Nuk ka mbetur shqiptarë të mos e kuptojë se Këshilli Politik, pa praninë e Opozitës së Bashkuar, nuk mund të funksionojë. Asnjë mbledhje e vendimmarrje pa praninë e saj, nuk mund të jetë e vlefshme.
Këshilli Politik u krijua si një strukturë bipartizane: PS dhe Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjdhore nga njëra anë, PD dhe Opozita e Bashkuar nga ana tjetër. Ky fakt tashmë është publik.
Mbledhja e sotme nuk është asgjë më shumë se mbledhje e Komisionit të Reformës Zgjedhore, me bashkëkryetarë Gjiknurin e Hajdarin dhe me praninë e kryeministrit Rama me disa deputetë të asaj që rëndom quhet “opozita e re”. Është abuzim i madh të konsiderohet mbledhje e Këshillit Politik pa praninë e PD dhe Opozitës së Bashkuar. Madje, me mospjesëmarrjen e paralajmëruar sot nga këto faktorë, mbledhja shumë mirë mund të zhvillohej në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, ashtu siç mblidhej zakonisht Komisioni i Reformës Zgjedhore.
Për të folur me një gjuhë disi më juridike apo të kuptueshme, mbledhja e Këshillit Politik, edhe nëse e quan kështu kryeministri Rama, është e pavlefshme, sikur të mos kishte ndodhur apo NUL! Arsyen e shpjeguam më sipër.
Siç e kanë pranuar edhe vetë eksponentë të PS-së por edhe “opozitës së re”, Këshilli Politik është një mekanizëm mbi Kuvendin, për të mundësuar marrëveshje politike për çeshtje të rëndësishme, këtë herë Reformën Zgjedhore. Edhe para krijimit të Këshillit Politik, PS dhe “opozita e re”, i kishin numrat në Kuvend për të miratuar ndryshime kushtetuese e madje edhe 94 vota për të shkarkuar presidentin Meta.
Problemi vijon të mbetet juridik e moral. Në mungesë të krijimit e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, askush nuk mund të thotë nëse zëvendësimi në bllok i deputetëve të Opozitës së Bashkuar pas dorëheqjes së tyre, është kushtetues, ligjor dhe i bazuar në Rregulloren e Kuvendit. Askush nuk ka kompetencë ta interpretojë nëse Kuvendi me vetëm 122 deputetë nga 140 që parashikon Kushtetuta, është plotësisht sovran. Nga këtu, edhe ideja e plazmiar në Këshillin Politik, i cili përmes vullnetit politik të aktorëve kryesorë në vend, ti jepnin legjitimitet juridik e moral Kuvendit në vendimmarrjet e tij të rëndësishme. Nuk ka nevojë të jesh jurist për të kuptuar këtë fakt të thjeshtë. Me 23 korrik, Kuvendi do të miratojë pa asnjë ndryshim Reformën Zgjedhore, ashtu siç e paraqiti Këshilli Politik. Të paktën, ky është premtimi i dhënë sot edhe nga vetë Rama.
Numrat në parlament apo “opozita e re”, në kushtet kur nuk ka një Gjykatë Kushtetuese të shprehet për ligjshmërinë e zëvendësimit të deputetëve të dorëhequr të Opozitës së Bashkuar, me numrin 122 të deputetëve nga 140 që parashikon Kushtetuta në Kuvend, nuk janë asgjë më shumë se një opozitë e krijuar dhe administruar nga vetë PS-ja. Në këto kushte, çdo ndryshim kushtetues dhe i rregullave “të lojës” demokratike në këtë vend, jashtë Këshillit Politik me praninë e PD-së dhe Opozitës së Bashkuar, nuk ka dhe nuk mund të ketë legjitimitet të asnjë lloji e natyre.
Vertetë që demokracia në fund konvertohet në numra, por në numra të bazuar mbi rregulla “loje” të bashkëpranuar, bazuar mbi vullnetin e sovranit- popull! /Nga Sokol N. SOKOLI/