Kjo historia e vetingut (largimit) të gjyqtarëve dhe prokurorëve më kujton lojrat me luanë dhe të këqinj e barbarë në amfiteatrot e Romës së lashtë. Perandori organizonte lojrat dhe populli mblidhej në arena me qinda mijëra. Luanët i shqyenin Barbarët dhe të Këqinjtë, dhe qytetarët e varfër romakë gëzonin dhe argëtoheshin, dhe njëkohësosht në stadium shpërndahej bukë…
Kur trupat e vetingut, “Luanët”, jepnin vendimet për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, “të këqinjtë”, të gjitha TV ndëprisnin programet dhe transmetonin live shkarkimin e tyre.
Qytetarët gëzonin dhe diskutonin gjithë ditën për luftën e lavdishme të “luanëve” të vetingut me të “këqinjtë”. Dhe harronin për ca ditë hallet e shumta, varfërinë, papunësinë, femijë e larguar jashtë, mungesën e shkollave, mjekëve, ilaçeve etj…
Te nesërmen “luanët” e vetigut shkarkonin një tjetër të “keq”…e populli gezonte e hallet harronte. E kështu me radhë kemi 5 vjet: “luanët” kundër të “këqinjve” e problemet e hallet harrohen.
Por çndodhi dje?!
Gjykata e Strasbourgut vendosi që Kolegji i Posaçëm i Apelimit është gjykatë e pa krijuar me ligj për shkak se një nga antarët, Luan D., është emëruar ne shkelje të Kushtetutës. Ndaj të gjitha gjykimet e tij janë nul. Dmth u tregoi shqiptarëve se një nga “Luanët” e Vetingut nuk qenka i vërtetë po prej kartoni.
Në fakt shumë nga antarët e trupës së vetingut janë zgjedhur ne shkelje të Kushtetutës, pra janë “Luanë kartoni”. Por Luan D. i ra radha të verifikohej në Strasbourg.
Pra na del që anëtarët e trupave të vetingut, që i kanë larguar nga puna gjyqtarët dhe prokurorët, nuk na paskan qenë “Luanë” të vërtetë po prej kartoni.
Pra “të këqinjtë dhe barbarët” në arenë nuk i paskan vrarë “Luanët” por thjesht Perandori ka ulur gishtin dhe…merret me mend… /Nga Besnik MUÇI, ish- antar i Gjykatës Kushtetuese/