Nga 1941 deri në 1990 ka patur shumë individë, familje, fise që kanë jetuar mirë. Pjesa më e madhe ishin pjesëmarrës në atë që u quajt Lufta Antifashiste Nacional- Çlirimtare. Nga radhët e tyre pati të vrarë, të plagosur, gjymtuar, kontribues e deri tek korrierët 10 vjeçarë që lëviznin trake apo “sekretet” e luftës. Pas 1990- ës, edhe pse askush nuk po përpiqet të zbardhë paanësisht këtë periudhë, të paktën gjurmë ka se ajo kishte edhe elementë të “luftës civile”.
Për rreth 50 vite, pati edhe “larje hesapesh” apo “luftë shtrigash” edhe vetë brenda lidershipit komunist. Kurbani më i famshëm dhe ndër të fundit, kryeministri më jetëgjatë i këtij vendi, Mehmet Shehu. Vetëm të mangëtit mendërisht nuk e kanë kuptuar akoma se “kulçedra” gëlltiste bijtë e vet, imagjinoni pak se çfarë trajtimi u bënte kondërshtarëve ideologjikë e politikë.
Është naivitet ti përmendesh “sukseset” e diktaturës me uzina, fabrika, kombinate, ushtri…etj. Së pari, ato nuk janë produkte të këtij vendi. Të gjitha mbajnë markën “made in…”, Yugoslavia, URSS, China për të përmendur tre aleatët kryesorë të kësaj periudhe që udhëhiqej nga P(K)PSH, pa harruar edhe vendet e tjera të “kampit socialist”. Së dyti, pjesa dërrmuese e tyre, u ngritën nga mundi e djersa e papaguar e mijëra të burgosurve, internuarve të ndërgjegjes, të cilët nuk arrinin as të mbushnin barkun me bukë.
Të jetosh prej vitesh përtej Atlantikut dhe të jesh nostalgjik për komunizmin, është më shumë se paradoks. Është indoktrinim dhe kur kjo i ndodh figurave të artit, kulturës e kinematografisë, është fatkeqësi. Njëri prej tyre, të cilit për të mos e shenjestruar nuk po i përmend emrin, është një nga aktorët, me imazhin e të cilit janë rritur e edukuar mijëra shqiptarë. Veprat e artit ku ai ka interpretuar, vazhdojnë të shihen edhe sot me endje, duke ndarë me kujdes artin nga propaganda komuniste.
Është e çuditshme se si një personalitet i tillë i skenës dhe ekranit shqiptar, nuk arrin të ndajë “barkun” nga “truri”. Stomaku mund të ushqehet që nga barishtet deri tek haviari, në kuptimin e vlerës monetare të tyre. Por truri, kërkon ushqim tjetër, të zgjedhur, përveç oksigjenit. Truri ushqehet me liri, liri që gjeneron vlerat për të cilat njerëzimi po i kërkon dhe i zbaton prej mijëra vitesh. Pikërisht kjo i ka munguar të gjithëve, me përjashtim të një individi, diktatorit Enver Hoxha deri në 1985- ën kur natyra i bëri dhuratën më të madhe shqiptarëve duke ia marrë fizikisht.
Nostalgjia përgjithësisht është rikthimi në kohë për të kujtuar gjëra të bukura për të cilat ke mall e mbase ke dëshirë të të përsëriten. Si mund të kesh nostalgji për një priudhë, për një sistem, kur edhe pas 32 viteve, janë mijëra familje që kërkojnë trupat e të vrarëve në burgje, kampe internimi e zyra të atij shteti? Si mund të shprehesh nostalgjik kur mëson histori të trishta që i përafrohen kalvarit të Jezu Krishtit në “rrugën e Golgotës”? Si mund të jesh nostalgjik për një periudhë që me “buka qenka e ftohtë” plaseshe në burg e sot kritikon, shan e fyen edhe njeriun më të pushtetshëm të globit, presidentin e SHBA- së, pa të “hyrë gjemb në këmbë”?!
Sigurisht, asnjë sistem nuk është perfekt. Burra të mençur e kanë thënë edhe për kapitalizmin, i cili po ndërton prej shekujsh pjesën dërrmuese të njerëzimit. Aq më pak në Shqipëri, sistemi që nisi të ndërtohej në 1990- ën, nuk është e nuk mund të jetë perfekt. Për shumë arsye por besoj më kryesorja është pikërisht mendësia komuniste- diktatoriale që vazhdojmë e kultivojmë. Kemi rrëzuar bustet fizike në sheshe por akoma ato që kemi në shpirt, zemër e mendje! /Nga Blerti DELIJA/