Në Perëndimin e egër, atëherë kur Amerika ishte në hapat e parë të saj, duket se u shpik një fabul, autorësia e të cilës sot vështirë të përcaktohet.
Ishte dimër dhe një zog i vogël, i rënë nga pema, kishte mbetur në mes të rrugës. Ai dridhej nga të ftohtët dhe nuk gjente prehje. Aty pranë kalon një lopë, e cila e shikon dhe i dhimbset zogu i braktisur. E vetmja ndihmë që mund ti jepte, ishte i falte pak ngrohtësi. Zgjidhja e vetme, ishte ti lëshonte një bagël. E hodhi me kujdes mbi zogun, i cili filloi të ndjejë ngrohtësinë që i mungonte.
Nuk kalojnë shumë minuta dhe andej kaloi një kojote, një kafshe grabitqare mishngrënëse. E shikon zogun e vogël të zhytur në jashtëqitjen e lopës. Me shumë kujdes, e nxjerr nga aty dhe pasi e pastron…dhe e kollofit zogun e vogël.
Këto ditë, ka nisur një debat publik, deri tani në rrjete sociale, lidhur me një statujë të Gjergj Kastriot- Skenderbeut, vendosur në Prizren. Perceptimi i parë është vertetë pozitiv. Heroi ynë kombëtar, i vetmi i pakontestuar në asnjë periudhë të shtetdrejtimit, vendoset në një nga qytetet më të rëndësishme siç është Prizreni, qyteti i Lihjes Shqiptare që u pagëzua me emrin e tij.
Imazhi që ne kemi krijuar deri tani për Heroin tonë, është ai i plazmuar në monumentin e vendosur në Tiranë apo në Krujë. Përtej përmasave reale, Gjergji vazhdon të përceptohet si shpatullgjërë, shtatlartë, me fuqi gati të mbinatyrshme. Me shpatën e tij, ai çan malet, shpatë që me vështirësi e mbajnë dy persona. Të paktën, ky ishte imazhi që kemi krijuar përmes asaj që na është servirur përmes letërsisë apo librave të shkollës. Edhe përmes një filmi, tashmë legjendar, kushtuar Heroit tonë.
Të gjithë patëm mundësi të kundrojmë armët e Heroit tonë në përvjetorin e 100- të të Pavarësisë sonë në 2012- ën. Të ruajtura me fanatizëm në Vjenë, patëm mundësinë ti shohim me sytë tanë armët e Gjergjit. Në fakt, njërën prej tyre sepse Skenderbeu nuk ka asnjë mundësi të ketë vetëm një shpatë në 25 vjet rezistencë ndaj Perandorisë Osmane në mesjetë.
Gjergj Kastrioti- Skenderbeu, është figura më përfaqësuese e unifikuese e shqiptarëve kudo në botë. Historia, të paktën një variant i saj, tregon se edhe eshtrat iu morën si hajmali nga vetë ushtarët osmanë. Kështu që, me shumë mundësi, nuk kemi një vendvarrim të vetëm për Heroin tonë. Sipas gjasave, ai është shpërndarë kudo ku mund të kenë lëvizur ushtarët që morën pjesë nga eshtrat e tij si hajmali.
Sot, në vitin 2020, kur përgatitemi të bëhemi pjesë e Europës së Bashkuar, Gjergj Kastrioti që u pagëzua nga sulltani si Skenderbe, është një nga krenaritë por edhe urat më solide me kontitentin plak. Figura e tij, qoftë edhe në një skulpturë apo memorial, nuk duhet të jetë e ndryshme në vende apo shtete të ndryshme. Imazhi i tij, nuk duhet të lihet në dorën e fantazisë së një piktori apo skulptori. Ndoshta është e tepruar, por një figurë si Skenderbeu, duhet të tutelohet përmes rregullave të qarta, ndoshta edhe përmes një ligji.
Çdokush ka të drejtë ta përfytyrojë Heroin me mendjen e fantazinë e tij. Dikush burrë dymetrosh, dikush 150 cm apo 168 cm të gjatë. Dikush mund ta shohë me hundëshkabë, një tjetër me hundë të shtypur e dikush edhe me botox. Dikush mund ta shohë aq shpatullgjërë sa nuk e zë as dera, dikush tjetër me bark të madh e kështu me rradhë.
Por kurrsesi Heroi znë kombëtar, i pakontestuar nga askush deri më sot, nga institucionet apo edhe në vende publike, nuk duhet lejuar të prezantohet ndryshe nga imazhi i konsoliduar, edhe zyrtar, siç është ai i Skenderbeut në Tiranë apo Krujë.
Memoriali i Skenderbeut në Tiranë me autor Odhise Paskali dhe ai në Krujë me autor Janaq Paço, kanë një ngjashmëri të admirueshme, pavarësisht se me dy autorë të ndryshëm dhe në kohë të ndryshme. Në vitin 2001, në Prishtinë u vendos një memorial i Heroit dhe u zgjodh varianti i Paços. Edhe në Shkup, ku u vendos në 2006- ën, është gati identikisht i njëjti i mazh, edhe pse autori është Thoma Thomai. Përgjithësisht, njëri nga dy imazhet, i Paços apo Paskalit, ka udhëhequr dorën dhe mendjen edhe të artistëve të tjerë që kanë vendosur bustet e Gjergjit në vende të ndryshme të botës.
Në fund të shtatorit 2001, në sheshin para Bashkisë së Shkodrës, u zbulua memoriali kushtuar At Gjergj Fishtës, babait të letersisë shqiptare. Qindra njerëz të pranishëm, mes tyre edhe autoritete fetare, mbetën të shushatur kur përballë u shfaqën disa pllaka mermeri, të vendosura njëra mbi tjetrën. Sepse edhe Gjergj Fishtën, të cilin komunistët e lanë pa varr duke ia hedhur eshtrat në Drin, duhet të jetë me fytyrë dhe jo me pllaka që “personifikojnë veprën e tij”, siç u tha.
Ndoshta është momenti që shteti shqiptar, të kërkojë zyrtarisht autorësinë e imazhit publik të figurave të tilla. Sidomos të kalibrit të Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës etj. Mbase me një koordinim me shtete ku faktori shqiptar është i rëndësishëm si Maqedonia, Mali i Zi e patjetër Kosova shqiptare. Nëse është e mundur, të bëhet edhe ndonjë regjistrim në nivel ndërkombëtar. Si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi apo edhe të gjithë së bashku.
Kemi nevojë të identifikohemi, duke mbrojtur vlerat tona. Jo vetëm përmes faqeve të librave por edhe plazmimit në memoriale e buste të heronjve e figurave që na bëjnë të ndjehemi krenarë në identitetin tonë shqiptar. /Nga Blerti DELIJA/