Ka disa orë që rrjeti po përcjell e ripërcjell lajmin e ndarjes nga jeta të Kasëm Hysenbelliut, ish- pronar, ish- president, ish- administrator i disa mediave të rëndësishme shqiptare dhe prej mëse 4 vitesh, president i Fax News.
Për familjen, të afërmit, miqtë, kolegët e bashkëpunëtorët, është një humbje e madhe. Natyrisht, nga ajo që po lexojmë, profili i medias që krijoi me Fax News, është humje edhe për median e lirinë e saj.
Personalisht, nuk e kam njohur por kam dëgjuar përmes kolegëve por edhe jehonës së mediave që ai ka krijuar e drejtuar këto vite. Tanimë, më duket jo vetëm se e kam njohur por edhe kam takuar.
Paska qenë ushtarak, sepse ish- kolegët e tij, e përmendin dhe e kujtojnë me superlativa Kasëmin. Paska qenë vizionar sepse kështu e përkufizojnë të gjithë, të gjithë pa përjashtim, bashkëpunëtorët e tij në media. Paska qenë i gjindshëm për këdo, në ditë të mira e sidomos të këqija. E pohojnë pa asnjë përjashtim ata që kanë punuar me të apo që thjeshtë “i ranë në dorë” për tu zgjidhur një hall, një problem.
Më shumë se president, administrator, pronar i një apo disa mediave, paska qenë bashkëpunëtor i të gjithëve. Nuk e di sa e ka njohur në brendësi median, problemet, forcën, peshën por përmes atyre që e kanë njohur duke punuar, duket se ka qenë mbase njohësi më i mirë.
Në këto pak orë që mungon fizikisht, askund nuk lexoj, dëgjoj apo shikoj një fjalë të vetme jo pozitive për të. Qoftë as nga gazetarët, të paktën nga ndonjë që mund ta ketë hequr nga puna për faj të vetë punëmarrësit. Nuk po has në asnjë ankesë të operatotëve, montazhierëve, shoferëve, rojeve, pastruesve të mediave që ai ka drejtuar. Nuk po më vjen akoma në vesh as jehona e ndonjë fjale, ngjarje jo pozitive për Kasëmin.
Unë nuk e kam njohur personalisht. Nuk dua të vë në dyshim asnjë nga fjalët deri në superlativa, që qindra e mijëra njerëz po artikulojnë publikisht për të ndjerin. Sepse nuk kam arsye ti vë në dyshim. E kështu, nuk është e vështirë ti vendosësh një epitet, unikal!
Për shkak të profesionit, kam njohur direkt apo indirekt, shumë pronarë, presidentë apo administratorë mediash. Asnjëri prej tyre deri më tani, nuk ka plazmuar në qënien e tij, një konsensus kaq të gjërë, plebishitar pozitiv për aktivitetin e tij në drejtim e administrim të mediave.
Edhe pse ne shqiptarët, jo rrallë jemi hipokritë “pozitivë” në momentin kur dikush ndahet nga jeta, ky nuk është rasti i Kasëm Hysenbelliut. Sepse do të gjendej të paktën një person në morinë e miliona në rrjetet sociale, që do të kishte prishur rregullin e pozitivitetit.
Kasëm Hysenbelliu, pa më të voglin dyshim paska qenë edhe një prind i rrallë. Edhe bashkëshort, edhe vëlla, pavarësisht se në një moment të jetës, kërkoi të ktijojë një media të vetëm, duke ofruar standarte pavarësie e paanësie në formën e risisë. Gjithmonë, sipas atyre që e kanë njohur nga afër.
Por “vulën” duket se ia vë qasja e klasës politike ndaj figurës së tij në këtë ikje të beftë. Nga e majta, në qendër, në të djathë, unanimisht ikja e tij konsiderohet humbje. Personalisht, më rezulton se është hera e parë në këto 30 vite që konstatohet një pozicionim i tillë për një individ, aq më shumë president i një medias.
Trashëgimia e tij mediatike, tashmë është një përgjegjësi e peshë e madhe për tu mbajtur mbi supe. Për të ecur përpara, për të përmbushur ëndrrat e tij, që sipas bashkëpunëtorëve, kanë qenë në nivelin e lartësisë në të cilën jetoi, duket mjaft e vështirë. Kjo mbase është sfida më e madhe, për të vijuar rrugën e Kasëm Hysenbelliut nga aty ku ai e la papritur dhe pa dëshirën e tij…
Nga sot, më duket se e njoh prej 30 vitesh Kasëm Hysenbelliun, njeriun që kërkoi të sfidojë sistemin me një media ndryshe. /Nga Blerti DELIJA/