Nga Blerti DELIJA
“Nëse janë mbledhur 1/4 e firmave të delegatëve, fillojmë procedurat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar”. E deklaroi në vetë të parë numri 2 i Partisë Demokratike Gazment Bardhi pasi përkrahës të ish- kryeministrit Berisha depozituan 4200 formularë që nënkuptojnë po kaq nënshkrime delegatësh për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. I deklaruar publikisht, me zë dhe figurë, duket se pohimi i hap rrugë zgjidhjes së ngërçit disa mujor në PD. Nga “nuk do të lejoj mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar që merr në shqyrtim vendimet e DASH” tek “Nëse janë mbledhur 1/4 e firmave të delegatëve, fillojmë procedurat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar”, është një përparim i dukshëm i palëve drejt një konvergimi të mundshëm, të paktën parimor.
Bardhi, si jurist, është jo vetëm njohës i mirë i procedurës në jurisprudencë por edhe artikulues i spikatur i saj. Përtej retorikave politike, logjika e Bardhit qendron: Kush e verifikon që janë mbledhur të paktën 1800 firma për thirrjen e Kuvendit Kombëtar? Sepse me këtë logjikë, “futjen e delegatëve në kasafortë” siç deklaroi mbrëmë Bardhi, çdokush mund të pretendojë se ka mbledhur 100% të firmave të delegatëve, duke demonstruar 7600 formularë. Në këtë proces, ku tentohet anashkalimi i strukturave që me statut dhe pe firma kanë të drejtë të thërrasin Kuvendin Kombëtar, ka nevojë ulëritëse për transparencë.
Pala tjetër, e përfaqësuar nga Berisha dhe jo vetëm, kanë një logjikë, edhe ata të bazuar në statut, tek i njëjti statut që i referohet edhe Bardhi. Sipas tyre, vetëm Këshilli Kombëtar, rrjedhimisht edhe kryetari Edi Paloka, janë institucion legjitim në PD. Sekretariatet nuk janë votuar nominalisht, me fshehtësi dhe me alternativa në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Koncepti i Këshillit Kombëtar është deri diku abstrakt dhe në këto rrethana, formularët janë dorëzuar “në ruajtje” tek zyra e kryetarit Edi Paloka. Realisht, Paloka nuk është “mbi palët” që të jetë 100% i besueshëm. Ai, bashkë me Flamur Nokën, ishin të parët që u rreshtuan në krah të Berishës pasi u përjashtua nga GP i PD- së nga Basha. Mosfirmosja e formularit për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar nga ana e tij, mund të jetë një artificë për të ruajtur baraslargësinë nga palët, por sigurisht që është i paragjykuar.
Në rastet e thirrjes së Kuvendit Kombëtar nga 1/4 e delegatëve, statuti i PD- së nuk përcakton procedurën që ndiqet për mbledhjen e depozitimin e firmave. Përsëri këtu mund të ketë interpretime, të cilat sipas këndvështrimit, i japin të drejtë njërës apo tjetrës palë. Ndoshta është momenti që edhe statuti të pasurohet në këtë pikë, proces i cili nuk mund të realizohet pa u mbledhur Kuvendi Kombëtar.
Po si duhej të veprohej me firmat/formularët e mbledhur nga ish- kryeministri Berisha? Teorikisht, ato duhej të protokolloheshin në selinë e PD- së dhe më pas të kalonin në filtrin e verifikimeve të plota apo rastësore nga një organ. Po teorikisht, duhet të ishte kryetari i KQZ- së në PD Jemin Gjana ose sekretari organizativ i PD- së. Këtu rikthehet “rrethi vicioz” sepse tashmë dukshëm, palët kanë mes tyre mungesën e besimit reciprok. Tingëllon paradoksale që zyrtarët e PD- së, Bardhi, Gjana apo sekretarë të tjerë, të shkojnë në zyrën e Palokës dhe të kryejnë verifikimet e firmave të Kuvendit Kombëtar.
Nga ana tjetër, vështirë që Berisha ti besojë administrimin e firma/formularëve strukturave aktuale zyrtare të PD- së. Këto 30 vite kanë treguar se në jo pak raste, firma të ngjashme janë tërhequr. Ka modalitete, të cilat e detyrojnë një delegat të tërheqë firmën e tij. Çfarë modalitetesh? Që nga shpërblimet e premtimet e mundshme. E kështu, mjafton që të jenë 42 ose më pak firma që tërhiqen që i gjithë procesi për mbledhjen e tyre “të bëhet pis”. Sepse kjo betejë në PD po luhet edhe në planin mediatiko- publik dhe duket se palët e kanë të vështirë të gjejnë një kompromis politik në këtë fazë.
Sigurisht, për çdo gjë ka një zgjidhje. Shembulli vjen edhe nga politika shqiptare. PD braktisi Kuvendin duke dorëzuar mandatet në Shkurt 2019. Por me një mekanizëm “deus-ex-machina”, u bë pjesë e reformës zgjedhore dhe kushtetuese, madje me të drejtë vetoje, përmes një komisioni të pastër politik. Kjo, për ti shërbyer një qëllimi më të madh e më të lartë në interes të vendit për sot e për nesër.
Berisha vertetë është ish- kryeministër, ish- president, ish- kryetar PD- je dhe lider historik. Por në finale, ai sot është thjeshtë një delegat i Kuvendit Kombëtar dhe për shkak të posteve që ka mbajtur, edhe antar i Këshillit Kombëtar. Nga ana tjetër, pretendon se ka mbledhur 4200 nga 7600 formularë të mundhsëm për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Pra në këto momente, nisur edhe nga ajo që shihet në “Foltoret” e tij, pretendon se jo vetëm ka aktivizuar mekanizmin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, por ka mbi 50% të mbështetjes. Pak a ashumë, duke bërë një analogji, është sikur Basha të kërkojë mocion mosbesimi për kryeministrin Rama në Kuvend pasi ka siguruar 50%+1 të të gjithë votave të deputetëve.
Edhe këtu, në këtë rast, do të duhej verifikim i vlefshmërisë së nënshkrimeve. Në rastin e Kuvendit, e bën sekretariati përkatës, me përbërje pluripartiake. Ja ku vijmë tek zgjidhja, mjaft e thjeshtë, e shpejtë dhe efikase. Sekretariatit përkatës në PD, që mund apo duhet të verifikojë vlefshmërinë e nënshkrimeve të delegatëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, ti bashkëngjiten edhe përkrahës të “linjës së Berishës”. Krijohet kështu një grup pune, i cili brenda pak orëve jo vetëm bën verifikimet por edhe i hap rrugë zgjidhjes së ngërçit për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.
Por edhe në këtë rast, kërkohet vullnet nga palët, në sherbim të Partisë Demokratike dhe jo interesave individuale. E nëse nuk veprohet kështu, është e qartë se me 11 dhjetor 2021 do të ketë një Kuvend Kombëtar i inicuar nga Berisha, me shumë gjasa do të ketë edhe vendimmarrjet përkatëse. Por në finale, për fatin politiko- organizativ të PD- së nuk do të vendosin më antarët apo delegatët e saj por…një gjykatës në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Aty ku miratohen partitë politike dhe si rregull, depozitohen vendimet e organeve kryesore Kuvend/Kongres pas përfundimit të punimeve. A është kjo që i sherben demokratëve, PD- së dhe Shqipërisë…?