Studiot sportive kanë me çfarë të merren. Humbja me Laçin do ta rikthejë Vllazninë në vëmendje, edhe pse akoma vazhdon të jetë në krye të Superligës. Dashakeqinjtë publikë të Vllaznisë tonë, do të shqyejnë gojën. Sepse e mbyllën për sa kohë ishim “Hirushja” e këtij kampionati, kur askush nuk na mendonte si pretendentë.
Përtej kësaj, nuk u bë kiameti që humbëm me Laçin. Nuk ndodhi asgjë as pas barazimit të papritur me Kastriotin në Shkodër. Por shpresojmë të mos rikthehet “mallkimi” i ndeshjeve në “Loro Boriçi”.
Djemtë, stafi teknik e drejtues meritojnë përgëzimet më të mira për atë që kanë treguar në fushën e lojës këto dy faza. Sepse vijojmë të jemi të parët, pavarësisht si mbyllen ndeshjet e tjera të kësaj jave. Sepse kanë treguar, pa patur yje në skuadër, se janë një grup kompakt dhe që luajnë si të barabartë me të gjithë ekipet që ndoshta kanë edhe yje brenda tyre.
Por…sepse ka gjithmonë një por që specialistët e futbollit edhe brenda Vllaznisë së sotme e dimë: Nuk bëhet kiameti për një humbje, qoftë edhe në shtëpi. Kujdes mos të na marrë teposhtja!
Sot jemi “armiku” për tu munduar i të gjitha ekipeve të Superiores. Nuk kemi aleat dhe asnjë mbështetës në Superligë. Studiot sportive nuk janë aspak dashamirëse. Mediatikisht, qoftë edhe përmes rrjeteve sociale, jemi pompuar shumë. Ndoshta edhe si një alternativë për marketing. Gradualisht po hedhim pas petkun e “Hirushes” për tu shpërfaqur si protagonistë të kampionatit. Ndoshta ky është edhe gabimi i vetëm që pa dashje, në euforinë e një situate fantastike që na mungonte dhe nuk e kishim shijuar prej vitesh, e kemi bërë, të gjithë bashkë.
Tifozët e mrekullueshëm shkodranë, nuk ndalen as para të ftohtit, shiut e pandemisë për të mbështetur Vllazninë tonë. Kryefjala e ditëve tona, e bisedave, kafeve, drekave e darkave është Vllaznia. Mbase duhet ndyshuar qasja. Ndoshta Vllaznia ka nevojë për më shumë qetësi, përqendrim, më pak eufori nga tifozët që padyshim ndikon sadopak edhe tek futbollistët. Ekipit mund ti sherbente edhe një “heshtje shtypi” e plotë, deri në momentin e kthesës që të gjithë presim, tek rezultatet pozitive.
Gjysmën e punës Vllaznia jonë e realizoi me shumë sukses. Me një gjerman në krye, është shumë e lehtë që ekipi të gjejë ekulibrat dhe të funksionojë përsëri si “orë zviceriane” si para 3- 4 javëve. Sepse jemi futur në fazën më të vështirë të Superligës dhe puna dhe përpjekjet duhet të dyfishohen. Këtë duhet ta kuptojmë qartë të gjithë, duke nisur nga tifozët, futbollistët dhe stafi i Vllaznisë. Të gjithë bashkë kemi mundësi të festojmë, në fund të Superligës. Duke uruar që ëndrra jonë të bëhet realitet! Forca Vllaznia! /Nga Blerti DELIJA/