Ardhja e Dritan Abazoviç në krye të qeverisë së Malit të Zi në ditët e fundit të prillit, u pa si një sukses i madh i faktorit shqiptar në Ballkan. Përfaqësues i një partie të vogël konglomerat në Malin e Zi, pavarësisht se nuk fitoi zgjedhjet, arriti të ngjitet në krye të kabinetit qeveritar malazez me mbështetjen e “ujkut të vjetër” të politikës në vendin fqinj, Milo Gjukanoviç.
Kryeministri filoserb Krivokapic, u detyrua ti lërë karrigen zëvendësit të tij shqiptar Abazoviç. Në ditën e parë të uljes në këtë karrige, filloi edhe vrapimi i Abazoviç drejt largimit, i cili u zyrtarizua në orët e para të ditës së sotme, pas rreth 13 orëve debat politik në Kuvendin e Malit të Zi. Personalisht, nuk kisha dyshime se Abazoviç do të përdorej nga Gjukanoviç. “Profesori” i politikës malazeze, do të kërkonte kohë për të arritur synimin e tij, rikthimin në qeverisje të vendit.
Atë kohë do t’ ia siguronte “studenti” Dritan Abazoviç dhe marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe e qeverisë së tij, do të ishte vetëm pika që do të derdhte ujin në gotë. Të paktën në pjesën e dukshme të saj. 100 ditë janë shumë pak që një kryeministër, një qeveri të mund të japë rezultate konkrete. Kështu ndodhi edhe me Abazoviç, i cili përveç disa sloganeve, klisheve deklaratative, nuk do të mbahet mend për ndonjë gjë tjetër.
Sigurisht, një kryministër nga popujt pakicë, aq më shumë nga shqiptarët në Malin e Zi, është një arritje jo e vogël personale për Abazoviç me vetëm 4 mandete deputetësh të konglomeratit URA. Por vetëm kaq. Sot, pasi Abazoviç ra nga karrigia, nuk mund të thuhet se faktori shqiptar në Ballkan është më i fuqishëm. Përkundrazi, Abazoviç asnjëherë nuk u krenua apo paraqit si shqiptar etnik i Malit të Zi. Po ashtu, nuk la asnjë gjurmë të dukshme në 100 ditë me ndonjë nismë për popujt pakicë apo me konkretisht, për shqiptarët e Malit të Zi.
Dritan Abazoviç u tregua thjesht dhe vetëm një “student” në politikën malazeze. Jo vetëm kaq. Për shkak të ambicjeve personale apo profanizmit në politikë, mungesës së eksperiencës, u la të përdorej nga Milo Gjukanoviç, “profesori” i politikës malazeze dhe me gjasë, fitues i zgjedhjeve të radhës në Malin e Zi, të cilat mund të jenë shumë më afër nga sa mendohet.
Abazoviç u nis në rrugëtimin e tij politik për të eliminuar përfundimisht Milo Gjukanoviç nga skena e Malit të Zi. Pranoi të ndërtonte qeverinë e tij me mbështetjen nga jashtë të deputetëve të Gjukanoviç, ndërsa për 100 ditë u rrëzua po me votat e të njëjtit person në parlamentin malazez. Duke i bërë sherbimin më të mirë të mundshëm për rikthimin në nivelet më të larta politike të Milo Gjukanoviç. /Nga Blerti DELIJA/