Në vitin 2006, diku nga muaji mars, Shkodra u përfshi nga një debat publik, i cili mori edhe vëmendjen e mediave, edhe atyre kombëtare. Shkak ishte ideja e vendosjes së bustit të Nënë Terezes në hyrje të qytetit. Polemikat u transferuan edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Një figurë e përbotshme, me ndikim të jashtëzakonshëm, fituese e çmimit Nobel për paqen, shqiptare dhe e identifikuar shqiptare me krenari, kontestohej nga dikush/disa. Arrihej deri aty sa i druheshin idesë se Shkodra do të indentifikohej si qyteti i Nënë Terezës.
Ndërsa sot busti i Nënë Terezës, shenjtore e Kishës Katolike, është vendosur në sheshin që i ka dhënë emrin, pranë bustit të Luigj Gurakuqit, në rrjetet sociale ka nisur një tjetër debat. Ndërsa kur flet për rrjetet sociale, të bie në mend shprehja e Umberto Echo, polemikat janë tashmë për vendosjen e një vepre arti, sërish në hyrje të Shkodrës. Më saktë, në rrethrrotullimin e dytë në hyrjen nga Tirana, atë që njihet si rrethrrotullimi tek Bexhisteni.
Edhe pa qenë specialist i artit në hapësira publike, me një kërkim të thjeshtë në Google për autorin apo titullin e veprës, e kupton se ajo është tashmë një “markë”. Ajo që do të vendoset në Shkodër, quhet “Çelësi shqiptar” dhe është shpallur fitues i një nisme të Ministrisë së Kulturës disa vite më parë, me idenë “art në hapësira publike”. Në kushtet kur Shkodra refuzonte të kishte një vepër publike që vinte pas një konkursi të qeverisë së majtë, vepra e Alfred Mirashi- Milot, u shpall fituese për tu vendosur në rrethrrotullimin sapo futesh në Shqipëri nga Hani i Hotit.
Pas 14 majit 2023, realiteti politik në qeverisjen vendore ka ndryshuar dhe tashmë, është vendosur që kjo vepër të vendoset në rrethrrotullimin tek Bexhisteni në Shkodër. Për parantezë, jo rastësisht “kritizerët” më të parë e më të ashpër të nismës, janë ata që publikisht janë shfaqur publikisht si mbështetës që qeverisjes 33- vjeçare të Shkodrës. Sigurisht, nuk janë të vetmit, disa nga padija e shumë të tjerë në emër të forcës terheqëse magnetike të inercisë në rrjetet sociale. Apo edhe thjesht për shpirt të kundërshtimit që personifikon shkodranët.
Kontestohet si vepër arti, për vlerat që ajo bart. Çdo frymor e di se përceptimi për artin nuk është e nuk mund të jetë shabllon, koletiv. Vetëm në regjime totalitare, si ai i 45 viteve të errëta në Shqipëri, unifikonte çdo gjë nën okelion “njeriu i ri, vepra më e ndritur e partisë”. Mjafton të sillet në vëmendje se koncepti i autorit për “çelësin”, është vendosur në Napoli të Italisë dhe në disa qytete të tjera. Pastaj, kur ka ndodhur që një herë të vetme, për vepra arti në hapësira publike, është marrë mendimi i ndokujt në këtë vend?!
Kërkohet të vendosen figura me vlera, duke nisur nga Genti, Skenderbeu dhe rikthimi i “5 Heronjve”. Pa më të voglin dyshim, të gjithë do të kontestoheshin, siç e cekëm në hapje të këtij shkrimi, me një figurë me peshë të përbotshme, si Nënë Tereza shqiptare. Po ashtu, kërkohen arsye se pse është zgjedhur pikërisht kjo vepër (e cila në fakt është shpallur fituese nga një konkurs zyrtar i një ministrie) dhe pse është zhvendosur nga rrethrrotullimi i Hanit të Hotit në atë në hyrje të Shkodrës.
Në fakt, është gjë e mirë që edhe vendosja e kësaj vepre publike, ka ngjallur këto polemika. Shkodra vijon të frymojë fort, të hapë debat edhe aty ku me logjikë, nuk duhet të ketë. Sepse shkodra është rebele, e pabindur, e pakënaqur dhe kurrëherë e thyeshme. Edhe kur mendon se e ke zotëruar, ajo ngrihet dhe të zhgënjen… Ka ndodhur shpesh herë në historinë e saj, sigurisht edhe do të ndodhë në të ardhmen. E si për ta simbolizuar këtë, mbase duhet edhe një “çelës” alegorik për një qytet i cili ka qenë gjithmonë “citta aperta” për banorë të vjetër e të rinj, të cilët fatmirësisht nuk i kanë munguar asnjëherë. Ky është edhe “çelësi” i Shkodrës që njohim, jetojmë, duam e adhurojmë të gjithë…
E për ta mbyllur, ata që orientojnë apo orkestrojnë nga “pjesa e padukshme”, do të ishte mirë të bëheshin guximtar, të shprehnin opinionet. Me gjasë, nuk janë shumë larg atyre që u bënë publike në mars 2006 për bustin e Nënë Terezës, edhe për atë të Lek Dukagjinit para disa javëve. Edhe tani, si atëherë, asgjë nuk ka lidhje me artin, urbanistikën, territorin. Tjetërkund “fle lepuri” apo akoma askush nuk po e zgjon! /Shënim i ShkodraWeb/