Është një zigzage e tmerrshme të futesh në vorbullën e rrugëtimit politik të Edi Ramës. Një absurditet që kurrë nuk i duhej Shqipërisë. Madje shumë shpejt do të vijë dita ku shqiptarët do të mallkojnë po veten, siç ndodhi me Enverin, edhe për Edi Ramën. Ky absurditet fillon me devizën e tij: “Hajduti bërtet kapni hajdutin”. Ai është mjeshtër i përpunimit të vokacionit të shqiptarëve. Megjithatë është edhe një naiv i madh përballë opinionit europian e me gjerë. Kur them më gjerë, kam para syve, Amerikën dhe jo Afrikën, tregun e artë të Vladimir Putinit. I ka futur shqiptarët në një dehje totale me emrin e Presidentit. Shqiptarët gumëzhijnë. Edhe pse e dinë që në fund të fundit ata që votojnë për Presidentin janë Taulant Balla, Erion Braçe, Elisa Spiropali, jo ata vetë. Madje në delir e sipër u flet sikur të jetë ambasadori në detyrë i Amerikës, jo Kryeministri i Shqipërisë.
I vuri edhe kusht opozitës në lidhje me emrin e Presidentit, por edhe më tej. Foli plotësisht si kuadër i lartë i Departamentit të Shtetit për çështjet në Ballkan, tha se nuk bashkëpunojmë me ju nëse zgjidhni Sali Berishën kryetar etj. Megjithëse dikush nga qoshja mund t’i thoshte atë batutën e filmit të Koço Devoles, që mos e shtyj atë derë more bir. Mos u fut tek ajo derë. Por ai, si mjeshtër i përpunimit të vokacionit të shqiptarëve, e ka gjetur.
“Non grata”, emri i Presidentit. Për këtë vdesin shqiptarët. Nuk ka rëndësi ekonomia apo tregu strategjik mes dy shteteve të shqiptarëve në rajon. Për më tepër kërcënimit sllav, sa opinioni i shqiptarëve në Kosovë është një keqardhje e madhe për naivitetin e shtetarit të parë nga vendi amë në lidhje me Ballkanin e Hapur. Memet nga kufiri me Serbinë, me makinat e Policisë së Kosovës me dyer të shpuara, i dedikohen atij.
Kreu i qeverisë dhe kreu i Partisë Socialiste në mandatin e tretë, me një pushtet absolut ku vetë vendos dhe vetë vulos… Sado luk dhe taka, pudër apo marka, në PS ka vdekur vota e forumeve, ka vdekur debati. Aty, ai flet dhe ai vendos. Por edhe për raportet e Departamentit të Shtetit apo edhe të “Freedom House”, ku Shqipëria del e nxirë kokë e këmbë etj. Në një vend ku pjesëmarrja në votime kap shifrat 28% deri 30%. Gjykojeni vetë indiferencën apo faktin se sa e suksesshme është një qeveri. Shkurt, kur ky i imponohet edhe opozitës, duhet të themi me dhimbje, jo keqardhje, se kemi kapur fundin.
Do ta quaja diçka normale sikur në Shqipëri të ishte shpallur “non grata” vetëm Sali Berisha. Por janë shumë. Madje për ironi të fatit, më të shumtit janë në krahun e Kryeministrit. Pak ditë më parë u shpall “non grata” edhe një nga bashkëpunëtorët e tij, babai i një deputeti nga partia e tij. Opinioni publik priste përjashtim apo tërheqjen, por nuk ndodhi. Madje shqiptarëve iu tha me qetësi se vendimet e tërheqjes janë personalë. Kurse te rasti i kundërshtarit politik, nuk janë të tillë. Janë përjashtime kategorike.
Fati i Edi Ramës nuk është asgjë tjetër, por po ai i aradhes së këtyre që tashmë janë damkosur me “non grata”-n. Më mirë nga kushdo tjetër e di ai vetë, por po luan në distancë, po kërkon marrëveshje. Ju kujtoni se atë e shqetëson Sali Berisha, “i vdekuri” politik etj. E ha malli se kë doni ju të zgjidhet President etj. Jo or jo, ka hallin e vetes. Por nuk ka për t’i shpëtuar. Shumë shpejt do të dëgjoni edhe emrin e tij. /Nga Ilir LEVONJA/