Në një shoqëri të zhvilluar, pjesëmarrja e qytetarëve në debate publike, tregon shëndetin e mbarë të saj. Termi “shoqëri civile”, me të cilin është abuzuar pafundësisht këto 34 vite në Shqipëri dhe përmes të cilit janë fituar miliarda euro nga donatorë të huaj e vendas, në vende të tjera ka një rol të jashtëzakonshëm, duke iu imponuar edhe vendimmarrjes së institucioneve.
Këto 34 vite pak ose aspak është dëgjuar zëri i specialistëve/intelektualëve për çeshtje me interes të lartë publik. Prej një jave, opinioni publik në Shkodër, kryesisht përmes rrjeteve sociale, është angazhuar në opinione apo edhe analiza lidhur me projektin Hotel Rozafa Tower. Të gjithë, sipas profilit apo edhe dijeve të përgjithshme, japin përshtypjet e tyre. Kjo është shumë pozitive.
ShkodraWeb ka ofruar hapësirën e saj mediatike, në rrjete sociale etj., për të gjithë specialistët që mund të japin një mendim të kualifikuar lidhur me këtë projekt. Kemi kërkuar opinione/analiza nga arkitentkë, urbanistë, sismiologë, gjeografë, hidrologë, inxhinierë të të gjitha profileve që direkt ose indirekt, mund të japin një mendim më të qartë e bindës.
Deri tani, heshtje e plotë. Vazhdojnë sërish të japin opinionet e tyre vetëm qytetarë, të cilët kanë këndvështrimin e tyre, bazuar në përceptim, ajo çfarë kanë apo dëgjuar apo edhe bazuar tek ajo që mund të “lexohet” deri në këto momente për projektin. Pyetja më normale në botë: Pse heshtin specialsitët? Pse ngurrojnë të orientojnë debatin apo edhe vendimmarjen e mundshme në shinat e duhura? Pse u mungon guximi qoftë të përballen publikisht me kundërshtitë e mundshme të opinionit? Çfarë kontributi tjetër mund të japin për këtë hapësirë ku jetojnë e punojnë, nëse nuk japin thjeshtë një opinion? Si duhet lexuar heshtja e tyre? Mbase pasiguri, frikë apo dëshirë për të mos u përzier?
ShkodraWeb përsërit edhe njëherë ftesën e vet publike: Vëmë në dispozicion të gjitha hapësirat tona mediatike dhe në rrjetet sociale për opinione/analizat e specialistëve të fushës. Mund të dërgoni në çdo kohë në Messenger, Mail: info@shkodraweb.com, Whatsapp- Viber +355 67 300 20 70. Një shprehje e vjetër na mëson se “trimëria pas lufte dhe urtia pas kuvendit, nuk kanë vlerë”. Është momenti që specialistë/intelektualët të dalin nga gjendja e pasivitetit, të shërbejnë Shkodrës e shkodranëve. Në të kundërt, “të mos rrahin gjoksin” për tema të vockla! /ShkodraWeb/