Si çdo qytetar i shqetësuar për fatin e përbashkët tonin, edhe unë kam ndjekur ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011 dhe evoluimin e qëndrimit ndaj saj… E duke qenë se sot mbushen dhjetë vjet nga ajo tragjedi, në të cilën 4 qytetarë protestues humbën jetën atë ditë, po përfitoj nga rasti të ndaj me publikun çfarë mendoj rreth asaj ngjarjeje dhe sidomos rreth përdorimit politik, publik dhe mediatik të saj…
Së pari, viktimat e asaj ngjarjeje nuk janë aspak dëshmi apo heronj, siç miklohen sot me vendime të qeverisë, por që meritojnë respektin dhe mirënjohjen e të gjithë qytetarëve të vendit. Kjo, jo thjesht se u vranë në një protestë politike të opozitës së kohës – tashmë në pushtet prej tetë vitesh, edhe për shkak të asaj tragjedie, por sepse ata u sakrifikuan për fjalën e lirë, për të drejtën e protestës demokratike e paqësore. Në këtë këndvështrim, ata nuk duhen parë as si pedana e ngjitjes në pushtet të së majtës, por si kontribuues me çmimin më të lartë – jetën e tyre – ndaj fjalës së lirë. Uroj dhe shpresoj që kjo të jetë hera e fundit që në këtë vend dikush sakrifikohet për këtë element të çmueshëm e të pazëvendësueshëm të demokracisë.
Së dyti, deklarimet e përsëritura e kallp të drejtuesve të sotëm politikë se “drejtësia e re do të vendosë drejtësi për viktimat e 21 janarit 2011” nuk mund të mos lexohet ashtu siç janë: kulmi i një hipokrizie të retorikes politike, së cilës nuk i beson më askush. Ajo që dihet, por nuk thuhet, është se “drejtësia e vjetër” dhe “drejtësia e re” kanë të përbashkët se vijnë nga i njëjti “brum” njerëzor. Për rrjedhojë, “produkti” i saj është i njëjtë: shërbim pa kushte ndaj maxhorancës së radhës dhe liderit të saj, pavarësisht kohës së emërimit apo forcës politike që ka lobuar për t’i sjellë në pozicionet që gëzojnë në hierarkinë e drejtësisë. Pak a shumë si në fabulën ku ai “që përsërit të njëjtin eksperiment dhe pret rezultate të ndryshme…”, edhe qytetarët shqiptarë do të duhet të presin ndoshta jo më vite, por breza që kjo situatë e çmendur, ku gjithçka kontrollohet nga ekzekutivi dhe kreu i saj dhe ku mungon ndarja elementare e pushteteve, të fillojë të ndryshojë…
Së treti, edhe përpjekjet për adresimin drejt detajeve teknike të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë të krijojnë përshtypjen e një zgjidhje “winwin” për të gjitha palët e interesuara. Kjo, sepse cilido e kupton se dërgimi jashtë shtetit për ekzaminim të një prove shkencore rreth asaj ngjarjeje, më shumë se sjell ndonjë mundësi për të dhënë drejtësi, shtyn në kohë shpresën dhe mban gjallë fabulën e “përgjegjësisë politike” të maxhorancës së kohës rreth asaj ngjarjeje të dhimbshme. Aq më tepër kur kjo formë efikase “tjerrjeje” ka dhënë “rezultat” edhe herë të tjera. Është rasti të kujtojmë disa kaseta të dërguara “në laboratorin më të mirë në botë për regjistrimet audio”, që në fakt nuk u kthyen më kurrë në Atdhe, mbasi kështu e përmbushën misionin e radhës – mashtrimin e opinionit publik.
Së katërti, përpara se të shpallen “dëshmorë të Atdheut” viktimat e 21 Janarit kanë pasur dhe kanë nevojë për përkujdesje ndaj familjarëve të tyre të mbetur gjallë. Këto dhjetë vjet kanë provuar një (keq)përdorim politik të panevojshëm dhe një mungesë të kujdesit shtetëror për ta…
Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, proceset gjyqësore çalamane të kësaj dekade mbi individët e përfshirë në këtë çështje dhe gradimet politike të disa prej protagonistëve të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të asaj ngjarjeje fatkeqe, e kanë zhveshur nga çfarëdo morali publik maxhorancën aktuale që pretendon vendosjen e drejtësisë për 21 janarin. Kështu që takimet e përvitshme komemorative dhe vizitat në vendngjarje (bulevard) e bëjnë atë edhe më të pabesueshme, të paktën tek ajo pjesë e shoqërisë shqiptare, që nuk është dehur nga të mirat e pushtetit.
E kështu, kaloi edhe dhjetëvjetori i 21 janarit 2011, për t’i lënë vendin 11-vjetorit, kuptohet me ndonjë fabul të re, se helbete, jemi në vit zgjedhor dhe problemi më i madh nuk është më qeverisja e vendit, por shpikja e “lodrës së radhës” në fushatën zgjedhore të 25 prillit 2021. /Nga Zef PREÇI/