Luizi nuk duhet të fitojë! Nuk është e vështirë të kuptohet kjo qasje gati- gati publike e produksionit të BigBrother Vip Albania 2. Pas daljes së Kiarës të shtunën, Luizi është shenjestruar si me urdhër nga të gjithë banorët e shtëpisë. Kjo mund të perceptohet në emër të lojës, deri diku edhe të justifikohet. Por jo nga goja e opinionistëve Zhaklinë Lekatari dhe Arbër Hajdari.
Çdo deklaratë e Luizit, anatemohet, zbërthehet sipas interesit në dëm të shkodranit, aludohet e interpretohet. Ndërsa Luizi ka vlerësuar me superlativa bukurinë e fizikun e Jorit, edhe kur kjo e konsideron si normale deri në autoironi, Zhaklina e konsideron seksizëm. Madje, në gojën e tij vendoset edhe fjala “e përdalë”, që sipas Lekatarit, Luizi e paska aluduar me shprehjet e tij për vajzat pjesëmarrëse në “Përputhen”.
Madje, edhe kur Luizi jep thjesht një opinion se “nuk do të doja që motra ime të bëhej pjesë e “Përputhen””, sulmohet në sinkron nga opinionistët, të cilët ndihmohen edhe nga Arbana. Pra, Luizi tashmë nuk ka të drejtë as të japë opinione, qofshin ato edhe të gabuara. Zhaku madje shkon edhe më tej, duke i thënë Luizit se është rritur në një ambjent seksist, edhe pse shkodrani i kujton motrën dhe tre mbesat e tij. Sigurisht, ajo ka në mendje Shkodrën, dhe përdor Luizin për ta anatemuar.
Edhe më budallai e kupton se tashmë, kur 2 javë kanë metur nga kurorëzimi i fituesit, produksioni ka marrë vendim: Luizi nuk duhet të fitojë BigBrother Vip Albania 2. I mbyllet goja në studio edhe Kiarës, e cila gjithçka e quan me të drejtë lojë të Luizit e për këtë quhet genjeshtare. Edhe kur thotë se BBVip nuk është e njëjtë me “Përputhen”: Tek kjo e fundit vajzat shkojnë për të gjetur partnerë, ndërsa tek e para, mund edhe të dashurohen, siç i nodhi vetë Kiarës.
Nga “luan”, produksioni po përpiqet me të gjitha mënyrat ti vendosë Luizit në fytyrë imazhin e hienës. Edhe pse me lojën e tij krijoi dhe mbajti në këmbë spektaklin, edhe pse krijoi një audiencë të çmendur në rendin e miliarda klikimeve, edhe pse solli miliona euro përmes sponsorëve, Luizi nuk duhet të fitojë BBVip. Prandaj, opinionistë, banorë e moderatorë, po ndërmarrin një sulm të pandalshëm kundër Luizit, madje në periudhën më të qetë të tij në BBVip.
Sepse Luizi tashmë nuk nevojitet më. Spektakli po mbaron, milionat janë arkëtuar, fitues duhet të jetë dikush tjetër. Ndoshta një femër, gocë apo vajzë, siç duan ta përcaktojnë nga produksioni për të mos hyrë në seksizëm. Luizi është aty ku është nga 24 dhjetori 2022 për shkak të mbështetjes së publikut. A do ta respektojë deri në fund verdiktin e publikut produksioni i BBVip? Të presim e të shohim por ka dyshime….! /ShkodraWeb/