Nga Tirana zyrtare akoma nuk ka ndonjë reagim. Zyrat e Bashkimit Evropian në Bruksel janë bërë shënjestër e sulmeve të protestuesve, të cilët kundërshtonin masat anti-COVID në Belgjikë. Lajmin e ka bërë të ditur përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme, Joseph Borrell, i cili ka pozuar para një xhami të thyer të institucionit.
“Dënojmë fuqishëm shkatërrimin dhe dhunën e pakuptimtë në protestën e sotme në Bruksel”, ka shkruar Borrell në llogarinë e tij në Twitter.
Tirana zyrtare, e cila ka një ndjeshmëri të skajshme karshi protestave të dhunshme, hesht! Nuk dënon dhunën për ato institucione që për një vend aspirant në BE, duhet dhe janë thuajse të shenjta. Po ashtu, nuk ka mbretër, presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm e kryebashkiakë qytetesh që e dënojnë këtë dhunë. Arsyeja? Shumë e thjeshtë. E drejta për të demonstruar, edhe për të thyer, prevalon dhe duhet të prevalojë mbi dëmtimin e disa objekteve që nuk frymojnë. Edhe për një arsye tjetër, sepse të gjitha dëmet do të paguhen nga xhepat e taksapaguesve. Ose të Belgjikës, ose të Bashkimit Europian. Dëmet madje, mund të konsiderohen edhe si “dëme anësore”, term që preferohet këtej e andej Atlantikut.
Nga 8 janari e më pas duke u kthyer në kohë, edhe në Shqipëri protestat kanë qenë po kaq të dhunshme. Edhe ndërhyrja e policisë ka qenë në ato nivele, madje në Shqipëri, më pak proporcionale. Diplomatët në Tiranë në çdo rast nxituan të dënojnë dhunën. Jo vetëm kaq. Direkt apo indirekt drejtuan gishtin edhe mbi fajtorët. Ndërsa këto orë, diplomatët e Tiranës që përfaqësojne shtete të BE- së që Brukselin e konsiderojnë kryeqytet, nuk ndjehen fare. Sepse askush nuk “u’ a var torbën”.
Sigurisht, një njeri me “dy pare mend” në kokë, nuk është pro dhunës, dëmtimeve të pronës publike e private. Por nuk duhet të ekzistojë asnjë frymor që të kundërshtojë të drejtën e protestës për arsye që një individ, disa, qindra apo mijëra, mendojnë se kanë të drejtë. E në mes të dyjave, zgjidhja, të paktën në vende të zhvilluara e përendimore është e qartë. Protesta nuk preket, nuk diskutohet. Sepse të gjitha llojet e dëmeve materiale të shkaktuara nga ato, kanë më pak vlerë se e drejta e protestës.
Njerëzit protestojnë kur ndjehen të dhunuar në liritë e tyre. Protestojnë kur mendojnë se po u bëhet një apo disa padrejtësi. Protestojnë edhe për të treguar mosdakordësinë e tyre me vendimmarrje që ndikojnë në jetën e tyre. Siç ishte edhe rasti i Brukselit por edhe dhjetra qyteteve të tjera europiane për masat antiCovid. A kanë gjithmonë të drejtë ata që protestojnë? Përgjigja mund të jetë edhe negative, por askush nuk guxon të vërë në diskutim këtë të drejtë sublime. Askush nuk nxiton ti quajë vandalë, qafëleshë, shpellarë e cilësorë të tillë.
Shoqëria njerëzore ka arritur këtu ku është sot pikërisht prej protestave. Shumë liri e të drejta që nuk mendoheshin para 100- 200 vjetëve, janë fituar përmes protestave, pse jo edhe të dhunshme. E sot, pikërisht për këto liri e të drejta shoqëria njerëzore krenohet dhe pakkush e askush kujtohet se u arritën me protesta, edhe të dhunshme. Edhe reagimi i Joseph Borrell, me të cilin u nisën këto radhë, është një lloj proteste verbale. Edhe vetë ai, përmes një proteste, proteston për protestën që i ka dëmtuar zyrën në ndërtesën e BE- së. Çdo reagim ka një kundër reagim, qoftë verbal, qoftë me akte konkrete fizike.
Shqipëria nuk është rritur akoma. Mbetet një fëmijë që nuk di çfarë është e rëndësishme dhe jetike për të. Nuk e kupton akoma se protestat, edhe të dhunshme e rrisin, madje e përafrojnë me Bashkimin Europian. Sepse rriten qytetarët e saj, mësohen të kërkojnë me të gjitha mjetet demokratike të drejtat e liritë e tyre. Sepse edhe protesta e dhunshme është një mjet demokratik. Ndryshe, do të nxirrej jashtë ligjit kudo në botë, Europë e SHBA.
Në një protestë jo të gjithë shfaqen apo janë të dhunshëm. Disa kanë ndeshmëri më të lartë, reagojnë më shpejt, ndjehen më të kërcënuar nga forcat e sigurisë përballë, u nxit më shpejt reagimin gazi lotsjellës. Por përkrah tyre, mund të ketë qytetarë që janë mëse paqësorë dhe kanë armë vetëm fjalën, zërin e tyre. Po si mund ti dallojë policia këto individë? Gati e pamundur, prandaj duhet toleruar që për shkak të një apo disa “fajtorëve”, ta pësojnë edhe ata që shfrytëzojnë të drejtën e tyre për tubim paqësor.
Në shumicën e rasteve të protestave në Shqipëri, dëmtohen ndërtesa publike dhe fare pak ato private. Në shumë protesta në Europë, në Itali, Francë e gjetkë, e pëson edhe prona private, me dëme që kalojnë vlerat e miliona eurove. Megjithatë, askush nga këto pronarë bisnesesh, qofshin edhe konsorciume të fuqishme ndërkombëtare, nuk pozicionohet kundër protestave, kundër të drejtës për të qenë kundër edhe me shumicën.
Frika nga protestat e ka edhe një arsye tjetër. Askush në BE nuk shqetësohet se mund të rrezikojë pushtetin e marrë me votë nga një apo disa protesta, qofshin edhe të dhunshme. Në Shqipëri, çdo protestë ngjall menjëherë frikën e rrëzimit nga pushteti. Prandaj ato duhen parandaluar, duhen shtypur nëse shfaqen, edhe në masë joproporcionale me intensitetin e tyre. Për këtë arsye, ndër porositë e para çdo vit, janë qindra e mijëra tonelata gaz lotsjellës, veshje speciale kundër protestave, mjete për shpërndarjen e tyre etj.
Shendeti apo jeta e një njeriu, nuk krahasohet as me shembjen e ndërtesës më të madhe qeveritare kudo në botë. Sepse çdo ndertesë mund të ringrihet nga e para por jeta e një njeriu, shendeti i tij, nuk mund të rikthehen më aty ku ishin para një proteste, qoftë edhe e dhunshme. Ky është mesazhi që vjen edhe nga Brukseli, ky është mesazhi që duhet të kuptojmë e të promovojmë të gjithë ne. Nëse duam të jemi të denjë për familjen europiane. /Nga Blerti DELIJA/