Nga Uran BUTKA
Me Uran Kostrecin jemi njohur në fillim të vitit 1991, pasi kishte dalë nga burgu, kur ai vinte nga Elbasani, tek banonte, për në Tiranë, ku e kishte selinë Shoqata e të Përndjekurve Politikë. Mandej, kur u themelua gazeta “Liria”, organ i kësaj shoqate dhe ai u cak- tua kryeredaktor i parë i saj, bashkëpunimi dhe miqësia jonë u shtua. Ai ishte një njeri krejt i veçantë. Profilin e tij, sidomos sjelljen, ia ka theksuar më së shumti jeta në burg, ku njeriu ose shkatërrohej krejtësisht, ose dilte më i fortë e më i mençur siç ndodhi me Uranin.
U dënua për tentativë arratisjeje dhe, natyrisht, sepse ishte i biri i Fuat Kostrecit, nacionalist dhe antikomunist nga Kostreci i Dangëllisë, i burgosur politik edhe ai, me akuzën e rreme se bënte pjesë në një grup armiqësor në Kolonjë. Në Burgun e Burrelit, Urani pati fatin të njihte personalitete të shquara si Engjëll Çobën, i cili i dha mësime italishteje dhe e kalli në botën poetike të Dante Aligierit; Koço Tasin, që i dha mësime filozofie; Kudret Kokoshin, që e ushqeu me nacionalizmin; Dom Nikollë Mazrekun, që i forcoi besimin e faljen dhe mjaft të tjerë, nga të cilët mësoi, por edhe dha nga vetja, sidomos shembullin e mos- bindjes dhe të qëndresës.
Kohën më të gjatë në burg e kalonte në vetmi, në birucë, nga që dënohej vijimisht nga komanda për mosbindje, kundërshtim dhe shpërfillje. Një herë Burgun e Burrelit e vizitoi një titullar i Ministrisë së Brendshme. Me këtë rast i mblodhën të burgosurit që ta dëgjonin. Ai ishte minoritar grek dhe nuk e fliste mirë shqipen. Shpesh përmendte në fjalën e tij: “Skipëria” skëmb graniti, “skipëtari” ia bën fora! Kur mbaroi titullari i lartë, drejtori i burgut tha:
-A ka ndonjë pyetje? Urani ngriti dorën -Mos ia jep fjalën atij, se është i rrezikshëm, – i tha drejtori i burgut të deleguarit. -Më mirë t’ia jap, që ta shohim se ç’ka në kokë, – i tha i deleguari. Pa shohim e bëjmë pastaj… U ngrit Urani më këmbë dhe foli kështu: “Faleminderit që na lejoni të bëjmë ndonjë pyetje. Unë kam lexuar mjaft dhe kam bërë, fatmirësisht, ca vite shkollë, e njoh mirë gjeografinë, po emrat ‘Skipëri’ dhe ‘Skipëtar’ nuk i kam dëgjuar. Dhe nuk e di ku bien.
A mund të na i thoni se në ç’anë bien?!” Mbledhja u mbyll menjëherë dhe Urani përfundoi 15 ditë në birucën me ujë për tallje ndaj të deleguarit. Një herë tjetër shkoi në burg një i deleguar po nga Ministria e Brendshme, por më i nxënë, tip intelektuali. Ai foli për politikën e jashtme të RPS-së së Shqipërisë, ndërkohë që dënoi agresionin dhe ndërhyrjen ushtarake brutale të Brezhnjevit e të ushtrisë sovjetike në një vend sovran si Çekosllovakia, e cila donte të shkëputej nga kampi revizionist.
Në përfundim të ligjërimit, i deleguari i kënaqur pyeti nëse kishte ndonjë gjë të paqartë. Urani ngriti dorën. Drejtori i burgut e paralajmëroi të deleguarin që të mos ia jepte fjalën. “Është rebel”, i tha. Lektori bëri si bëri ia dha fjalën, sepse Urani ngulmonte. – Jam në një mendje me zotërinë tuaj, që mësymja kundër Çekosllovakisë është një agresion i pastër kundër një vendi sovran dhe bëri mirë qeveria jonë që e denoncoi, – tha Urani. –
Po përse nuk e bëri qeveria jonë këtë denoncim edhe në vitin 1956, kur ushtria sovjetike e pushtoi dhe e përgjaku Hungarinë? – Nuk ka lidhje. Janë dy gjëra të ndryshme, – tha i deleguari dhe u err në fytyrë. Po Urani vazhdoi: – Janë të ngjashme si dy pika uji, por qëndrimi juaj është i ndryshëm. – Mendimi yt është i ndryshëm!, – u hakërrua i deleguari dhe e mbylli mbledhjen. Këtë herë Uranin e lidhën me pranga, e torturuan dhe e hodhën rrëshqanthi në një birucë.
Kjo i ndodhte shpesh Uranit përgjatë 20 vjetëve që vuajti në burg, madje s’kishte muaj që të mos dënohej për kundërshtim të urdhrave të eprorëve, apo për pyetje provokuese. Gradualisht, ai u kthye në një rebel, që ndihej mirë vetëm kur ironizonte apo kundërshtonte urdhrat e padrejta dhe fyerjet e dhunimet që u bëheshin të burgosurve. Gjithsesi, në heshtjen dhe vetminë e qelisë, Urani i pranguar dhe i dhunuar, zbuloi alteregon e tij dhe nisi të hahej me të. Ajo ishte një qenie e brishtë, e ndjeshme, poetike, ndryshe nga dukja e ashpër, e palëkundur, rebele e Uranit.
Ai kishte brenda poetin, që jetonte në një botë ideale dhe që e bënte edhe zh- guallin e tij fizik të mbijetonte. Poeti krijonte në mendje, ndonjëherë edhe në ndonjë copëz letër, sonetet lirike, mandej edhe poemën “Epopeja e karkalecave”. Dhe, kur disa nga ato fletushka ia sekuestruan gardianët, ai u tha “I kam në mendje”. Edhe për këtë përgjigje u dënua sërish dhe u mbyll në birucë, sepse i paskësh pasur mendimet dhe vargjet e fshehura në mendje! Mirëpo, ndonjë herë kur shpirti poetik prekte realitetin e dhimbshëm, torturat dhe poshtërimet e burgut, atëherë jeta s’kishte më kuptim dhe vihej në pyetje ekzistenca e saj.
Përse duhet të jetonte? Kështu, një çast dëshpërimi ai iu drejtua telave me gjemba, që ngriheshin mbi muret e burgut, jo për t’i kapërcyer e për t’u arratisur, por për të prekur fundin e tij. Zgjati duart drejt telave, dëgjoi thirrjet e rojave: “Ndal! Ndal!”, mandej krismat e automatikëve dhe vërshëllimat e plumbave, që i shpuan xhupin, nga i cili dolën flluska pambuku të zi.
Një plumb e fshiku mbi ballë dhe e përgjaku. Mandej, duart e rojeve që e zaptuan, e goditën dhe e tërhoqën zvarrë deri në birucë, ku e kishte vendin dhe hodhën atje si një kufomë. Dhe kur trupi i tij nuk ndiente më, kishte vdekur, shpirti i poet- it gjallonte, gëlonte nga dëshira për jetën, gëzonte që kishte mbetur gjallë, ndonëse për një çast dëshpërimi kishte kërkuar mortjen.
Ishte dashuria instiktive për jetën, sido që të ishte ajo! E kini vënë re që Uran Kostreci mbante mbi krye vazhdimisht një kapele republike? Ai nuk e hiqte kurrë, veçse kur flinte, gjithnjë i vetmuar dhe i heshtur, si në burg, ndonëse tashmë i lirë. Ai e mbante kapelën në kokë, që të mos i dukej shenja e plumbit mbi ballë, që të mos dukej si hero apo si viktimë, por si një njeri i zakonshëm, ndonëse i lirë dhe poet përbrenda.