Sot, si kurrë më parë, duket se nuk ka rrugë tjetër për të shkuar tek intimja përveçse përmes publikes. Aq shumë është transformuar privatja, intimja e qenies njerëzore, sa turpi si ndjejë e fajit ndaj parimeve absolute, duket se tashmë është asgjësuar nga publikja. Sot duhet të të vijë turp nga intimja, e cila nuk është e ekspozuar diku dhe duhet të ndjehesh krenar që thellësitë më të mëdha të privacisë, janë bërë sot fytyra e dukshme e shoqërisë sonë, e cila i shpalli luftë meditimit, asgjësoi fajin dhe shkatërroi ndjenjën e turpit.
Ky udhëtim i njeriut të sotëm brenda një gjeografie të çuditshme, nga cepi më ekstrem i intimes drejt majave më të dukshme të publikes, u bë me mjetin më të shpejtë dhe më të sofistikuar të mundshëm, atë të industrisë mediatike. Kjo e fundit i garantoi çdo gjëje personale dhe të përveçme, mundësinë e pushtimit pa mëshirë dhe pa filtër të diskursit publik, e cila i bën të gjithë ta gjejnë veten brenda një presioni kulturor që kthehet në kulturë hegjemoniste, uniforme e që përjashton çdo formë tjetër të shfaqjes publike.
Shoqërisë së sotme të tiranisë së intimitetit publik, nuk ka se çfarë i duhet morali universal, sepse ai të çon te turpi dhe faji. Nëse ka një armë me të cilën intimiteti i qenies njerëzore mbijeton, është ndjenja e fajit për veprime të turpshme. Atëherë ta sulmojmë me çdo mjet, me çdo media, sepse nuk ka se çfarë na duhet individi, i cili nuk pranon të kthehet në skllav të kapriçiove të tij. Atij i duhet tjetërsuar kuptimi që ka mbi të moralshmen, mbi kufijtë, mbi atë se nuk duhet të ketë vetëm një të vërtetë të vetme etike dhe estetike për shoqërinë ku jeton, ai duhet mbajtur i ngecur brenda një rrjete plurale të vërtetash të pafundme, të cilat lejojnë që intimiteti i tij personal të triumfojë ndaj çdo gjëje tjetër. Ky tjetërsim kthehet në manifestin, me të cilin tirania moderne e intimitetit kërkon ta legjitimojë veten.
Ka një lidhje krejt të ngushtë sot mes intimitetit dhe spektaklit. Të dy janë faktorë kryesorë, të cilët mbajnë në këmbë tiraninë moderne të intimitetit publik. Ata janë të ndërvarur me njëritjetrin, intimitetit i duhet spektakli për t’u ekspozuar në formën e argëtimit dhe spektaklit i duhet intimiteti për të joshur vëmendje. E gjitha, në një kohë sot, kur ekonomia nuk është asgjë para ekonomisë së vëmendjes globale. Prandaj, duhet diktatura e spektaklit sepse ajo të furnizon me mekanizma të paimagjinueshëm në thithjen e vëmendjeve të hallakatura të audiencave. /Nga Redi SHEHU, publikuar në Facebook/