Orët e fundit një debat është hapur mbi gjimnazin “Jordan Misja” të Shkodrës. Në fokus është e kaluara e tij, ndoshta deri në kapërcyell të viteve ’90 dhe e sotmja, mbase duke nisur nga viti i vështirë 1997 që ndryshoi shumëçka në përditshmërinë tonë.
Unë jam “jordans”, kam përfunduar maturën në verën e 1991- it. Mund të konsiderohem pjesë e brezit të tranzicionit të vështirë, kurrrë të mbaruar, nga sistemi monopartiak tek ai shumëpartiak. E them me bindje dhe me gojën plot, kemi qenë rivali më i denjë i gjimnazit “29 Nëntori”, sot “28 Nëntori”. Madje, në shumë drejtime, kemi qenë edhe më lart ndaj asaj shkolle të mesme të përgjithshme siç quhej asokohe, e cila përmblidhte në vetvete fëmijët e më të rëndësishmëve të qytetit, autoriteteve apo “vip”- ëve.
Mund të them shumë për 4 vitet e maturës time, sidomos paraleles “C” ku isha pjesë. Trupa pegadogjike, ishte e standardeve më të larta. Nuk po përmend emra mësuesish dhe drejtuesish sepse me shumë mundësi, vitet e kaluara mund të mos lejojnë mendjen time të riprodhojë të gjithë ata, thuajse të gjithë, që e meritojnë të kujtohen sot e nesër. Mësuesit ishin shumë kërkues por edhe tolerues. Pranonin që një nxënës shumë i mirë, të “kapej” edhe jo i përgatitur si duhet. Rrethet jashtë shkollore funksiononin në mënyrë të përkryer, mësues e nxënës që ishin pjesë, nuk përtonin asnjëherë të ishin pjesë.
Përveç mësimit, sporti por edhe daljet jashtë shkolle në tipin e praktikave mësimore por edhe vetëorganizimeve të nxënësve e mësuesve, ishin një tjetër tipar. Rreth manjetofonëve mblidheshin shumë të rinj, në shtëpi me dritare të mbyllura ma batanije e në disa raste, edhe në ambjentet e shkollës, por jashtë orarit të mësimit. Mbrëmjet e vallëzimit, me orkestra të rinjsh të qytetit, organizoheshin mjaft shpesh, sidomos të shtunave pas mësimit.
Në kujtesën time, kjo shkollë ka një lidhje të veçantë edhe me ndryshimet politike- sociale të kapërcyellit të vitit ’90. 13 Dhjetori 1990, shënoi lëvizjen e parë antikomuniste, e cila preku direkt shkollën “Jordan Misja”. Protestuesit erdhën në dritaret e katit të parë dhe tentuan të bashkojnë nxënësit për të vijuar drejt “Dugajëve të reja”. Në klasën time, paralelen “C”, erdhi programi minimal i PD- së së sapokrijuar kur nuk e kishte mësuar pjesa më e madhe e shqiptarëve. Disa shokë të klasës por edhe të klasave të tjera, u denoncuar si “armiq të popullit t partisë”, pasi tentuan të arratiseshin. Për të ardhur tek 2 Prill 1991. Gjimnazi “Jordan Misja” ishte shkëndija e gjithë asaj që pasoi, me një ngjarje shumë të rëndësishme për fatet e Shqipërisë por edhe tragjike për 4 jetët e humbura dhe dhjetra të plagosurve.
Rrugëtimi im më bëri të shkëputem nga vijueshmëria e shkollës time. Megjithatë, jo plotësisht për shkak të vendbanimit, jo shumë larg kësaj shkolle e informacionit që merrja nga nxënës të “Jordan Misja”. Sigurisht, standardi kishte nisur të lëkundej, si në të gjitha shkollat e tjera, në sistemin universitar dhe sistemin arsimor. Ishte një shkundje e kuptueshme, e cila duke ardhur në emër të lirisë, si efekte anësore solli edhe goditjen e vlerave të konsoliduara në gjimnazin “Jordan Misja”. Viti 1997, i dha edhe një goditje më të fortë, siç i dha të gjithë Shqipërisë, e pasojat e të cilit vijojnë edhe sot.
Shpesh herë më ka rastisur të vizitoja këtë shkollë. Nxitoja të ngjitesha në katin e tretë, për të gjetur kabinetin e vizatimit teknik, klasa ime e kujdestarisë me mësuese Hatijen. Sigurisht, nuk ishte siç e kujtoja. Nga viti në vit, ngjante më e shëmtuar, më pak e mirëmbajtur. Sigurisht, gjeja përherë e më pak mësues të mijtë, mosha bënte punën e vet dhe stafeta kalonte nga një brez në tjetrin. Faza e parë e rikonstruksionit të shkollës para disa viteve, ishte një lajm i mirë, edhe pse do të përfshinte vetëm pjesën e përparme. Në pjesën e pasme, hapësira sportive zvogëlohej vazhdimisht, ndërsa palestra shënoi nxjerrjen thuajse totalisht jashtë loje të saj, bashkë me ndërtimin e një shkolle. Në bisedë me drejtues në vite por edhe nxënës, konstatoje vështirësinë e administrimit, për shkak edhe të elementëve të vështirë, të cilët ishin pakicë por që kërkonin të imponoheshin. Me shumë përpjekje, sidomos pas vitit 2010 (në kujtesën time) situata nisin të përmirësohej ndjeshëm, me tentativën e përhershme të rikthimit tek tradita e jashtëzakonshme.
Sot, gjimnazi “Jordan Misja”, është rikthyer në garën “e përjetshme” me gjimnazin “28 Nëntori”. Tregues janë rezultatet por edhe aktivitetet shkollore e jashtë shkollore që organizohen, çmimet dhe vlerësimet në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar. Rikonstruksioni i plotë, ka krijuar kushte optimale për nxënës e mësues. Salla e Rinisë, e cila nisi ngritjen në “kohën tonë”, edhe me punën tonë manuale- fizike, po kthehet përherë e më shpesh në fokus të qytetit, me takime e aktivitete. Trupa pedagogjike, një pjesë e të cilëve i njoh nga afër dhe janë shumë më tepër se vetëm mësimdhënës, tregon përkushtim në rritje.
Nuk do të kisha dashur që pikërisht në këtë moment kur “Jordan Misja” po jep shenja të dukshme ringritje konsoliduese dhe konkurrence, të bëhej pjesë e një debati publik. Aq më shumë kur numri i nxënësve në arsimin e mesëm, po tkurret vazhdimisht. Dashje pa dashje, mund të ndikojë edhe në uljen e numrit të nxënësve në këtë shkollë. Jam i bindur se debati sjell vetëm vlera por në disa raste, është mirë të ezaurohet në mjedise të ngushta, profesionale. Jo çdo gjë që del në publik, debati mbi të, sjell fryte pozitive. Arsimi është një çeshtje me rëndësi kombëtare, nuk lidhet me emra të përveçëm por me brezat dhe të ardhmen e kombit. /Nga Blerti DELIJA/