Daljet publike të javëve të fundit të rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. dr. Tonin Gjuraj, takimet e shumta nëpër të gjitha departamentet e universitetit në funksion të transparencës dhe ndryshimit të situatës në këtë IAL, duket se janë vetëm “maja e ajsbergut” e punës që ka nisur prej disa javësh tashmë. Theksi është vënë në atë që mund të konsiderohet “stabilizimi i ligjshmësirë”, i cili është edhe hapi i parë i rëndësishëm në vënien në zbatim të platformës fituese të zgjedhjeve të rektorit Gjuraj.
Gjatë kësaj periudhe pune, pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se 15 persona, personel i rektoratit, në periudhën 2016- 2024, janë punësuar pa iu nështruar procedurës ligjore të konkursit publik. Po ashtu, janë 14 të tjerë, personel i Fakulteteve të UNISHK, të cilët janë punësuar pa iu nënshtruar procedurës ligjore të konkursit publik. Në total, janë 29 persona, të cilët janë punësuar e paguar në shkelje të ligjit.
Nga ana tjetër, 4 pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë, të rekrutuar në shkelje të ligjit dhe Statutit të UNISHK, janë larguar nga puna. Dy prej tyre, rezultonin si pedagogë të brendshëm në një IAL tjetër, ndërsa të njëjtin status kishin edhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Në këtë linjë, brenda 6 muajve do të kryhen zgjedhjet per dekan në Fakultetin e Drejtësisë, në përputhje me kriterin ligjir të kategorisë “profesor” për kandidatët e mundshëm, të cilët nuk mungojnë. Deri atëherë, në drejtimin e këtij Fakulteti, rektori Gjuraj ka ngarkuar në ushtrimin e funksioneve të dekanit, Prof.asoc. dr. Irma Baraku.
Duket se të gjithë drejtuesit dhe ish- drejtuesit, janë vënë para një testi të thjeshtë: përmbushja në kohë e në cilësi e detyrimeve akademike dhe administrative. Kështu, pas emërimit të zëvendësrektores Dragusha, vijon në detyrë zëvendësrektorja Hoti, teksa ish- rektorit Bekteshi, i është besuar Drejtoria e Kurrikulës dhe Standardeve të Cilësisë. Po ashtu, pritet një reformim i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Projekteve, për të forcuar dimensionin e ndërkombëtarizimit në të ardhmen.
Disa ditë më parë, një ceremoni e veçantë u zhvillua në zyrën e rektorit Gjuraj. Numri 1 i UNSHK, falenderoi zyrtarisht dhe publikisht Dr. Diana Kapiti, Docent Ridvan Dibra, Prof. Dr. Elez Osmanoviç, Docent Zenel Lohja dhe Prof. Dr. Alfred Çapaliku me rastin e daljes në pension. Është një praktikë shumë e vlefshme, e cila duhet të vijojë. Ndërkohë, hapet rruga e punësimit të 5 pedagogëve/punonjësve të rinj në UNISHK, duke patur në fokus diasporën akademike, të diplomuarit në universitete të ndryshme të BE-së dhe vendeve të OECD-së që dëshirojnë të kthehen e të kontriubojnë në Shkodër.
Ndërsa ka nisur zbatimin e platformës së tij, me të cilën u votua në zgjedhjet e 21 qershorit, rektori Gjuraj i kushton rëndësi edhe ruajtjes së një ekulibrin institucional, duke patur parim refuzimin e emërimeve që kanë në bazë fenomenin e nepotizmit dhe konfliktit të interesave.
Rektori Gjuraj i ka kërkuar Këshillit të Etikës të zbatojë rigorozisht Kodin e Etikës së UNISHK, të japë masa disiplinore, në varësi të shkeljeve dhe sjelljeve joetike, që nuk kanë munguar në këtë IAL. Është e qartë se, pavarësisht se jo çdo gjë bëhet publike për vetë natyrën e funksionimit të IAL- ve, rektori Gjuraj është i vendosur në transformimin e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, për ta rikthyer në nivelin e standardeve ku e meriton të jetë. /ShkodraWeb/