Viti 2010 ekspozoi në sytë e shqiptarëve, atë që hamendësohej prej vitesh e vitesh: Korrupsionin në zyrat e larta të shtetit! 13 minuta e 30 sekonda video të regjistruara nga një ministër i kohës, tregonin zëvendëskryeministrin me një bllok në dorë dhe përflitej shifra “700 mijë” euro e përfitimit për një koncesion hidrocentrali. Kjo ngjarje, do të ishte në zanafillë edhe të një tjetër shumë më të rëndë me 21 janar 2011, ku humbën jetën 4 shtetas në protestë.
Edhe pse me zë e figurë e dokumentuar, afera ndoshta më e vertetuar e korrupsionit në sytë e shqiptarëve, u mbyll me një vendim 5- 0 të Gjykatës së Lartë, e cila e shpalli të pafajshëm zëvendëskryeministrin e kohës pasi regjistrimi ishte i manipuluar. Diçka më shumë se dy vite nga kjo aferë, pas një marrëveshje të 1 prill 2013 në Shkodër, Ilir Meta do të rikthehej më i fuqishëm, këtë herë si numri 2 i shtetit, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Një tabloid austriak, jo pak i njohur, i lexuar e i shpërndarë në të gjitha versionet e tij, rikthen përsëri në vemendje “mallkimin” që e ndjek pas Ilir Metën, shifrën “700 mijë”. Këtë herë, presidenti në detyrë i Shqipërisë, akuzohet se kur ishte kryetar Kuvendi, pagoi 700 mijë euro për një foto me presidentin Trump gjatë inagurimit të tij si president në SHBA. Ilir Meta, pak javë nga fundi i mandatit presidencial, futet përsëri në “syrin e ciklonit”.
Duket e vështirë të besohet se një tabloid i njohur austriak, ti lejojë vetes të publikojë lajme për presidentin e një vendi antar të NATO-s pa patur asnjë provë mbi atë që shpërndajnë. Është në kufijtë e të pamundurës që një media austriake të publikojë një rrëfim- denoncim të një individi që nuk e bind me asnjë indicie të paktën për vertetësinë. Por nga ana tjetër, shprehja “çdo gjë/kush ka një çmim”, nuk është shprehje shqiptare.
Deri në këto momente, dy janë pistat e mundshme të “rrjedhjes” së informacionit nga një “njeri i afërt i Metës” që tani i rrezikohet jeta në Shqipëri dhe kërkon azil në Austri. Meta dhe Kryemadhi, kanë aluduar për “hakmarrje” nga përfituesit e miliona eurove të aferës së inceneratorëve. Nga ana tjetër, disa media aludojnë se në mes është i vetmi i burgosur akoma për aferën CEZ- DIA, ku bashkëshortja dhe djali ndjehen në kercenuar me jetë.
Një gjë është e sigurtë. Perdorimi i hamendësuar i një media të mirënjohur si tabloidi austriak, nuk mund të bëhet pa vendosjen “në lojë” të shumave marramendëse të eurove. Ilir Meta ka njoftuar padi në gjykatë, tabloidi është i detyruar të japë detaje e shpjegime për “denoncuesin misterioz” të presidentit të Shqipërisë. Në të kundërt, tabloidi është i detyruar të paguajë shuma të kripura parash si dëmshpërblim për Metën, i cili është kryetar i një shteti aspirant për antar i BE- së. /Nga Blerti DELIJA/