Nuk kanë kaluar as 10 ditë nga 14 maji. Një datë, e cila si zakonisht, evidentoi ndasinë e thellë në mes humbësve e fituesve. Konflikti verbal politik edhe në këto orë, është në nivele shumë të larta. Po flitet për narkoshtet, narkotrafik, blerje e shitje votash, grabitje, banda të armatosura, rrëmbim pushteti, kërcënime. Mbi të gjitha, për demokraci, për të drejtat e qytetarëve, për standarde demokratike.
Nga mëngjesi në darkë, në studio televizive e tavolina lokalesh, nën yshtjen e atyre që i kemi “zgjedhur” dhe i mbështesim me votë tash 32, ne vdekatarët, po capërlohemi me njëri- tjetrin. Por të gjithë, jemi të kënaqur sa më nuk bëhet. Nga 1 prilli, paga minimale në këtë shtet është plot 400 mijë lekë të vjetra. Në dorë apo CASH, nuk mund të marrë askush më pak se 35420 lekë. Gati 1200 lekë në ditë. Jo pak e?!
Kjo shifër vlen për administratën shtetërore apo “fatlumët” që e kanë një qoshe në institucione e struktura shtetërore. Shpresohet që edhe privati “ta vërë dorën në zemër” dhe të tregojë bujari në zbatimin e një VKM- je. Askush nuk mund ta mohojë se standardi ekonomik i shqiptarëve, po rritet me hapa “galopantë”. Po si ka mundësi që “etërit e kombit” po akuzohen mes tyre për blerje votash me një thes miell apo me 5000 lekë?!
Përgjigja, erdhi pak orë më parë. Unanimisht, të majtë e të djathtë, të qendrës apo anëve të saj, blu, të kuq, mavi, rozë, jeshil konverguan se deputetë e ministra, duhet të kenë dyfishim rrogash. Madje, kjo nën habinë e përhershme të 32 viteve të fundit, ku një superministre, e habitur për këtë fakt, pyeti kolegët: Pse edhe rroga marrim ne?!
Rroga bruto e deputetëve e ministrave është në rendin 9- 10 fish të pagës minimale në këtë vend. E meritojnë, sepse lodhen për këtë popull, për këta qytetarë. Nuk i zë gjumi i natës duke menduar si të rrisin mirëqënien ekonomike të nënshtetasve të tyre. Por nuk mjafton me kaq. Përveç rrogës, do të vijojnë të marrin kompensim qiraje, para për naftë, tarifa celulari, para për pjesëmarrje në komisione, dieta etj. E në fund krejt, deputetët e zyrtarët e lartë të shtetit, kur arrijnë moshën e pensionit, marrin shifra marramendëse pikërisht për shkak të pozicioneve që kanë mbajtur.
Në bar- in e një lagjeje kudo në Shkodër, dy vëllezër vazhdojnë të capërlohen mes tyre për 14 majin. Njëri është fans i Berisha- Metës, tjetri i Ramës. Ky fansi i Ramës, i kujton vëllait pikërisht 40000 lekëshin e pagës minimale. Ky përballë, e fajëson për rritjen e orëve të fundit të rrogës së ministra e deputetëve. Kujtohet se e kanë votuar të gjithë bashkë, deputetë të Berisha- Metës dhe të Ramës. Sigurisht, mbetet si m… Problemi që diskutohet është bashkia e Shkodrës, shkaqet që sollën ndryshimin e ngjyrës. E këta dy vëllezër, janë në skemën e ndihmës ekonomike dhe marrin plot 8000 lekë në muaj. Në fakt, jo gjithmonë, një herë më pak, një herë më shumë. Nuk e kuptojnë pse nuk marrin njëlloj.
Me gjasë, deri në 2025- ën e zgjedhjeve të radhës, këta dy vëllezër si mijëra të tjerë në këtë vend, do të ushqejnë shpirtin me politikë, duke ngopur stomakun me ndihmë ekonomike. Ndërkohë në Tiranë, sheikët po mendojnë se në cilën parajsë tokësore të globit, duhet të kalojnë ato pak 30 ditë të pushimeve të paguara. Si rikuperim pas lodhjes së madhe në zgjedhjet e 14 majit.
E pastaj, “të habitur”, pyesim pse shqiptarët e shesin votën…./Nga Blerti DELIJA/