Është Ditë Pavarësie! Isha fëmijë dhe fshehurazi mbaja në xhep një fotografi të flamurit kuq e zi! Atdheu im asokohe ishte i ndaluar për mua! Atdheu im si sot, ashtu edhe asokohe, festonte ditën e pavarësisë! Sot historia e Skenderbeut dhe lëvizja për pavarësi më duken aq surreale saqë kam vështirësi edhe të besoj nëse ata njerëz që u flijuan për atdhe, ishin real apo vinin tek ne si legjenda, që të motivojnë brezat se ky vend ka pasur edhe ka ende atdhetar, patriote që luftojnë për të mirën e vendit. Dhe vetvetiu pyes sa herë veten nëse realisht ne shqiptarët jemi të pavarur?
Këto 110 vite a arritëm ne të pavarësohemi sa duhet politikisht, ekonomikisht, ushtarakisht, e sa e sa -isht, -isht të tjerë?…
Deri para disa vitesh ekonomia jonë varej nga dërgesat e emigrantëve dhe investimet e tyre. Fermerët tanë nuk kanë as treg të brendshëm për shitjen e prodhimeve të tyre, se për eksport as që bëhet fjalë. Sukses kanë vetëm prodhuesit e “barit” që verës e kultivojnë në bjeshkë e dimrit në shtëpi.
Industria prodhuese nuk egziston, turizmi është ende në “shpërgenj”. Natyrës i jemi futur me egërsi në zemër duke i ngulur hekur e beton, pyjet i shkretuam, fshatrat i boshatisëm. Përmbytemi në verë edhe në dimër!
Kufinjte na i ruan NATO, radarët i fikin trafikantët e drogës, aeroportet dhe portet i falim, minierat i kemi kthyer në varreza, kanoçet i mbledhin pleqtë e fëmijët. Rruget e urat i vjedhim! Për Kosovën e Albinin themi se i kemi fqinj ndërsa Serbinë dhe Aleksandrin vëllezer, ata që kanë mbetur në Maqedonine e Veriut dhe në Preshevë e dimë se egzistojnë, ndërsa për këta në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci e Dacaj të Rozhajës, na bie në mend kur kthehemi nga Budva apo Kolashini!
Është dita e pavarësisë e kujt? E shqiptarëve të Shqiperisë apo veç e Gjergj Kastriotit, Rilindasve, Ismail Qemalit me shokë, e martirëve, e Adem Jasharit, e heronjve që sot nuk jetojnë ? Se ne të gjallët jemi veçse gjallë se të pavarur aspak! U pavarësofshim! /Nga Simon SHKRELI/