Rreth 10 muaj më parë mori jetë në Kosovë ajo që njihet me emrin “Lëvizja e Deçanit” siç njihet sot ose “Lëvizja për braktisjen vullnetare të fesë islame” me moton “Të jemi vetëm shqiptarë”. Siç është e kuptueshme, do të ngjallte menjëherë reagime të shumta, në një areal gjeografik dhe shpirtëror me ndjeshmëri të lartë për çeshtjet e besimit fetar ndër shqiptarët.
Kundërshtarët, menjëherë nisën të flasin për “sponsorizim” për përmbushje të interesave të Serbisë në Kosovë, duke nxitur konvertimin në krishtërim. Lëvizja nuk vonoi shumë të përgenjshtrojë këtë tezë teksa konvertimi që po niste masivisht me grupe, ishte jo në krishtërim (term shumë i përgjithshëm që përfshin çdo besim që lidhet me Jezus Krishtin) por në besimin katolik, i cili konsiderohet si “besimi i të parëve”.
Nga ana tjetër, iniciatorët e kësaj lëvizje, edhe pse kishin moto “Të jemi vetëm shqiptar”, nxisnin apo mbështestin jo heqjen dorë nga çdo lloj besimi fetar me lajtmotivin e njohur të rilindasit shkodran Pashko Vasa “feja e shqiptarit është shqiptaria”, por largimin nga islami në drejtim të katolicizmit. Pra, të dy palët, pro e kundër lëvizjes”, kërkonin apo krijonin argumente.
Në trojet shqiptare prej mijëra vitesh, qarkullojnë dy teza. Fillimisht, për rolin parësor të klerit katolik (sidomos Françeskanëve shqiptarë) në formësimin e vetëdijes kombëtare shqiptare e, paralelisht me të, rolin e besimit islam në ruajtjen kombit shqiptarë përballë tentativave asimiluese të fqinjëve, sidomos atyre sllavë- orthodhoksë. Thuaje në heshtje, këto dy linja janë pranuar me zë apo me heshtje pohuese, nga të gjithë shqiptarët.
A është “Lëvizja e Deçanit” përçarëse ndër shqiptarët, në Kosovë, Shqipëri e kudo ku jetojnë shqiptarët sot? Për tu përgjigjur, duhen argumente që vështirë të jenë bindëse si për ata që e konsiderojnë përçarëse dhe ata që e konsiderojnë ndryshe. Koncepti i përçarjes është shumë i gjërë, duke nisur nga preferencat e ndryshme politike e deri tek ato fetare. Por në të dy rastet, janë zgjedhje individuale por që “Lëvizja e Deçanit” dhe kundërshtarët e saj, po i japin një dukje masive. Pak a shumë, me demonstrime, të ngjashme me tubimet e partive politike ku pjesëmarrësit grishen ti bien sa më shumë në sy udhëheqjes.
Ky mbase është gabimi më i madh i mbështetësve të “Lëvizjes së Deçanit” por edhe i kundërshtarëve të saj, të cilët po ndikojnë që jehona e saj të përhapet, duke harruar postulatin “nuk ka aspak rëndësi për mirë apo për keq, rëndësi ka të dikutohesh (përmendesh, kujtohesh) gjithmonë. Në thellësi apo brendësi, mund të mos mohohet apriori që kjo lëvizje siç edhe kundershtarët e saj, po zhvillojnë një “betejë” dominance fetare në trojet shqiptare por edhe shqipfolëse. Me gjasë, koha do ta tregojë, siç edhe suksesin apo dështimin e kësaj lëvizje.
Ngatërrimi i qëllimshëm apo naiv i kësaj lëvizje me aspiratën e shqiptarëve të Kosovës për Bashkimin Europian, është mjaft dashakeq, si nga mbështetësit apo kundërshtarët. Bashkimi Europian prej dekadash, është hapur dhe po hapet përditë ndaj çdo lloj besimi fetar. Në jo pak raste, edhe me kosto të tmerrshme të qytetarëve edhe të besimeve të tjera, për shkak të radikalëve, fatmirësisht, minorancë e thellë brenda komuniteteve fetare. Edhe liberalizimi i vizave pë shqiptarët e Kosovës, për lëvizjen e lirë në BE, është tregues se përkatësia fetare nuk është kriter integrues për Kosovën. Që me krijimin e vet, BE ka qenë e qartë: kombi dhe shtetësia nuk kanë lidhje me përkatësinë fetare apo përqindjet sipas shteteve. /Nga Blerti DELIJA/