Nga Taulant KOPLIKU
E pashë për herë të parë Edona Haklajn, në foton e famshme të shembjes së teatrit. Lotet e saj më prekën aq fort në atë ditë tronditëse nga babëzia e pushtetit dhe ligësia e Lalit të pushtetit. Në pak orë, fotoja e saj u bë virale dhe gazetarja e re, u kthye në një simbol të asaj çfarë ndodhi. Aty e njoha Edona Haklajn dhe që nga aty e shoh me simpatinë dhe vlerësimin më të madh, pavarësisht se nuk e njoh nga afër.
Edi Ramën nuk e di tamam se kur e kam njohur për herë të parë. Mendoj se në pallatin e sportit në Shkoder kur vinte Dinamo e basketbollit dhe Feti Borova e lejonte të hynte në lojë vetëm pak sekonda sa ndonjëri nga titullarët shkonte për të bërë shurrën.
Në vite kam provuar fillimisht simpati e me pas përçmim për njeriun që sot na ka çarë përfundimisht atë që s’thuhet. Pretendoj të jem nga personat më kritikë të tij, përveç militantëve të sëmurë që shohin ngjyrën dhe jo personin. Nuk e urrej, por thjesht do doja të largohet njëherë e më parë pasi është kryeministri më i keq, më vulgar dhe padyshim më i korruptuar në historinë e demokracisë shqiptare. Ikja e tij ndoshta nuk do të jetë shpëtimi i Shqipërisë, por një frymëmarrje e thellë e saj, padyshim që po.
LEXONI EDHE: OPINION – “Gabimi” i Edonës shlyhet me gjobë 3 mijë lekëshe, po faji i Ramës çfarë kostoje ka…?!
Sot, Edona e sipërpërmendur dhe Rama në post kryeministri, patën një episod aspak të këndshëm. Më herët shkruajta diçka, por shoh që rrjeti vazhdon me agresivitet të merret me cikjen e krahut që Rama i bëri gazetares së re. Personalisht, këtë e shoh si përpjekje për gjetjen e një kauze, e cila po merr përmasa në këto ditë kur Ramën mund ta “vrasësh” lehtësisht me të tjerë plumba.
Gazetarja, e cila në këndveshtrimin tim duhet të jetë simbol i zbatimit të ligjit dhe për më tepër i rregullave logjike anti-Covid, sot u afrua qetë- qetë krah një personi që më përpara se të jetë kryeministër, është njeri. Reagimi i tij, mund të ishte dhe i imi në këtë rast, pasi po, unë i druhem një personi pa maskë që më futet në “surrat”.
Gjëja më normale që do të bëja, ishte pikërisht kjo: largohu. Shko merr maskën. Jam kategorik në këtë pikë teksa shoh që po na lënë çdo ditë prindër miqsh por edhe miq moshatarë nga virusi famekëq. Edona nuk ka pse e merr keq një episod, rrjedhë e pakujdesisë së saj. Këtu nuk flitet për një gjobë. Një individ ka të drejtë të largojë dikë nga i cili ndjehet i rrezikuar. Pikë.
Të tjerat janë përpjekje pa lidhje për të denigruar një person që është prej kohësh jo i denigruar, por i zhveshur lakuriq para gjithë shqiptarëve. Më keq se në foton e famshme të plazhit francez.