Nga Ramazan ÇEKA
I përhumbur në mendime gjatë këtij regjimi dhe izolimi të detyrueshëm për shkak të infektimit nga Covid 19, kur dita dhe nata nuk bëjnë shumë diferencë e ku kontakti me njerëzit është pothuajse i ndaluar, vendosa që mendimet t’i shpreh përmes këtij shrimi me mirënjohje të thellë për ata njerëz që në rrugë i përshëndesim thjeshtë si gjithë të tjerët, por që në momentet kyçe të jetës nën mantelin e bardhë shndërrohen në engjëj mbrojtës të shëndetit e gardjanë të jetëve tona.
Megjithëse nuk është hera e parë që shkruaj për bluzat e bardha, pasi ndër shkrimet e mia rënditen disa artikuj për kirurgun Dr.Ardian Dajti, aktualisht Drejtor i Spitalit Rajonal të Shkodrës, Dr.Luan Bajrin, anistezist i mrekullueshëm, për kirurgen e parë shqiptare Zyliha Kraja që para pak kohësh e humbi betejen me Covidin, e shumë të tjerë në të cilët veç jetës, punës dhe karrierës kam pasqyruar edhe kontributin e tyre personal në të mirë të shëndetit publik e kryesisht shëndetit komunitar të qytetit të Shkodrës.
Ndryshe nga herët e tjera, ndoshta i ndikuar edhe nga situata me të cilën po përballet mbarë bota dhe shoqëria njerëzore prej gati një viti, peshën e së cilës po e mbaj edhe unë këto ditë, vendosa te shkruaj me zemër, për t’i peshuar gjërat në vleren e tyre maksimale.
Ndaj këtë shkrim ia dedikoj doktoreshës së Sanatariumit të Shkodrës, pneumologes më në zë të qytetit tonë. Emri i saj aktualisht lakohet në çdo familje, tavolinë e bisedë telefonike, sapo bie fjala mbi këtë lëngatë tinzare e të pa besë. Është fjaka për Dr. Lindita Dibra e cila gëzon vlersimin maksimal nga të gjithë pacientët dhe familjarët e tyre e ndoshta ky është vlersimi më i lartë që ata i bëjnë etikës së punës dhe aftësive profesionale që ajo promovon në përditshmërinë e saj.
Ashtu si përherë, i angazhuar pas punëve të përditshme, madje edhe skeptik në të besuar për rrezikun që mbart ky virus, e mora me të lehtë distancimin dhe zbatimin e rregullave mbrojtëse, pasi të jesh i lidhur me artin harron se egziston gjë tjetër veç bukurive të jetës, sepse vetë arti ka vetëm një stinë e kjo gamë e gjërë mrekullish është pranvera e kësaj jete. Ishin orët e fundit të 2020-tës ku në përpjekje për t’i kryer ato pak punë të planifikuara me mediat dhe krejt i pavemendshëm ndaj vetvetes, trupi filloi të jepte sinjalet e para të prezencës së këtij virusi. Sërish i shpërfilla pasi ishte një natë gëzimi e urimet që vërshonin si lumë nga të katër anët e botës, kërkonin vemendje e respekt maksimal. Tryeza e Vitit të Ri ishte shtruar, e megjithëse m’u kujtua ajo batuta “çohu o i vdekur e haje një pulë të pjekur”, në tryezë qëndrova vetëm për hirë të familjes dhe menjëherë pasi u ngrit tryeza u drejtova për në krevat.
Të nesermen dita më zbardhi me trup të këputur, me temperaturë, ethe e tepër i rënduar fizikisht e moralisht. Megjithse u mundova të ndjek ritualin e përditshëm e kisha të pamundur të rezistoj, pasi forcat po me lëshonin e gjendja me doli jashtë kontrollit duke bërë që t’i drejtohem spitalit. Megjithse Shkodra është një qytet i madh, për t’i gjetur njerëzit e rëndësishëm të saj është shumë i vogël, pasi ata i njohin të gjithë, ndaj menjëherë telefonova doktoreshen e Sanatoriumit Dr. Lindita Dibra, e cila veç përgjegjshmërisë së saj profesionale, ka dhunti e aftësi të jashtëzakonshme në komunikim me pacientin aq sa të duket sikur të shëron edhe me fjalë, për çka edhe i jam shumë mirënjohës.
Në pamundësi për të komunikuar me miqt dhe kolegët e mi vendosa të vë një njoftim në fb. të cilin e pushtuan komentet e urimet për rastin dhe unë, në pamundësi t’u përgjigjem personalisht, vendosa të shkruaj një falenderim të përbashkët të shoqëruar edhe me vargje, ku shpjegova edhe gjendjen time të përmirsuar falë mjekimit të Dr. Linditës, korrektësisë së infermierit Melvid Murçaku, dhe saktësisë profesionale e shkencore në analizimin e gjëndjes time kritike nga Dr. Fatoz Rrjolli, i cili me një kujdes të madh dhe me një përkushtim maksimal arriti të neutralizojë në mënyrë të shpejtë gjendjen time, falë edhe Laboratorit Klinik Biokimik ZAMA. Një tjetër falenderim tepër të përzemërt kam edhe për mikun tim të mrekullueshëm nga Vlora, Sejmen Gjokoli, i cili m’u gjet pranë në çdo moment me kujdesin dhe përkushtimin e tij të paçmueshëm, duke u konsultuar me bashkëshorten e tij mjeke të specializuar, më këshillonte çdo ditë me një dashamirësi vllazërore për çka mirënjohja është e pa mjaftueshme.
Më ka lënë shumë përshtypje pozitive se si mjaftuan pak rreshta falenderimi për të ngacmuar komentuesit, të cilët me mesazhet e tyre mbushen të gjitha hapsirat e komunikimit në të cilat lexoje pafund fjalë të mira e vlersime maksimale për Dr. Lindita Dibra e jo vetëm, por edhe për të gjithë ata mjekë e infermierë që janë në vijën e frontit në këtë luftë planetare dhe që sot për të gjithë ne janë bërë heronjt e ditës. Heronj të vërtetë të shëndetit tonë të brishtë, të cilëve përveç mirënjohjes u kemi borxh një përulje të thellë nderimi. Ndaj me të drejtë mund t’i quaj engjëj e heronj që si shmangen rrezikut, por vazhdojnë të mbrojnë jetët tona me jeten e tyre.