Rreth 5 muaj më parë, një gjykatë e Nju Jorkut shpalli fajtor ish- presidentin Donald Trump, për 34 akuza që kanë të bëjnë me falsifikimin e të dhënave të biznesit të tij para zgjedhjeve presidencial të 2016, me qëllim që të fshehë pagesat e bëra për një aktore të pornografisë. Me 11 korrik 2024, gjykata duhej të shpallte vendimin se sa do të dënohej Trump por e dini cila ishte e veçanta? Edhe nëse dënohej, edhe nëse do ishte në burg, Donald Trump mund të kandidonte dhe të fitonte, siç fitoi të martën e parë të këtij nëntori.
Ky është një nga parimet mbase, që i bën Shtetet e Bashkuara të Amerikës lider të pakontestueshëm të globit dhe shoqërisë njerëzore. Parimi është i thjeshtë: Kur flet sovrani- popull me votën e tij, hesht dhe duhet të hesht çdo pushtet, edhe ai gjyqësor pa mundur ta pengojë vullnetin e zgjedhësve. Në rrjetet sociale por edhe në media, u komentua se Trump mund të dënohej deri në 400 vite burg për akuzat, ndërsa sot, ai është njeriu më i fuqishëm i globit.
Tanimë, sfida e radhës e Donald Trump me drejtësinë amerikane, mund të njohë zhvillime interesante. Ai ka në dorë si president, të amnistojë veten nga të gjitha dënimet, akuzat apo proceset gjyqësore. Por me gjasë, nuk do ta bëjë, duke preferuar të përballet me drejtësinë siç ka bërë deri më tani. Sipas kushtetutës dhe ligjeve amerikane, çdo proces apo dënim pezullohet përgjatë mandatit presidencial. Madje, edhe nëse do të ishte në burg, do të lirohej për të marrë mandatin.
Ky rast, ky precedent që ndodh për herë të parë në SHBA, mbase duhet të sjellë reflektim në Europë apo edhe në Shqipëri. Mbi sovranin- popull, mbi vullnetin e tij, nuk mund dhe nuk duhet të dalë askush. Një kandidat për president amerikan i shpallur fajtor nga një gjykatë, sot është zgjedhur në krye të kombit më të madhe e më të fuqishëm të botës.
Sistemi “check& balance” i shpikur në SHBA, për të ruajtuar kontrollin e drejtpeshimin e 3 pushteteve njerëzore, në SHBA i ka lënë një hapësirë të pacënueshme vullnetit të qytetarëve. Nëse ata e duan, e zgjedhin për ti udhëhequr, nuk ka asnjë gjykatë që mund ti kundërvihet vullnetit të tyre. Mbase ky është mësimi më i vlefshëm i këtyre zgjedhjeve aspak normale në nisje për president të SHBA. /Shënim i ShkodraWeb/