Nga Frano KULLI
Zonja Luljeta Bozo, më e motnuemja (e moshuara) kandidate për në Parlamentin e ardhshëm sot, nesër, mbas krejt pak muajsh do të jetë në atë aulën e tij, sigurisht në rreshtin e parë, nëse ai i Lumi nuk e thërret për në ndonjë tjetër “aulë”.
Emërtuar prej z. Edi Rama në krye të kresë së listës së tij, pardje ajo ka bërë një kumt dashurie e respekti ende të patretur për Enver Hoxhën. Pardje, ajo ka mbajt si me thënë fjalimin e saj të parë në Parlamentin e ardhshëm, përderisa ajo tashmë është e emëruar si deputete. Dhe kjo ka ngritë një pluhnajë të madhe mediatike në këtë kohë të saponisur zgjedhjesh.
Është e natyrshme që, ashtu siç jemi mësuar tashmë, në kohë të tilla të elektrizuara, jonet e ngarkesës mediatike shumëfishohen. Aq më tepër që deklarata e dashurisë e zonjës Bozo bashkudhëton me habinë jo të paktë që shkaktoi në fillim përzgjedhja e saj.
Veshur e stolisur me një tis fisnikërie e nderimi të posaçëm, me të cilin ajo iu paraqit publikut, megjithatë një habi e shkaktoi sidomos vënia në kryelistë e saj. Sepse ishim ç‘mësuar tashmë me përzgjedhje të kësisojshme, qysh nga viti i largët ‘91, kur edhe pse kish nisur reformimi, nga radhët e gardës së bolshevikëve të vjetër duhej patjetër edhe ndonjë syresh.
Se fasha e tyre në shtresëzimin e popullatës, megjithë erën e pafavorshme që po frynte për to asokohe, ishte ende jo e vogël. Përkundrazi, ishte e gjallë, aspak e tërhequr dhe aktive shumë. Tani jemi fiks tri dekada më vonë…
Shumëkush prej “të habiturve” e justifikoi ofrimin e zonjës Bozo me mjeshtërinë e ofrimit të gjesteve në vend të akteve, për të cilat zoti Rama na ka bindur se është i pakonkurrueshëm.
Prapëseprapë, prezenca publike e inxhinieres me eksperiencë, shfaqur në ditët e para pas tërmetit të nëntorit të parvjetshëm e justifikonte deri diku përzgjedhjen e zonjës. Sigurisht, në strategjinë e udhëheqësve e jo tonën. Sidomos te nostalgjikë të atij brezi, ku gëlon ende si një strukturë mendësie, por edhe ndjesie, adhurimi për sistemin e shkuar të diktaturës.
Dhe unë për vete kam menduar se kjo kartë ishte jo vetëm e mjaftueshmja, por dhe e vetmja që mund të luante, zonja në fjalë. Si punonjësja e dalluar e inteligjencës së atëhershme, me përvojë të gjatë, që bashkë me nostalgjinë do të shpërndante edhe shembullin e punëdashjes, sidomos për të rinjtë, te të cilët punëdashja është e zvargur deri në kufijtë e angarisë.
Për njëmijë e një arsye që dihen… Një si tip i ri i Heroinës së Punës Socialiste, pra. Nuk mendoja dhe as mendoj se ndërlidhja me të shkuarën vendimmarrëse mund të ishte e nevojshme t’i përcaktohej si mision zonjës në fjalë. Madje, krejt e panevojshme, për sa kohë atë lidhje e ruan të sigurt prezenca në atë aulë e zotit Ruçi. E pashkëputur për asnjë moment prej tri dekadash. Ase e zotit Braho, a edhe të tjerëve, të cilët ndërlidhin kohërat tona të palidhshme. Lidhin diktaturën me demokracinë, me akses të hatashëm vendimmarrës.
Njësoj si atëherë, si tash. Ndaj ne kemi shtëpi gjethesh–muze, po nuk kemi burg Burreli a Spaç-muze, ndaj ne kemi dosje krimesh politike, po nuk kemi fajtorë përgjegjës për to, ndaj ne kemi enveristë që ngenë flamurin tonë në jubile mëvetësie a lirimi dhe në shpinë të tyre kemi udhëheqës që i përcjellin me heshtim.
Zonja Bozo mund të ishte edhe deputetja që le të fliste vetëm me prezencën e saj. Edhe vetëm ashtu rreth saj mund të përmblidheshin simpatitë nostalgjike të gjeneratës së saj, të vërsnikeve e vërsnikëve, shoqe dhe shokë të ngritjes së themeleve mbi gërmadha dhe të afirmimit të njeriut të ri të socializmës. E të mos fillonte kaq herët përdorimi në mision…