Lexova diku në rrjetet sociale se mbrojtësi i Kombëtares shqiptare Elseid Hysaj është detyruar të mbyllë rrjetet sociale për t’ iu shmangur sulmeve të pakuptimta që e fajësojnë për golin e dytë në ndeshjen me Italinë, për ata që e kanë harruar, kampione në fuqi e Europës për futboll. Që në krye të herës, është e turpshme dhe e rrezikshme! Njerëz me mendje të dobët, mund të frymëzohen për akte ekstreme ndaj futbollistit, ku fatkeqësisht, historia e futbollit na tregon se ka patur.
Sigurisht, jemi komb ku çdonjëri nga ne, është trajner por edhe specialist futbolli më i mirë se trajneri më i madh i të gjitha kohërave. Po ashtu, spikasim edhe për tërheqjen e mbështetjes, edhe ndaj Kombëtares, kur ajo është në momente të vështira. Fatkeqësisht, këtë e demonstruam në stadiumin simbol të botës për mbështetjen e pakushtëzuar që i jep ekipit, edhe kur humbet, duke qenë plot e përplot me ngjyrat verdh e zi, Signal Iduna Park të Dortmundit.
Mbrëmja e 15 qershor ishte magjike, fantastike, teksa ndoshta 50 mijë tifozë erdhën nga të gjitha anët e globit për të mbështetur Kombëtaren përballë Italisë. Sigurisht, edhe për shkak se Italia ishte kampione në fuqi e Europës por edhe një nga ekipet me historinë më të lavdishme në futbollin botëror e me numrat më të mëdhenj të shqiptarëve mbështetës në mes shqiptarëve. Sigurisht, ishin “lojtari i 12- të” i ekipit por edhe nëse do të ishin 500 mijë në stadium, nu do të garantohej fitorja.
Pakkush nga shqiptarët, edhe tifozët italianë me vite, mendonin rezultat tjetër përveç fitores. Kjo për shkak të shumë arsyeve por kryesisht mbidozës së vlerësimit pa shumë logjikë. Harrojmë se në historinë e futbollit shqiptar që daton zyrtarisht nga 1930, ishte hera e dytë që Shqipëria merrte pjesë në një kompeticion të tillë. Çfarë duhet ti bënin në vite holandezët kombëtares së tyre, e cila një herë të vetme arriti të fitojë titullin kampion Europe, ndërsa është edhe sot fidanishte e talenteve botërore, “shtëpi” e gjigandëve si Krujf, Van Basten, Gullit etj.?!
Natyrisht, nuk ka qenë aspak e lehtë që mbi 50 mijë shqiptarë të ishin në Dortmund. Ka shpenzime të shumta, humbje kohe, në fund edhe mërzitje pas humbjes me Italinë. Por po humbim me Italinë, ku pjesa dërrmuese e Kombëtares aktuale, mësuan të luajnë futboll modern, të ngjiten në nivelet më të larta europiane e botërore. Të ndjekësh Kombëtaren tënde, nuk është e njëjtë me “thirrjen nën armë” për të mbrojtur Shqipërinë, për ta çliruar atë apo Kosovën nga pushtimi.
Mos harroni më të rëndësishmen, futbolli është një lojë. Mbetet e tillë edhe pas ndjeshmërive të larta të shumë tifozëve pas humbjeve apo fitoreve. Strakosha, Asllani apo Hysaj, luajnë në kampionatin italian me lojtarë të Kombëtares së Italisë. Sigurisht do të takohen, flasin por edhe buzëqeshin me njëri- tjetrin, mund edhe të ngacmohen dhe të hedhin batuta. Nuk besojmë se ka ndonjë budalla që mendon që pas ndeshjes, futbollistët shqiptarë të mos u flasin kolegëve italianë në Seria A, aq më keq të nisin e të zihen me grushte për një ndeshje futbolli, “betejë” që përfundon pas 90 minutave për të nisur një tjetër.
Si në çdo gjë tjetër, edhe për të mësuar të jemi tifozë normalë, “modernë”, duhet pak kohë. Edhe pse është e çuditshme sepse pjesa më e madhe e atyre që mbështesin në transferta Kombëtaren tonë, vijnë nga vende që na kanë mësuar edhe si të flasim me kulturë, si të sillemi, vishemi, hamë e deri sjellja në familje. Kombëtarja është dhe duhet të jetë gjithmonë krenari, për shumë arsye. Kryesorja është se të gjithë këto djem apo të tjerë para tyre, mund të kishin mbrojtur me talentin e tyre ngjyrat e shumë vendeve, edhe të Italisë mbase. Por zgjodhën një komb të vogël, i njohur për mbi dozë krenarie edhe si nacionalistë. Kombëtarja dashurohet pa kushte, duke nisur me rezultatet që arrin dhe që kuqezinjve këto 10 vitet e fundit, nuk po i mungojnë. Si në çdo gjë, edhe Kombëtarja ka nevojë të akumulojë eksperiencë, siç edhe vetë shqiptarët në perëndim. Nuk besojmë se ndonjëri ka marrë nënshtetësinë e vendit ku jeton, pa kaluar periudha e përcaktuar me ligjin e atij shteti. /Shënim i ShkodraWeb/