Ministren Edona Bilali nuk po e sulmon opozita! E thjeshtë të kuptohet, sidomos pas publikimit të ditës së sotme të kryetarit të PD- së Sali Berisha në Facebook. Ai ka ripostuar një artikull të një portal- gazete, jo nga më të njohurat dhe ndër të vetmet që i kushtuan rëndësi e hapësirë “aferës” së start- upe- ve të përfituara në formën e granteve nga subjekte e individë pas aplikimit në Ministrinë për Mbështetjen e Sipërmarrjes që drejtohet nga Edona Bilali.
Nëse do të ishte çeshtje apo temë me ndjeshmëri për opozitën, si edhe në raste të tjera të ngjashme, sulmet do të nisnin e bitisnin nga foltorja e selisë blu, minimalisht nga media e portale pranë këtij krahu politik. Edhe për “afera” më pak të rëndësishme, edhe për individë më me pak peshë të kësaj qeverisje- mazhorance, edhe për bashki në qarkun e Shkodrës madje, PD- ja është investuar në dalje të shpeshta mediatike. Konkretisht, për bashkinë Vau Dejës.
Nuk është e vështirë të kuptohet se sulmet Edona Bilalit i vijnë nga brenda “familjes” së saj politike. Ajo që nuk kuptohet të paktën për momentin, nuk dihet nëse janë të dirigjuara nga maja e piramidës apo ndonjë segment në bazën e saj. Media, e cila nisi e bitisi investigimin, ka ndërruar kohët e fundit pronar. Një emër shumë i njohur si biznesmen e pasanik, është tashmë aksioner- pronar. Nuk ka asnjë mundësi që sulmet të jenë iniciuar nga brenda kësaj media sepse koha ishte shumë e shkurtër që pronari i ri, të kishte informacion për “aferën” e start- upe- ve. Aq më shumë, kur edhe nëse është vertetë i tillë, nuk është abuzimi më i madh e i dukshëm, më i dëmshëm i kësaj shumice që qeveris vendin. Është akoma në këmbë afera e incenaretorëve, sa për të përmendur një më të rëndësishme.
E vështirë të besohet se Edona Bilali nuk ka, të paktën indicie por edhe prova lidhur me këtë temë, nga po i vijnë sulmet publike. Nuk është rastësi që tema e start- up- eve u bë çeshtje pasi ajo u largua si drejtuese politike e PS- së për qarkun e Shkodrës. Nuk është po ashtu rastësi që Bilali lëviz publikisht më shumë në bashkinë Pukë apo Malësi e Madhe se në bashkinë Shkodër. Nuk është po ashtu rastësi që ajo nuk është e pranishme në turin politik të Elisa Spiropalit me Benet Becin, në atë që mund të konsiderohet “fushata e pashpallur” për Bashkinë Shkodër. Bilali nuk është më drejtuese politike e qarkut Shkodër, por vijon të jetë deputete e ministre. Pra, figurë e rëndësishme politike.
Deri në Shkodër kanë mbërritur zëra se lidershipi qendror i PS- së nuk ka të njëjtin mendim pozitiv për Edona Bilalin siç e ka patur kur e vendori në krye të listës së kandidatëve për deputetë në 2021- in, kur e emëroi drejtuese politike për qarkun Shkodër apo kur e mori në kabinet si ministre shteti. Madje, të tjerë që janë pjesë e “klaneve” vendore të PS- së “Beqja” apo “Bushati”, thonë në tavolina se Bilali i ka “ditët e numëruara” edhe si ministre. Sigurisht, mund të jetë çdo gjë në kuadër të “luftës brenda llojit” në degën vendore të PS- së.
Sulmi i drejtperdrejtë i Berishës për Bilalin, pa dyshim është një bonus në pozicionin aktual aspak komod të ministres së shtetit. Ndërsa media e portale heshtën për “aferën” e start- up- eve, u krijua ideja se Bilali po i “nënshtrohej” fatit si e “linçuar” nga brenda “familjes”. Papritur, i vjen në prag të festave të fundvitit, një “dhuratë” jo pak e rëndësishme. Sulmi frontal nga Berisha, e vendos Bilalin në një nivel tjetër, sidomos në planin politik. I rrit kreditet por edhe i jep njëfarë “imuniteti”. Çdo nismë e menduar të merret drejt saj, në kuptim politik apo të përgjegjësive administrative, me gjasë, minimalisht do të shtyhet. Të paktën, kështu ka ndodhur nga 2013- a me të gjithë përfaqësuesit e kësaj mazhorance që janë sulmuar- anatemuar nga Berisha prej 2013- ës.
“Pas çdo të keqeje, fshihet një e mirë, sado e vogël”, është një shprehje e përshtatur nga italishtja. Kështu është edhe në rastin e Edona Bilalit. Gjithmonë, nëse kjo e fundit nuk ka përgatitur një “skenar” për tu përballur me “aferën” e start- up- eve. Më qartë, me parimin “mbrojtja më e mirë është sulmi”. Dhe përballë Berishës, sulmi sado i vogël të jetë, ka efekt. Të paktën politikisht, të paktën përkohësisht! /Nga Blerti DELIJA/