Zgjedhjet e 14 maj 2023, përveç humbjes së thellë të opozitës, duket se kanë kristalizuar edhe shembjen e “Bashkë Fitojmë”, koalicionit Berisha- Meta. Edhe pse u krijua ideja e nje fillimi bashkëpunimi afatgjatë, zhvillimet nga 14 maji e këtej, tregojnë se dy “dinosaurët” e politikës shqiptare, e shohin rrugëtimin e tyre të ndarë.
Edi Rama është kundërshtari i përbashkët por mjaftueshmërisht i fortë për ti rezistuar dyshes Berisha- Meta. 14 maji tregoi se kryeministri më jetëgjatë pas 1990- ës nuk mundet vetëm nga votat e opozitës aktuale, përfshi Rithemelimin, PL dhe PD. Shkurt, duhet një mekanizëm tjetër përtej “Bashkë Fitojmë”, përfshi PD dhe një numër tjetër partiçkash rrotull tyre.
Ngjan paradoksale por Rama nuk mundet me bashkim. Të paktën të forcave aktuale të asaj që mund të quhet opozitë. Si ato paraardhëset edhe zgjedhjet e 14 majit treguan se afrimi Rithemelim- PL, krijon pakënaqësi që reflektohen në numër votash. Shumë demokratë vazhdojnë konsiderojnë PL (LSI) si të keqen që i largoi nga pushteti ne 2013- ën dhe po i mban akoma larg tij edhe pas 10 viteve. Nga ana tjetër, jo pak të PL- së, përballë emrave nga e djathta dhe e majta në garë, preferojnë ta dërgojnë votën tek PS.
Të paktën nga 2009- a e deri sot, është vertetuar katërcipërisht se koalicioni PD (Rithemelim)- PL (LSI), para zgjedhjeve, nuk është rezultativ e jetëgjatë. Bashkimi mekanik i mandateve të PD me 4 mandatet e LSI në 2009- ën, siguroi mandatin e dytë të pasuksesshëm të Berishës kryeministër, duke shtruar rrugën drejt 1 prillit 2013, kur në Shkodër nisën mandatet radhazi, tre deri tani, të Edi Ramës.
Edi Rama sot nuk ka nevojë për asnjë logo apo sigël tjetër me përjashtim të PS- së. Sistemi i ndërtuar me kujdes, i shtrirë në kohë dhe me skenar të mirë përcaktuar, i jep epërsi përballë opozitës. Të paktën kësaj aktuale. Pas rezultatit të 14 majit, me gjasë, do ta ketë të lehtë si me 25 prill 2021, të përsërisë fitoren e zgjedhjeve parlamentare. Gjithmonë me këtë konfigurim politik të vendit.
Opozita duhet të ndryshojë strategji. Bashkimi në koalicione thjesht numrash, më shumë se mundësi fitoreje, rikthen pakënaqësitë që sjellin përçarje. Ringritja e opozitës duhet të fillojë nga “copat” që përbëjnë atë. Partitë duhet të kristalizojnë ideologjinë, për aq sa mund të kenë. Të identifikojnë shtresat a grupet e interesit që mund të tërheqin përmes kësaj ideologjie. Dhe më e rëndësishmja, të ndryshohet kuadri kushtetues- ligjot për koalicionet: Duhet të rikthehet lista shumëemërore e subjekteve politike, ku të gjithë votat mbesin dhe numërohen në “thesin” e opozitës. Ndryshe, Edi Rama do të qendrojë në pushtet deri sa të velet nga ai! /Nga Blerti DELIJA/