Dita e fundit e këtij parlameni ishte dje. Ndoshta edhe për shkak të lamtumirës së Gramoz Ruçit, vëmendja mediatike ishte më e madhe, madje edhe me një koktejl ku nuk munguan foto e video. Asnjëherë më shumë se dje në këto 30 vite, ajo festë ka vlejtur çdo qindarkë që është shpenzuar për të nga lekët e taksapaguesve shqiptarë. Sigurisht, ndoshta në mënyrë të pamerituar, ka përfituar edhe një ish- ministër i brendshëm i fundit i diktaturës, deri në shtator numri 2 i shtetit, si Gramoz Ruçi. Komentet e opinionet janë të shumta e nuk kam ndërmend të ndalem as tek mëkatet e as tek meritat që dikush, me apo pa të drejtë iamvesh këtij personazhi, në rastin më të mirë, kontrovers.
Ka vlejtur kjo “festë” si çlirim nga monstra njerëzore që jo për fajin tonë, vendosën për gati 2 vite e gjysmë për fatet tona në atë sallë që teorikisht duhet të jetë “tempull i demokracisë”. Nuk ia vlen të flasësh për nivel intelektualo- profesional përfaqësimi por as njerëzor sepse për moral politik as që mund të diskutohet. Ky palo parlament që po mbyllet, do të mbetet gjatë si njollë e zezë në historinë e parlamentarizimit shqiptar, të paktën nga Kongresi i Lushnjes e këtej. Personazhet, batutat e tyre qesharake, artikulimi i mangët dhe shumë nën nivelin mesatar të shoqërisë shqiptare, do të mbeten gjatë në memorien e këtij vendi. Sipas gjasave, edhe kur të mos jenë më fizikisht shumë prej tyre.
Një parlament gjysmak, i cili nuk arriti as të plotësohej me 140 individë sa kërkon Kushtetuta, me pensionistë që i gëzoheshin përfitimit të 700 mijë lekëve në muaj si pagesë kalimtare kur të mbyllnin mandatin, me të mangët mendërisht që sot lavdëronin kryeministrin e nesër e shpallnin “armik”, me shqiptarë që nga foltorja nuk flisnin as shqipen e nënës, me kufoma që ngrinin e ulnin duar pa i ditur pasojat e veprimit të tyre, me budallenj publikë në kuptimin e parë të kësaj fjale, duhet festuar vertetë për zhdukjen e tyre. Nuk do të ishte aspak çudi që ashtu siç festohen fitoret e ekipeve të futbollit, të kishte mijëra shqiptarë rrugëve të Shqipërisë.
Ky parlament që nisi si komik, vazhdoi si tragjik e u mbyll si tragji- komik pa e ditur nëse duhet të qajmë apo të qeshim, është shëmbëlltyra më e keqe e ecejakes 30 vjeçare të këtij vendi. Por fatmirësisht, nxorri lakuriq në sytë e gjithë shqiptarëve edhe ata që jo radhë herë gabimisht i kemi përbledhur në togfjalëshin “baballarë të kombit”. Sigurisht, nëse ka dëshirë, ka vend edhe për “mësime”, duke nisur nga “mbushja e listave” të kandidatëve për deputetë pa hesap e për të përfunduar tek rregulli, detyrimi që mbase duhet vendosur për të parandaluar futjen e defiçentëve si përfaqësues të popullit.
E teksa ky Kuvend theu qafën me turpin më të madh të historisë së këtij kombi, ne do të vazhdojmë të paguajmë për ish- deputetët. Jo vetëm dhe thjesht pagesën kalimtare për 2 apo 3 vite. Do të duhet të paguajmë për paratë nën dorë për vota absurde e të çuditshme që shumë syresh dhanë në këmbim të parave apo bonuseve të ndryshme. Të gjitha nga taksat tona, nga xhepat tanë dhe kush e disa për sa vite. Sepse nuk do shumë mend për të deshifruar votimet unanime për vendime që edhe një 6 vjeçar e kupton se janë kundër interesit të çdokujt, edhe të vetë “deputetëve”. E janë këta të fundit që edhe në këto orë, shprehin “pendesën” publike.
“Çdo popull meriton qeverinë që ka” por sigurisht që nuk e merituam këtë turp- parlament që fatmirësisht dje theu qafën. Nuk është vetëm përgjegjësia e atyre që i futën në lista, as edhe e vetë deficentëve që morën përsipër të gradohen si “përfaqësues të popullit”. Jo pak faj kanë edhe ata që i përdorën, i shfrytëzuan për interesa të ngushta, të momentit por me pasoja që akoma nuk kemi nisur ti vuajmë siç duhet.
Kjo amalgamë e qujtuar padrejtësisht për 2 vite e gjysëm si Parlamenti i Shqipërisë, ka krijuar, formuar e ripërtërirë mjaft institucione. Në kurriz mosfunksionimin apo funksionimin e njëanshëm, do ta vuajmë ne, që për ironi të fatit paguajmë për të në udhëhequr një tufë budallenjsh e të paaftësh. Shpresojmë që “vala” e krijuar nga ky qenef- parlament, të mos shtyhet edhe përtej nesh. Do të ishte fatkeqësi kombëtare! /Nga Blerti DELIJA/