Nuk ka asgjë të keqe që një individ, të synojë me të gjitha mjetet, format e metodat legale, të bëhet pjesë e vendimmarrjeve të rëndësishme në nivel lokal apo kombëtar. Veçanërisht, pas një eksperiencë të gjatë profesionale apo jetësore, duke dalë nga muret e privates drejt asaj që në këtë vend, konsiderohet publike.
Sigurisht, nuk është e lehtë dhe natyrisht, ka nevojë për mjete. Të parat dhe më të rëndësishmet në pjesën e dukshme, janë mjetet e komunikimit. fatmirësisht, prej shumë e shumë vitesh tashmë, rrjetet sociale ia ofrojnë çdokujt, pa pagesë dhe pa kontroll- censurë etike, çdo frymori, në çdo cep të globit ku gjallojnë njerëz.
Shkalla e penetrimit në rrjete sociale, është e ndryshme nga individi në individ apo nga grupimi në grupim. Në jo pak raste, mediat sociale, përmes kakofonisë, sjellin edhe efektin e kundërt, “boomerang”. Në vend të rritjes së audiencave, krijojnë tkurrje, largim të lexues/dëgjues/komentuesve, deri në tallje të hapur apo mes rreshtave.
Në këto kushte, kërkohen “aleatë”, audienca të gatshme që në pjesën më të madhe të rasteve, janë portalet apo mediat online. Në fakt, të gjitha mediat, e mësha apo të vogla, të vjetra apo të reja, i janë drejtuar tregut online, përmes rrjeteve të shumta sociale që shtohen ditë për ditë. E kështu, synohet rritja e penetrimit për të arritur në audienca sa më të gjëra, përtej “mureve” individuale të rrjeteve sociale.
Të gjthë e dimë postulatin e Umberto Eco për rrjetet sociale por jo gjithmonë vlen për çdo publikim, qoftë edhe në kufijtë e kakofonisë. Nga ana tjetër, sado mjeshtër i tekstit të jesh, sado eksperiencë të kesh akumuluar, nuk mund të shkruash çdo herë “perla”, nuk mund të ngresh përherë probleme “të mprehta”, sociale, ekonomike apo politike.
Ndarja në mes interesit të vertetë publik dhe përmbushjes së interesave personale kryesisht në funksion të interesave individuale, nuk është gjithmonë e lehtë. Në të shumtën e rasteve, “problemet” që ngrihen ngjallin ndjeshmëri, minimalisht në një drejtim, të orientuar kryesisht politikisht. Këtë dallim ka detyrim ta bëjë çdo hapësirë mediatike, e vogël apo e madhe, nëse synon jetëgjatësinë në “treg”. Në mes pasqyrim/informimit në interes publik dhe propagandës në interes individual, ndarja duhet të jetë e qartë.
Çdokush që merr përsipër të shkruajë publikisht, i duket se thotë vetëm gjëra të vlefshme, të mençura. Sidomos kur ky proces është në funksion të një qëllimi të caktuar, për ti rënë në sy dikujt/disave apo në funksion të karrierës, kryesisht në politikë. E nëse një media, e re ose e vjetër, online apo onair futet në këtë linjë, kthehet automatikisht në megafon të interesave personale. Me kosto, në afatshkurtër apo afatgjatë. Zgjedhja është në dorën e çdo media… /Shënim i ShkodraWeb/