Këtë histori e dijnë të gjithë shkodranët të cilët perjetuen nandorin e vitit 1944. Por kjo histori ka kalue edhe në brezat e bijve të tyne. Rreth kësaj historie ka folë shkodrani Stef Staku, i cili e din këtë histori nga i ati, patrioti shkodran Zef Staku dhe nga nana e tij shkrimtarja Lajde Staku. Këtë që ka tregue Stef Staku, e që e din e gjithë breznia e atëhershme, e ka pershkrue shkrimtarja shkodrane Marita Bekteshi Urbano në nji shkrim të saj me titull “Historia e ushtarit të fundit dhe çlirimi i Shkodrës më 20 Nëntor 1944” të publikuem në https://www.voal.ch/ . Nga ky shkrim unë shkëputa pjesën ku tregohet historia e dy italianëve që shpetuen Shkodrën nga minat gjermane.
Pjesa nga shkrimi i Marita Bekteshi Urbano:
“Në përmbledhjen e shkurtër narrativo- historike që Stef Staku ka shkruar, na shpjegon koinçidencën e një akti heroik me datën e çlirimit të Shkodrës e relativisht të gjithë Shqipërisë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Lin Delia”, në një banesë që kishin uzurpuar komadoja gjermane me disa oficere të SS-ve.
Në darkën e fundit të qendrimit në Shkodër, kur ushtria gjermane vendosi të tërhiqej pa luftime duke udhëtuar gjatë natës në drejtim të Malit te Zi, edhe per të evituar sulmet e aviacionit anglo –amerikan, ushtarët gjermane marrin peng dy italianë, specialistë xhenierë (e njihnin vendin ku jetonin) dhe i detyrojnë të venë minat në disa pika të rendësishme jetike të qytetit të Shkodrës e më pas t‘ i aktivizojnë për ti hjedhë në erë objeket e minueme.
Megjithëse arrijnë të hedhin në erë disa depo armatimesh, përgjithësisht plani u dështon sepse dy ushtarët kishin sabotuar qëllimshëm shpërthimet e tjera. Pas kësaj menjëherë gjermanët dhe oficerët e SS- ve turren dhe i kapin në banesën ku fshiheshin dy italianet për t‘ i dënuar me vdekje. Edhe pse njëri arrin tu iki nëper oborret e shtëpive ku njerezit qënë deshmitarë, njëri nga ata zihet rob dhe futet i gjallë në dhé e me kokë poshtë nga oficerët gjermanë.
Dëshmitarët tregojnë për thirrjet e tmerrshme të italianit që u varros i gjallë për të shpëtuar Shkodrën nga hedhja në erë. Ndërsa miku i tij ishte fshehur 200 metër më larg tek vendi që quhej “Fabrika e vaj- sapunit”. Të nesermen gjermanët qenë larguar nga qyteti dhe në oren 10:00 ishte parë motoçikleta e fundit e gjermanëve në fillim të rrugës “Lin Delia” pikërisht tek kryqëzimi i rrugëve tek Spitali.
Stef Staku tregon për respektin që iu dha këtij heroi në ceremoninë e varrimit tek varrezat katolike të Rrmajt në Shkoder, brenda të gjitha regullave me pjesëmarrjen e klerikëve, komunitetit italian si dhe shkodranëve që respektuan edhe aktin e tij humanist. Eshtrat e ushtarit italian u tërhoqen nga ato varreza në vitin 1960 pas marrëveshjes së dy qeverive për tërheqjen në vendlindje të ushtareve italiane të vrarë ”.
Prandej duhet tu ngrihet nji monument dy italianëve që shpëtuen Shkodren nga minat gjermane në nandor 1944, për të njajtën arsye që iu ngrit monumenti në Shkodër gjeneralit turk nga Iraku Hasan Riza Pashës. /Pregatiti për ShkodraWeb Media Paul TEDESCHINI/