Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, janë njohur diku në fillim të viteve 90- 91. Të dy së bashku nisën rrugëtimin në radhët e FRESSH, organizata rinore partnere e PS- së. Diku rreth vitit 1993, ata u afruan më shumë me njëri- tjetrin, duke krijuar një marrëdhënie dashurie e cila në vitin 1998, do të kurorëzohej në martesë zyrtare në Bashkinë e Tiranës, me dëshmitar Erion Braçen dhe ambasadorin zviceran të kohës.
Ata krijuan një familje, paralelisht me karrierën e tyre politike, të cilën e zhvilluan në radhët e PS- së, deri diku rreth prillit 2004 kur Ilir Meta inicioi LSI- në sot, Partia e Lirisë. Ilir Meta ka patur pozicione shumë të rëndësishme, duke arritur deri në president i Republikës, ndërsa Monika Kryemadhi, ka qenë thuajse rregullisht, deputete.
Pjesa e dukshme e marrëdhënies së tyre, ka qenë përgjithësisht një unison. Përjashtim bëjnë vitet e fundit, nga 2017- a kur Ilir Meta u zgjodh president, deri ditën e sotme kur ai paralajmëroi mënjanimin e Monika Kryemadhin nga postet drejtuese të PL- së, në emër të luftës ndaj nepotizmit në partinë që vetë krijoi.
Monika Kryemadhi refuzoi statusin e Zonjës së Parë, duke ia kaluar vajzës së saj për 5 vitet që Meta ishte president. “De facto”, ajo ishte kryetare e LSI- së përgjatë 5 viteve të presidencës së bashkëshortit, për ti hapur krahun sërish atij në vitin 2021, në mbyllje të mandatit presidencial.
Sot, Ilir Meta “harroi” se është partneri i jetës e bashkëshorti i Monika Kryemadhit prej rreth 30 vitesh, duke folur me tone të ashpra, direkt apo indirekt për administrimin e LSI- së nga ajo. Ndërsa ka evidentuar prej disa ditësh një “grup armiqësor” në radhët e LSI- PL- së, duket se Meta ka përfshirë në të edhe bashkëshorten por që duhet ta largojë në emër të nepotizmit nga postet drejtuese të partisë së tij.
Zhvillimet e ditëve të fundit, me thirrjen edhe të nënës së Kryemadhit për të dëshmuar në SPAK, sulmet e hapura të Metës ndaj Dumanit por edhe SHBA- ve që “kanë kërkuar arrestimin e tij”, tregojnë se Ilir Meta por edhe bashkëshortja, nuk janë shumë të qetë. Artikulimi i Metës se “do të jetë kryeministër i vendit” por që mund ti hapë krahun Berishës duke qenë zëvendëskryeministër, tregojnë se kreu i PL- së ka nevojë për një parzmore publike- politike. Pak a shumë, me idenë se po arrestohet kandidati për kryeministër i vendit, teksa ka aluduar edhe vetë se mund të ketë këtë fat në daljen e sotme rreth 2 orëshe.
Nuk është e vështirë të kuptohet se brenda çiftit Meta- Kryemadhi, po kërkohet “ndarja e përgjegjësisë”. Përgjegjësi publike por edhe politike, ku secili duhet të ketë një qasje të caktuar. Mbase për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet, edhe nga pasuria marramendëse që i atribuohet këtij çifti, mund të nevojitet edhe ndonjë “kurban” në aspektin politik por edhe atë publik. Shkurt, nevojitet një “fajtor” nëse SPAK do të veprojë për të shpëtuar PL- në edhe ndonjë gjë tjetër.
Ilir Meta e Monika Kryemadhi, kanë qenë, janë dhe do të jenë në një marrëdhënie si çdo çift tjetër. Pas reth 30 viteve bashkë, asnjëri nuk mund të “lajë duart si Ponc Pilati” nuk kam ditur se çfarë ka bërë tjetri. Kjo vlen për të gjitha aspektet. Nuk mund të pranohet se kur ndan krevatin me një person për tre dekada, të mos kesh informacion edhe për detajet më të imta, publike, private apo edhe politike të tij. Por mesa duket, po e provojnë. Fillimisht në sytë e publikut, më pas edhe përballë SPAK apo gjykatave. Nëse do të përfundojnë përballë tyre… /Nga Sokol N. SOKOLI/