Brenda 24 orëve në banesën e dy “pastruesve” të shtëpijave të “pasanikëve të rinj”, janë gjetur të mbi 500 mijë euro, mbi 15 mijë USD dhe bizhuteri të çmuara floriri, vlera e të cilave duhet verifikuar.
Nënë e bir, sipas policisë, kanë patur të paktën 5 denoncime për vjedhje në banesat ku punonin por mesa duket “pika që derdhi gotën”, ishte grabitja në banesën e zyrtares së Kryeministrisë, ish- drejtores së kabinetit të “Tigrit” Arben Ahmetaj, Alda Klosi.
Për vetë pozicionin, e ka patur të lehtë të vërë në lëvizje policinë, e cila ka gjetur grabitësit. Sigurisht, janë vënë pas hekurave dhe me gjasë, duhet të japin llogari edhe për shumë “zollume” të tjera, të cilat mbase e ngrejnë vlerën totale të grabitjeve në mbi 1 milion euro.
Por kjo është vetëm “njëra anë e medaljes”. Pyetja e parë që lind jo vetëm për zyrtaren e Kryeministrisë por për të gjitha familjet e grabitura është: Cili është burimi i fitimit të të ardhurave disa mijëra euroshe? Më pas, pyetja e radhës lidhet me origjinën e vlerën e bizhuterive të floririt. Pyetja e tretë e natyrshme është nëse paratë janë deklaruar që shteti të marrë pjesën që i takon. E fundit, pse duhet të mbahen jashtë bankave mijëra euro kur ligji përcakton sa është shuma që mund të mbahet CASH në banesë?
Me një shikim të thjeshtë konstaton se eurot janë të prerjeve 500 dhe 200, ndërsa dollarët prerje vetëm 100- she. E lehtë të kuptohet se nuk janë para “mundi e djerse”, aq më shumë kur prerjet 500- she të eurove, dihet se nga kush përdoren e qakullohen, teksa edhe bankat i kanë nxjerrë pothuajse plotësisht jashtë kursit të tyre.
Nënë e bir janë në telashe tashmë. Por jo pak në telashe janë viktimat e tyre, duke nisur nga zyrtarja e Kryeministrisë dhe familjet e tjera që i dalin për Zot parave e bizhuterive të gjetura në banesën e nënë e bir. Gjithmonë, nëse shteti është shtet dhe do të kryejë detyrën e vet.
Që ka miliona euro në qarkullim jashtë bankave, kjo është e qartë si drita e diellit. Rasti më i fundit është vetëm prova e radhës. Çmimet e apartamenteve në Tiranë, të cilat për metër katror kalojnë edhe ato të kryeqyteteve të Europës e ndoshta botës, prej vitesh shqetësojnë të gjithë. Me përjashtim të strukturave të specializuara të shtetit.
Robin Hood vidhte të varfërit për t’ ua dhënë të pasurve. Nënë e bir vidhnin për të garantuar jetën e tyre luksoze, nga ata që me gjasë, vidhnin të tjerër, në rrugë të pista, shtetërore apo private. Sigurisht, duke i bërë një sherbim këtij vendi. Nëse duam të “ndjekim paranë” për të shkuar aty ku duhet. Siç thoshte dikur… /Nga Blerti DELIJA/