Në mbledhjen e fundit lideri i PD- së Sali Berisha përcaktoi rrugëtimin deri në zgjedhjet e vitit 2025: Kthimi i votës së lirë, largimi i Edi Ramës dhe qeveri teknike! Në fakt, ngjajnë si dy pika uji me kerkesat e PD- së në kohën që drejtohej nga Lulzim Basha, në prag të zgjedhjeve të vitit 2017. Mrrëveshja e 17- 18 majit 2017, solli largimin e Edi Ramës nga drejtimi “de facto” i qeverisë së asaj kohe, duke ia lënë Ledina Mandisë si zëvendëskryeministre. Në fakt, kjo e fundit, kur zgjedhjet u humbën sërish, tregoi se nuk kishte thuajse asnjë pushtet, nuk i bindej askush. Konkretisht, nga marrëveshja, opozita e kohës mori jo pak në dukje, duke nisur nga shtyrja e zgjedhjeve me 25 qershor 2017. Postet që mori PD- ja ishin si më poshtë:
Zëvendëskryeministër,
Ministri i Brendshëm, teknik
Ministri i Arsimit, teknik
Ministri i Shëndetësisë, teknik
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, teknik
Ministri i Financave, teknik
Ministri i Drejtësisë, teknik
Drejtori i OSHEE
Drejtori i Përgjithshëm i Aluiznit
Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave
Drejtori i pergjithshem i Burgjeve
Drejtori i pergjithshem i Agjensisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural
Kandidaturat e mësipërme do të jenë propozim i opozitës
Kryetari i KQZ, propozim i opozitës.
Avokati i Popullit, propozim i opozitës
Edi Rama i plotësoi çdo kerkesë PD- së dhe Bashës, teksa të gjithë zyrtarët qëndruan në detyrë deri në nisjen e legjislaturës së re në shtator 2017. Sa i takon rezultatit të zgjedhjeve të 2017- ës, PD- ja mori rezultatin më të keq historik, edhe më dobët se në 1997. Nga ana tjetër, LSI mori rezultatin më të mirë historik, duke qenë pjesë e opozitës.
Sali Berisha, si kryetar i PD- së, 7 vite më pas, futet në të njëjtin rrugëtim parazgjedhor. Nuk është aspak çudi që Edi Rama, të kënaqë sërish kërkesat e opozitës, nëse ajo kmbëngul duke pranuar paraprakisht rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025. Sepse nëse e kujtoni, kontestimi i zgjedhjeve nga Basha në 2017- ën, ishte i vakët, pasi mori atë që kërkoi dhe nuk ishte më i besueshëm si pjesë e qeverisë teknike të kohës.
Nëse do të ndërtohet një qeveri teknike 3 apo 6 muaj para zgjedhjeve, bie edhe kauza e protestave kundër Edi Ramës. Nuk është çudi që në një marrëveshje të mundshme, të parashihet se tubimet apo protestat të ndalen deri në muajin zyrtar të fushatës elektorale. Sepse natyrshëm, Rama do të kërkojë e të marrë ndonjë bonus nga marrëveshja.
Në këtë rrugëtim të përcaktuar nga Berisha për PD- në e demokratët, nuk cënohet aspak sistemi aktual i ngritur, i cili për shumë arsye që kërkojnë analizë, siguron fitoren e zgjedhjeve nga qeveria. Që qeveria teknike të ketë mundësi efektive të bëjë ndryshimet e duhura në funksion të qëllimit të Berishës e PD- së, kur ajo ndërtohet të paktën 1 vit para zgjedhjeve dhe me mundësi reale ndryshimesh nga niveli i zëvendësministrave e deri tek zyrtarët më të thjeshtë të këtij vendi.
Edhe lista e drejtuesve politikë në qarqe, të përcaktuar nga PD- ja, është nën shenjën e vazhdimësisë së 2017- 2021. Mungesa e një figure nga Shkodra, në drejtimin e qarkut të Shkodrës apo një qarku tjetër, është mangësi jo e vogël. Shkodra ka qenë bastion i padiskutueshëm i PD- së, edhe në periudhat e saj më të vështira si 1997 apo 2019.
Belind Këlliçi është figurë relativisht e re por u provua në Tiranë një vit më parë; Oerd Bylykbashi është pjesë e stafit të ngushtë të Bashës që i parapriu marrëveshjes së 2017- ës, Agron Gjekmarkaj vazhdon të jetë i pacentruar politikisht ndërsa këto kohë njihet më shumë për fejton- pamfletet shpotitëse; Luçano Boçi theu herësin në Elbasanin e tij por në Shkodër është histori tjetër për të; Gazment Bardhi gjeti më në fund “rrugën” drejt Berishës por ishte ministër ne qeverinë teknike dhe krahu i djathtë i Bashës edhe në 2017- ën; Flamur Hoxha është vijimësi e 2017- 2021; Xhelal Mziu i provuar përmes humbjeve; Ervin Salianji gjeti “rrugën” drejt Berishës por nuk ngjall besueshmëri tek demokratët; Ivi Kaso ndër njerëzit më të besuar dhe afër Lulzim Bashës; Eno Bozdo figurë e stërprovuar në humbje në fushatat e PD- së; Bujar Leskaj berishist i palëkundur por nuk kujtohet se kur ka fituar për herë të fundit; Tritan Shehu humbës i rregullt si drejtues i fushatave në Jug të vendit. Fatkeqësisht, PD po ecën në rrugën e vijimësisë së 2017- 2021, edhe pse kishte mundësi të propozonte figura të reja si në Shkodër, për shembulli Eliona Shkreli, Irena Shestani, Florian Bjanku, Greta Bardeli, Emilia Koliqi por edhe shumë të tjerë që kanë dhënë prova të shumta këto vitet e fundit si opozitarë të fortë e konseguentë. “Xhaketat e kthyera” nuk mund të garantojnë arritjen e objektivit të PD- së, sidomos kur ecet në të njëjtën rrugë, të provuar si të pasuksesshme.
Futbolli, ka një rregull që vlen edhe në jetën e përditshme: Skuadra fituese nuk ndryshohet! Vetëkuptohet se çfarë ndodh me skuadrën humbëse, sidomos kur është seriale. Nuk mund të shpallesh kampion me të njëjtën skuadër humbëse dhe aq më keq, me të njëjtën strategji, të provuar humbëse të paktën në periudhën 2017- 2021.
Ndërkohë, ajo që është më e rëndësishme për qytetarët, oferta politike e opozitës, akoma nuk ka asnjë shenjë. Pas gati 11 viteve në opozitë, kjo e fundit ka prioritet, mbase të natyrshëm, rikthimin në pushtet. Ajo që nuk është e duhura, është rruga, mekanizmi i zgjedhur. Cili është ai? Mbase nuk është e lehtë të identifikohet por qeveria teknike dhe protestat, nuk janë më e mira dhe e sigurta drejt pushtetit. Kujtoni 2017- ën… /Nga Sokol N. SOKOLI/