Pa u mbushur 24 orë nga rikthimi në krye të PD- së së vulës me procedurën e dyshimtë “një antar, një votë”, Lulzim Basha nxitoi të mbledhë strukturat. Nëse Kolegji i Kryetarëve është strukturë këshillimore dhe kuorumi 50% + 1 nuk është i nevojshëm, Kryesia ka detyrimin e pjesëmarrjes mbi 50% për tu quajtur të vlefshme vendimet e marra. Ndërsa sipas mediave, morën pjesë në mbledhje 13 nga 27 anëtarët e saj.
Pavarësisht anës proceduriale, shumë e rëndësishme në raste të tilla, Kryesia ka vendosur thirrjen e Kuvendit Kombëtar me 2 shtator 2023. Ndërkohë brenda PD- së vulës, Këshilli Kombëtar ka autorizuar grupin e deputetëve të kërkojë çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës. Pyetja më normale në këtë moment është: Çfarë prishi marrëdhënien shumë të ngushtë mes Bashës dhe Bardhit? Përgjigja e parë që të vjen në mendje, ata nuk janë prishur për interesat e PD- së, as të vulës e as të Rithemelimit.
Pika më e fortë institucionale- shtetërore e PD- së së vulës ishte Grupi Parlamentar. Vetëm 8 deputetë nga 52 morën pjesë në votimin e Bashës me 29 korrik. Pjesa tjetër mungoi, duke u pozicionuar krah Bardhit por edhe Berishës. Me gjasë në Kuvend, pjesa dërrmuese e PD- ve, sepse tashme janë 3, nuk do të njohë Bashën si kryetar legjitim. Pyetja tjetër, ndoshta më e rëndësishme do të ishte: Pse nxiton kaq shumë Basha?
Gushti është muaj pushimi për gjyqësorin shqiptar. Me gjasë, nuk do merret kush as me çregjistrimin e Bashës as me konfirmimin e tij si kryetar i PD- së së vulës pas votimit të 29 korrikut. Me 2 shtator, Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha, do të zyrtarizojë Këshillin Kombëtar të vlefshëm sipas kësaj pjese të PD- së. Brenda pak orëve, Këshilli Kombëtar i zyrtarizuar me 2 shtator, do të zyrtarizojë Kryesinë e vlefshme. Kështu, do të përfundojë strukturimi i PD- së së vulës, duke vënë para faktit të kryer të gjithë. Po cili është synimi final?
Pas 14 majit, përflitet deri në entuziazëm, mundësia e futjes në bashkë qeverisje teknike apo politike “për interesa kombëtare të integrimit”, e PD- së së vulës. Më saktë, PD- së së Bashës. Ky i fundit, nuk mund të ulet në tavolinë me Ramën pa patur “legjitimitetin”, të cilin ia dhanë rreth 16 mijë votues të 29 korrikut. Por çfarë “mund të çojë në pajë” Lulzim Basha tek qeverisja e përbashkët me Ramën?
Aktualisht, vetëm 8 nga 52 deputetë duket se e mbështesin. Numër i vogël por sa dyfishi i deputetëve të LSI që i dhanë jetë qeverisë Berisha në 2009- ën. Sot, Rama nuk ka shumë nevojë për numra në Kuvend. I vetëm ka 74, ndërsa me aleat jozyrtarë, kalon 80. Megjithatë, në kuadër të procesit të integrimit, për përafrimin e legjislacionit me BE- në, ka nevojë për shumicë të cilësuar. Mbi të gjitha, ke nevojë të japë perceptimin se po i bën të gjitha bashkë me opozitën. Nuk është çudi aspak që me nisjen e diskutimit për “tortën qeveritare”, numri i deputetëve mbështetës të Bashës të rritet. Është forca e tërheqjes së pushtetit!
Tashmë me imazhin e një Zelensky të Ballkanit, Basha po përfiton nga përgjumja apo hapja e krahut nga Berisha dhe PD- ja e Rithemelimit. Edhe pas 29 korrikut, heshtja vazhdon. A mund të ketë diçka që tek pjesa e dukshme e politikës nuk identifikohet? Sigurisht që po. Asnjëherë politika nuk është e lexueshme, pjesa më e rëndësishme është ajo e padukshme, fiks si tek ajsbergu që fundosi “Titanikun” e pamposhtshëm. /Nga Blerti DELIJA/