Lulzim Basha po përdor manovrën e fundit për të vijuar qendrimin në krye të PD- së. Humbja katastrofike e zgjedhjeve të pjesshme vednore të 6 marsit në gjashtë bashkitë e vendit, sollën atë që mund të konsiderohet ndërgjegjësim i pjesës më të përzgjedhur të kësaj force politike, deputetët e dalë nga 25 prill 2021.
Pak orë pas zgjedhjeve dhe zyrtarizimit të rezultateve paraprake nga KQZ, ka nisur në selinë blu një reaksion zinxhir. Mbështetësit më të flaktë të Lulzim Bashës, i kërkojnë tashmë dorëheqjen. Në disa raste, për të ruajtur konjukturën, i kërkojnë të largohet duke i kërkuar ti sugjerojë edhe Berishës largimin.
Kërkesa e fundit, ajo e largimit të Berishës, edhe vetë deputetët e kuptojnë se është e palogjikshme. Ish- kryeministri ia doli ta nxjerrë Bashën të tretin, duke kaluar edhe provën e votës qytetare pas asaj në strukturat demokrate, ku qartas vulëmbajtësi i PD- së ka dalë i humbur prej javësh.
Në këto kushte, Bashës i ka mbetur vetëm një manovër për të tentuar të mbesë në krye të PD- së zyrtare, e tkurrur si parti me “një furgon elektorat”. Lëvizja e fundit, me regjinë e Zyrës së Shtypit, është kundërvënia me deklarata e kryetarëve vendorë, shumica të emëruar, kundrejt deputetëve.
Rasti më flagrant është ai i Grida Dumës, një nga mbrojtëset më të zjarrta të Bashës, e cila edhe për këtë arsye, ka dhënë dorëheqjen si nënkryetare e PD- së. Më heret, edhe Gjekmarkaj si nënkryetar, ka dhënë dorëheqjen. Aktualisht, në krah të Bashës kanë mbetur vetëm Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi.
Lulzim Basha po futet kështu në një cikël dëshpërimi, fundi i të cilit nuk është aspak i qartë. Deklarata të tipit “nuk kam humbur asnjëherë”, tregojnë se ai nuk ka ndëmend të largohet apo të futet në garë, përballë Berishës apo çdokujt tjetër. Ai është i gatshëm të tkurrë PD- në edhe në një partiçkë të vogël, vetëm të mbetet, edhe i vetëm, në krye të saj me një vulë, një seli edhe pse pa antarë.
E vetmja zgjidhje, për të penguar këtë rrokullimë ndoshta pa kthim për fatet e PD- së dhe opozitës në Shqipëri, është ndërhyrja e gjykatave. Është emergjencë për demokracinë në vend që Gjykata e Tiranës, të shqyrtojë dhe të shprehet me vendim për dy dosjet e depozituara nga dy palët në konflikt në PD. Në kushtet aktuale, vetëm juridikisht mund të bindet të ikë Basha, me shumë gjasë, edhe në këtë rast, përmes Përmbarimit Gjyqësor.
Nëse situata vazhdon të zvarritet, nuk është në lojë vetëm fati i një individi si Lulzim Basha, as edhe i një subjekti si Partia Demokratike por i sistemit të ngritur pas 1990- ës dhe që rrezikon çakordimin total dhe të pariparueshëm për shumë kohë. Përveç Edi Ramës, tashmë kjo duket se i intereson vetëm Lulzim Bashës. Demokratët e shqiptarët e kanë kuptuar, është koha ta kuptojë edhe sistemi i drejtësisë. /Nga Blerti DELIJA/