Sot duhet të ishte një ditë krenarie kombëtare! Pavarësisht se e pamenduar deri në dateje siç ndodhte me shumë kombe të tjera, data e 28 nëntorit 1912, është padyshim ndër më të rëndësishmet por jo më e rëndësishmja për shqiptarët. Një deputet i parlamentit turk të kohës, vend që na mbajti përdhuni thuajse 500 vjet nën thundër pushtimi, ishte nismëtari i një procesi që vijonte pa ndërprerje prej shekujsh, të paktën nga koha e Gjergj Kastriot- Skenderbeut.
Disa rreshta, mbase me kaligrafinë e Luigj Gurakuqit, shkruajtur në një fletë fletoreje të thjeshtë, përbëjnë sot e kësaj dite dokumentin më të rëndësishëm të shtetformimit tonë. Origjinali i këtij momenti të rëndësishëm që feston sivjet 110- vjetorin, është zhdukur pa lënë gjurmë, siç edhe shumë visare të tjera me vlerë. Fatmirësisht, kemi një foto falë Marubit të madh, e shkrehur në përvjetorin e 25- të Pavarësisë, të cilit i referohemi çdo vit. Po ashtu, kemi një foto të 1- vjetorit të shpalljes së pavarësisë, si për të treguar se ky moment ishte thuajse rastësor, i përgatitur paraprakisht.
Përtej këtyre fakteve që janë të pamohueshme, vijimësia e këtij shteti që lindi zyrtarisht me 28 nëntor 1912, nuk ka lënë shumë shteg për krenari. Lufta politike ka qenë perherë e ashpër në mes vedit. Thuajse në çdo etapë, përçarja edhe politike, është më dominuese se dëshira për të ndërtuar shtet. Ndoshta një pauzë e shkurtër, edhe ajo me mjaft dritë- hije, janë 11 vitet e monarkisë. Sigurisht, me dyshimegt e përhershme të historiografisë që asnjëherë nuk arriti të thotë me bindje e prova fjalën e vet.
45 vitet e regjimit komunist, përtej sloganit “fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut”, nuk solli asgjë të mirë e pozitive në shtetformim. Një diktaturë e egër, ia doli të transformojë edhe shqiptarët, pjesën më të madhe të tyre, duke i kthyer në humanoidë të tipit “njeriu i ri, vepra më e ndritur e partisë (PPSH)”. E pasojat e asaj periudhe, ndoshta edhe të tjerave më përparaë, vazhdojmë ti vuajmë këto 32 vite, e me gjasë e fatkeqësisht, do të vazhdojmë ti pësojmë direkt apo indirekt edhe për shumë e shumë vite. Deri sa natyra të përmbyllë ciklin e saj si për çdo frymor.
Sot, më pak shqiptarë festojnë këtë 28 nëntor brenda kufijve shtetërorë. Hemoragjia e shpopullimit po ndjehet çdo vit e më shumë, me pasoja të tmerrshme për të sotmen e sidomos për të ardhmen. Sot, më shumë mundësi, më shumë shqiptarë të Shqipërisë jetojnë jashtë kufijve se brenda tyre. Madje, brenda një kohe të shkurtër ia kemi kaluar edhe Italisë në këtë raport, një vend që konsiderohet shembull i emigracionit masiv në vite, dekada e shekuj. Për varfërinë e thellë të një pjese të shqiptarëve që kanë mbetur brenda kufijve shtetërorë, nuk ia vlen të diskutohet…
Me 28 nëntor, të gjithë bashkë. 24 orë më pas, përsëri futemi në hullinë e krijuar prej qindra vitesh në marrëdhëniet mes shqiptarëve. Duhet festuar, sepse është kthyer në traditë. Ndërsa festojmë Halloinin nga 1990 si të ishim amerikanë safi, ia vlejmë të festojmë edhe 28 nëntorin! Gëzuar! /Nga Blerti DELIJA/