Gramoz Ruçi ka njoftuar largimin nga postet dhe pozicionet ekzekutive në Partinë Socialiste. Zyrtarisht, gati 70- vjeçari Ruçi ka ikur me dëshirë. Më saktë, do të ikë nga shtatori i këtij viti, duke mospranuar së pari marrjen e mandatit të deputetit të fituar me 25 prill në Fier e më pas, duke u dorëhequr nga çdo pozicion ekzekutiv në partinë e tij. Me shumë mundësi, do të vijojë të jetë pjesë e Asamblesë së PS- së, ndërsa nuk përjashtohet edhe mbetja e tij si antar i Kryesisë.
Sigurisht, largimi i “komandantit” (termi me të cilin ai thirrej nga brenda PS- së që nga koha kur kryetar ishte Nano), nuk është një vendim i momentit të fundit. Është i mirëmenduar dhe sipas gjasave, edhe jo aq shumë me dëshirë. Siç thuhej në partinë e Ruçit para 1990- ës, “me orientim nga lart dhe me iniciativë nga poshtë”.
Për hir të realitetit, Gramoz Ruçi, pavarësisht se një nga njerëzit absolutisht më me ndikim në PS, nuk ka mbajtur asnjherë poste qeveritare. I vetmi është ai i ministrit të brendshëm për disa muaj (shkurt- maj 1991) dhe për të cilin u akuzua si i përfshirë në ngjarjet tragjike të 2 prillit 1991 në Shkodër. Në Shkodrën që tepelenasi e njihte mjaft mirë, ku studioi për dy vite në Institutin e Lartë Pedagogjik (1969- 1971) për mësuesi.
Në fakt, mësuesia nuk bënte për të. U bë pjesë e Gardës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në vitet 1972- 1974 për tu rikthyer sërish në bankat e Institutit të Lartë Pedagogjik të Gjirokastrës në vitet 1975- 1977. Siç ndodhte çdo herë në ato vite me “kuadrot” që do të vazhdonin në “rrugën e Partisë”, edhe Gramoz Ruçi do të kryente më 1979 – 1981 studimet në shkollën e partisë “V. I. Lenin” në Tiranë.
Kjo është pika e kthesës e tij në karrierën që do ta përfundonte vetëm pak ditë më parë. Më 1982 – 1986 do të emërohej sekretar i këshillit popullor në Progonat dhe më 1986 – 1989 u emërua sekretar partie në rrethin e Tepelenës. Në kapërcyell të ndërrimit të sistemeve në Shqipëri, në vitet 1990 – 1991 do të bëhej sekretar i parë i Partisë së Punës në Tepelenë. Mesa duket, këtu i shndriti edhe ylli, teksa iu besua i pari, i vetmi dhe i fundit post ekzekutiv si ministër i Brendshëm, duke pasuar Hekuran Isain në qeverinë e Fatos Nanos.
Gjatë kësaj periudhe, siç duket Gramoz Ruçi kreu edhe ndonjë “sherbim”. Sipas drejtorit të mëvonshëm të shërbimit sekret, Bashkim Gazidede, në periudhën 1991-92 kur shërbimi sekret ishte ende i inkuadruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, qenë zhdukur mbi 10 mijë dosje me firmën e ministrit Ruçi. Viti 1991 shënoi fillimin e 30 vjeçarit ku pesha dhe roli i Gramoz Ruçit në PS por edhe në politikën shqiptare, do të ishte i jashtëzakonshëm, edhe pse jo radhë gati i padukshëm për publikun.
Nuk është e vështirë të kuptohet se karriera e Gramoz Ruçit nuk ishte e rastësishme. Nuk është e vështirë të hamendësohet se një karakter si i tij, të tërhiqet me dëshirë nga politika aktive. Aq më tepër, kur gëzon një shëndet të plotë e të fortë. Aq më shumë kur të vetmet skandale, nëse mund të quhen të tilla, janë përfshirja e fëmijëve në disa ngjarje ordinere apo edhe largimi nga Shqipëris në një situatë të vështirë i maskuar si grua drejt Greqisë.
Sigurisht që Gramoz Ruçit iu kërkua të “vetëlargohej”. Iu përgatit edhe një dalje nga skena si një yll futbollit, në një Asamble socialiste në stadiumin “Air Albania”. Nuk munguan as vlerësimet deri në hiperbola siç edhe shtrëngimet e duarve dhe qurravitjet publike të fansave. Pas shpalljes “non grata” të Berishës, nuk ishte e vështirë të hamendësohej se do të kishte edhe të tjerë. Prej shumë e shumë muajsh flitet që edhe Gramoz Ruçit i është refuzuar viza drejt SHBA- ve. Nuk do të ishte çudi që emri i tij, ndodhta edhe i disa të tjerëve, të vinte si “non grata” nga SHBA- ja.
Kështu, me largimin e tij me “dëshirë” nga politika aktive, Gramoz Ruçi i bën sherbimin e fundit partisë prej të cilës mori gjithçka por edhe i dha shumë, sidomos për ta mbajtur të bashkuar në rrethana të ndryshme. Nëse do të qendronte në politikë, ai do të ishte sërish kryetar i Kuvendit. Shpallja “non grata” e tij në një pozicion të tillë, do të ishte shkatërrimtare për PS-në e Edi Ramën. Sipas gjasave, nga shtatori, edhe nëse emri i tij del publikisht “non grata”, PS- ja nuk dëmtohet thuajse hiç. Sepse është Gramoz Ruçi, ish- i PPSH- së dhe ish- i PS- së. /Nga Blerti DELIJA/