Me 20 tetor të këtij viti, shkrujta disa rreshta në “murin” tim privat të Facebook lidhur me një lajm për largimin e zyrës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, e cila nga mesi i dhjetorit 2017, kishte gjetur “strehë” në mjediset e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”. Sot, kur kryetari i kësaj shoqate, shkrimtari, përkthyesi, kritiku dhe mësimdhënësi i letërsisë Zija Vukaj publikoi “të vertetat” e tij për mbylljen e zyrës- seli të Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, ka një detyrim publik që edhe pala tjetër, të tregojë “të vertetën” e saj. Është detyrim minimal të bëjë transparencë jo vetëm për shkrimtarët por edhe qytetarët shkodranë, taksapagues edhe për mirëmbajtjen dhe funksionimin e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”.
Profesor Zija Vukajn (kështu i drejtohem unë prej vitesh) e njoh prej shumë kohësh dhe e kam privilegj që më konsideron dhe e konsideroj mik. Për shumë arsye, të cilat besoj nuk kanë nevojë për shpjegime, nëse jeton në Shkodër apo ke marrë pjesë të paktën një herë të vetme në evente letrare. Sigurisht, njoh edhe zj. Ledia Dushi, e cila prej pak ditësh është emëruar si Drejtore e Drejtorisë Ekonomike të Kulturës, ose siç njihet në publik, Drejtore e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”. Edhe zj. Dushi është poete dhe sigurisht, e njohur në një hapësirë të gjërë shqipfolëse.
LEXONI EDHE: NGA ZIJA VUKAJ – I mbyllet zyra- seli Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër, sqarime të nevojshme…
Duke u nisur nga “e verteta” e Vukajt dhe në pritje të “së vertetës” së Dushit, më duket ngut i tepruar që brenda treditëshit të parë të marrjes së detyrës, reforma ndoshta e nevojshme në këtë sektor, të nisë nga zyra 3×2 e Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës. E për të vijuar, më duket përtej imagjinatës normale që ultimatumet e njëpasnjëshme të kenë zëvendësuar një kafe miqësore mes dy poetësh, shkrimtarësh, qytetarësh shkodranë. E për ti vënë vulën asaj që më duket në kufijtë e të pabesueshmes, ndryshimi i bravës së zyrës- seli të Shoqatës së Shkqimtarëve të Shkodrës.
Për të treguar se çfarë është letërsia për Shkodrën, sot por më shumë në të shkuarën e saj me të cilën vazhdojmë të krenohemi pafundësisht, nuk ia vlen. Do të duheshin libra pa fund për ti pasqyruar vlerat e pamohueshme të asaj, që unë sot po marr guximin ta quaj zanafilla e letrave shqipe, Shkodrës. Përtej këtij fakti, mendoj se duhej vlerësuar shumë më shumë ky entitet jofitimprurës me emrin Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës. Së pari, është emri i Shkodrës, ku detyra e secilit është ta ngrejë sa më lart të jetë e mundshme dhe ta përhapë me të gjitha mjetet. E dyta, shoqata është me qendër në Shkodër, pavarësisht se anëtarët e saj mund të jenë nga të katër anët. E treta, po vazhdon me këmbëngulje botimin e “Pena e Shkodrës”, antologji periodike, e cila edhe kur të mos jetë asnjë nga ne, ajo do të ekzistojë. Të paktën në versionin print, edhe pse me kopje të pakta në pamundësi fondesh.
Ndër bisedat e shumta që kam bërë me Prof. Zijanë, duke njohur pak a shumë funksionimin e bashkisë së Shkodrës nga brenda, i kam sugjeruar që disa evente, aktivitete të kësaj shoqate, të përfshihen në agjendën e përvitshme kulturore të qeverisjes vendore. Sigurisht që Prof. Zijaja e mirëpriti idenë, u shpreh pak skeptik për mbështetjen e mundshme por në dijeninë time, ka realizuar disa biseda për konkretizimin e idesë. Pak javë pas kësaj bisede, mësova, jo nga Prof. Zijaja, se Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës, ishte përzënë nga mjediset e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”.
Në mungesë të “së vertetës” së palës tjetër, në vesh më kanë ardhur informacione të tipit “shoqata nuk ka patur kontratë as me bashkinë e as me bibliotekën për mjediset e dhëna, nuk ka paguar qira, ambjentet e zyrës ishin të papërshtatshme” e disa të ngjashme. Po i marrim të gjitha të verteta, pa patur nevojë të presim versionin zyrtar të “palës tjetër”. A nuk kishte një rrugë tjetër, më të butë, pse jo më qytetare, meqë bëhej fjalë për një marrëdhënie me një shoqatë shkrimtarësh, teorikisht, elitë e këtij vendi? Pse duhej zgjedhur “ultimatumi” apo “ndërrimi i bravës”, përballë një shoqate dhe individi që “paqësor” ka mbiemrin e parë, edhe para atij të trashëguar madje? Kur dy shkrimtarë, poetë, e kanë të vështirë të ulen në kafe për një temë kaq të vockël për tu zgjidhur, çfarë mund ti kërkojmë politikanëve tanë që tashmë po japin “spektakël” që vetëm në interesin e shqiptarëve nuk është?
Fatmirësisht, kam informacione se bashkia e Shkodrës, do të gjejë një zgjidhje për këtë çeshtje. Me gjasë, nëse çdo gjë ecën sipas këtyre “zërave”, shpejt Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës, do të ketë një seli- zyrë, mbase me kushte edhe më të mira. Atëherë e gjithë kjo “tollovi”, edhe këto rreshta pse jo emotiv, nuk do të kenë shumë vlerë. A nuk mund ti kursehej Shkodrës, shkodranëve, shkrimtarëve, poetëve, qytetarëve kjo “temë”?! /Nga Blerti DELIJA/