, përveç kryeministrit, ministrave, prefektëve e shpurave që i shoqërojnë. Mirëpo çuditërisht, ata “nuk i zë Covid-i”. Ky mavri shfaqet vetëm në takimet e organizuara nga eksponentë të opozitës. Vetëm aty aktivizohet rreziku i pandemisë dhe mbi kokë, sëpata e 50 mijë dollarëve gjobë.
Ndërsa opozita po pengohet me këto modalitete djallëzore të takojë e bashkëbisedojë ballë për ballë me qytetarët, qeveria ka edhe një mekanizëm tjetër për të shfrytëzuar për fushatë. 61 bashki kanë miratuar para 24 dhjetorit 2020 buxhetet e tyre. Pra, edhe 60 kryebashkiakë mund “të ndjekin punimet e realizimin e veprave të parashikuara në buxhete”, në po kaq bashki dhe nuk rrezikohen nga gjoba 50 mijëshe. PD-së i mbetet vetëm Shkodra, por edhe ajo me rezerva sepse buxheti i saj bashkiak është miratuar me 28 dhjetor, 4 ditë pasi KQZ nxorri urdhrin e famshëm.
Praktikisht, masat antiCovid dhe gjobat milionëshe, po penalizojnë vetëm opozitën në këtë fushatë të pashpallur. Qeveria dhe levat e saj, vazhdojnë pa u shqetësuar fushatën. Të paktën në këtë fazë, opozita është e penalizuar nga zbatimi selektiv i masava antiCovid, selektivitet i kamufluar edhe nga një vendim i pakuptimtë i KQZ- së. Që në krye të herës, do të ishte e qartë se opozita do të penalizohej nga vendimi i KQZ-së, sepse opozita nuk ka mundësi të inspektojë “investimet” për të justufikuar takimet me njerëzit. Sepse buxhetin por edhe monitorimin e implementimit e bën qeveria. Nëse KQZ do të ishte “fair”, e paanshme, do të duhej që të ndalohej çdo aktivitet, çdo inspektim që ekspozon qytetarët dhe direkt e indirekt shfrytëzohet për fushatë. Sepse në çdo takim, Rama, Veliaj e ministrat po bëjnë fushatë po anatemojnë e sulmojnë opozitën.
E në fund, disa fjalë për gjobat 50 milionëshe. Janë skandaloze, disproporcionale dhe të papagueshme. E çdo të bëjë qeveria nëse nuk paguhen? Do të sekuestrojë prona, pasuri apo do ti rrasë në burg të gjobiturin që nuk mund të paguajnë?! Një rrogë e mirë në këtë vend, është 1 milion ketë të vjetra. Për ta paguar gjobën, pa konsumuar asgjë, duhen më shumë se katër vite punë për ta paguar. Çdo gjykatë në botë e rrëzon këtë gjobë, siç edhe nuk është çudi, që pas 25 prillit, këto gjoba të zerohen. Funksioni i tyre është të frikësojnë eksponentët e opozitës dhe qytetarët shqiptarë. Normalisht, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit 2021!