Pak kush kishte dyshime se me nisjen e lëvizjes në PD për ta rimarrë atë, Sali Berisha nuk do t’ ia arrinte qëllimit. Ishte e qartë si drita e diellit se ai do të rivihej në krye të partisë që bashkëthemeloi, ashtu siç edhe do të rimerrte selinë e PD- së dhe zyrën e kryetarit. Vetëm një budalla mund ta mendonte se një vendim gjykate, shpallje “non grata” apo edhe mosha 77 vjeç, mund ta pengonin në rrugëtimin e tij. Këmbëngulja, vullneti dhe vendosmëria janë cilësi që Berisha i ka treguar prej vitesh.
7 korriku, protesta e thirrur nga ai në një periudhë aspak të përshtatshme të motit me temperatura mjaft të larta, ishte prova e vertetë për Sali Berishën. Për të qenë në Tiranë në orën 19.00, protestuesit janë nisur nga qytetet e tyre në orët e pikut të temperaturave të larta, në Shkodër për shembull, në orën 15.00. Kësaj here, Berisha kishte edhe një aleat shumë të fuqishëm: Situatën e rëndë ekonomike dhe paaftësinë e qeverisë për ta zbutur. Edhe për shkak të mosveprimit të saj për të shpërndarë fitimet e shtuara në arkën e shtetit, fiks për shkak të rritjes së çmimeve.
Durimi nuk është sosur por është afër pikës më kritike. Vështirësitë ekonomike janë shtuar me afrimin e dimrit, nëse qeveria nuk reagon me masa të forta financiare, fatkeqësisht do të përkeqësohet. Rritja e pritshme e çmimit të energjisë, qoftë edhe për një masë që konsumon 800 kWh orë në muaj, do të ketë pasoja. Aq më shumë kur konsumi shkon drejt rritjes me uljen e temperaturave. Po ashtu, edhe deklarimet e fundit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, rritja e normës së interesit nga bankat për valutat, janë tregues së fuqia blerëse e lekut do të vazhdojë të ulet. Pra, inflacioni do të rritet.
Përveç pjesës ekonomike, e cila godet direkt xhepat e shqiptarëve, korrupsioni galopant me paratë e shtetit, me simbol një gjyshe në pension me 30 milion euro në bankë nga lekët e inceneratorëve, është një tjetër aleat i fortë i Sali Berishës. Ai ia ka arritur gradualisht dhe me shumë talent, të zhvendosë gjilpërën e peshores nga “non grata” e tij, tek hallet e problemet e përditshme të shqiptarëve. Kjo u pa edhe sot, me një pjesëmarrje të papritur në numër të shqiptarëve në protestë. Me gjuhën e shahut, Berisha nga sot luan me “të bardhët” dhe është një lëvizje para armikut, ashtu siç e cilësoi ai sot Ramën në ligjeratë të drejtë. E shpalli armik dhe jo rival, pasi i përmendi të këqijat që sipas tij, Rama i ka shkaktuar shqiptarëve. Në mes tij dhe Ramës, Berisha ka vendosur popullin, qytetarët.
Me gjasë, e sotmja është vetëm protesta e parë e një cikli të gjatë. Edi Rama e njeh mirë dhe e ka të provuar në distancë, në kurriz në 8 vitet e qeverisjes së PS- së me Nanon. Berisha tashmë, do të jetë shpesh, shumë shpesh, poshtë dritares së Edi Ramës në Kryeministri. Këtë shqiptarët por edhe kryeministri Rama e di mirë. Sot, ka nisur zyrtarisht një ndeshje boksi, ku Berisha ka revanshin dhe Rama duhet të mbrohet. Nga sot, nuk mjaftojnë më deklaratat e ndërkombëtarëve, as edhe fjalimet apo “riedukimet” e gazetarëve. Rama duhet të zbresë në fushë, të njohë “të vdekurin e pakallur” siç e quan ai Berishën, si rivalin e tij për karrigen e kryeministrit. Të përballet në Kuvend, në deklarata shtypi por edhe në tryeza përballë për çeshtje të rëndësishme.
Nuk parashikohej, por kishte shumë që prisnin që Berisha sot të tregonte forcë dhe jo vetëm me numra. Blindimi i dyerve e dritareve të Kryeministrisë, largimi i fiksimit artistik të Ramës, “Kërpurdhës” së famshme, blindimi i hyrjes së Kryesisë së Kuvendit, sherbenin edhe si nxitje që dikush nga protestuesit, të tentonte këto ndërtesa. Pas fjalës së Berishës, protestuesit u larguan qetësisht dhe në shesh mbetën vetëm shishe uji bosh, që nisën të pastrohen nga punëtorët e Bashkisë Tiranë.
Në fund, një pyetje retorike. A ka kuptim të pritet vendimi i Gjykatës së Apelit në Tiranë për të caktuar se kush është kryetari legjitim i PD- së dhe i opozitës shqiptare?! 7 korriku, për arsyet më sipër por edhe shumë e shumë të tjera, dha përgjigje të qartë. Fatmirësisht, pavarësisht mijëra problemeve, opozitën dhe liderin e saj, e caktojnë qytetarët dhe nuk e emëron dot gjykata. /Nga Blerti DELIJA/